E premte, 26 Korrik, 2024

SHAQIRI: SYNOJMË SUKSES NË KOMPETICIONET EUROPIANE

Artim Shaqiri ka një karrierë të jashtëzakonshme si futbollist. Ndërkohë, ai, është emëruar drejtor sportiv i K.F Shkëndija. Përvoja dhe perfomanca e tij shihet si vendimtare për suksesin e klubit. Në një intervistë për KDP-në, Shaqiri thekson se me klubin Shkëndija, përveç kampionatit në Maqedoninë e Veriut, synojnë të korrin sukses edhe në kompeticionet europiane të futbollit. Përkohësisht e ushtron edhe detyrën e trajnerit të Shkëndijës, deri sa klubi të angazhoj trajner të ri. Shaqiri beson thellësisht në suksesin e klubit, ndërkohë që thekson se për rezultate në nivel europian duhet shumë punë dhe përkushtim.

Intervistoi: Enis Shaqiri

KDP: Jeni emëruar në pozitën e drejtorit sportiv të K.F Shkëndija. Mirëpo, do funksiononi si drejtor sportiv i klubit nga momenti i përfundimit të këtij sezoni. A mund të na shpjegoni në pika të shkurtëra procesin?

Artim Shaqiri: Puna ime ka filluar nga data 1 mars, nga momenti që ramë dakord, normalisht arritëm të finalizojmë marveshjen me klubin dhe mes tjerash u dakorduam që deri kur të jetë nevoja, përafërsisht 1 muaj, deri më 15 maj, të njoftohem me angazhimin e klubit në terrenin e gjelbërt, për të parë nga afër se çfarë ndryshimesh duhet të bëjë.
Ndryshe, nga 15 i maji klubi mendonte që të bëhet edhe prezantimi im si drejtor sportiv i K.F Shkëndijës, mirëpo rrethanat ndryshuan me shkarkimin e trajnerit. Normalisht në futboll ndodhin shumë surpriza dhe të papritura, puna e trajnerit është e tillë, kur dihet se rezultatet e mbajnë aktiv një trajner.
Mirëpo, në momentin kur ndodhi zëvendësimi i trajnerit, në bisedë me kryesinë e klubit u dakorduam që për një periudhë shumë të shkurtër, deri sa të gjejmë një trajner më adekuat për klubin do të funksionojë edhe si trajner. Pra, momentalisht në klub e kam edhe postin e trajnerit, mirëpo në këtë rast si ushtrues detyre.

KDP: Cilat do jenë objektivat kryesore, çfarë mendoni të ndryshoni tek klubi? Ku do bazohet projekti juaj, në afrime cilësore apo eksplorimin e talenteve?

Artim Shaqiri: Së pari, bashkë me klubin jemi duke gjurmuar për talente të rinj, pastaj jo gjithçka varet nga unë në kampionatin e ri, por edhe në bashkëpunim me trajnerin e ri. Me fillimin e sezonit të ri, duhet të kemi një filozofi të lojës, që nënkupton synimin që Shkëndija të jetë kampione. Mendoj që do të përgadisim një ekip që do të synojë fazën e grupeve në Europa League, ose Conference League apo për të mos thënë edhe Champions League. Që në strategji i bie që të sulmojmë Champions League-n për të qenë më të sigurt në Europa League, apo Conference League-n.

KDP: Për më tepër se një muaj keni qenë vëzhgues te K.F Shkëndija, që do të thotë se e keni ndjkur situatën në klub. Ku mendoni se qëndron problemi aktual?

Artim Shaqiri: Kudo në botë kemi ngritje dhe rënie të klubeve. Ashtu siç ndodhin rëniet tek futbollistët ndodhin edhe tek klubet. Kjo është normale edhe tek K.F Shkëndija.
Mirëpo, mos të harrojmë se vitet e fundit klubi Shkëndija ka dominuar gjithnjë në kampionat. Pastaj kur kemi të bëjmë me ndërimin të gjeneratave, zakonisht kemi kriza të tilla. Por, unë jam optimist dhe shpresoj që shumë shpejtë do ta rikuperojmë këtë problem, këtë krizë, dhe do të dalim në sipërfaqe me rezultate pozitive.

KDP: Kampionati është drejt fundit, ndryshe merkatoja verore po afrohet.Cilat do të jetë strategjia për merkaton e ardhshme, a kemi ndonjë emër konkret?

Artim Shaqiri: Fillimisht jemi në proces, si me punën e trajnerit, ashtu edhe me lojtarë më të rinj, siç edhe e ceka.Por, së pari do jemi në biseda më të sakta me trajnerin, që sa më parë ta mbyllim çështjen e trajnerit. Pastaj në bisedë me trajnerin, nga kërkesa e trajnerit do të bisedojmë se çfarë lojtarësh do të duhet që të marrim, sepse të gjithë e dimë se klubi gjithnjë ka nevojë për lojtarë dhe frymë të re, këtu e kam fjalën për cilësi dhe lojtarë të kualifikuar dhe jo sa për të mbushur numër.Me gjasë do të ketë 3 apo 4 transferime, mirëpo momentalisht nuk do të përmend asnjë emër, sepse jemi në bisedë e sipër.
Por, më kryesorja është se ne kemi ndeshje në proces që do të thotë se kemi besim të madh tek lojtarët aktual në ekip.

KDP: Përmendët pak më parë për një kualifikim të mundshëm në Europa League apo edhe në Champions League, sa afatgjatë mendoni se do te jetë ky projekt dhe kur priten të korren rezultatet e para?

Artim Shaqiri : Fillimisht, ambiciet e Shkëndijës janë gjithnjë të larta, projekti jonë është që të korrim sukses në një nga tre këto kompeticione evropiane, Europa League, Champions League, Europa Conference League.  Shpresojmë që brenda dy viteve të realizohet njëra nga këto.Premtoj se do japim maksimumin që të provojmë në sezonin e ardhshëm, por garancë dhe siguri nuk ka, duhet kohë, punë dhe përkushtim.

Të fundit