E shtunë, 27 Korrik, 2024

QEVERIA KËRKON RIKTHIM NË PROCESIN MËSIMOR, SINDIKATA AKUZON PËR KËRCËNIME

Përderisa qeveria ka lutur mësimdhënësit të kthehen në procesin mësimor, numri një i SASHK-ut, Nedellkov ka akuzuar për kërcënime ndaj grevistëve. Ai ka theksuar se janë në pritje të ofertës nga qeveria për ta ndërprerë grevën, ndërkohë që ka bërë të ditur se nëse qeveria nuk reflekton greva do të vazhdojë.

Shkruan: Eljesa Dervishi

Greva në arsim vazhdon edhe sot, ndërsa vazhdojnë negociatat e Sindikatës së Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. Anëtarët e SASHK-ut në shkolla dhe çerdhe janë në grevë që nga e hëna, duke kërkuar rritje të pagave.

Kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedellkov tha se presin që sonte ose nesër deri në orën 12 të kenë një ofertë që Këshilli i SASHK-ut të marrë vendim dhe që të njoftojë se mësimet do të vazhdojnë nga e hëna ose siç tha ai do të thonë se nuk ka zgjidhje dhe Këshilli nuk do të mund ta ndryshojë vendimin, sepse anëtarësia nuk e pranon ofertën dhe greva duhet të vazhdojë.

Ndërkohë, Jakim Nedellkov në llogarinë e tij në  facebook theksuar se sot është dita e katër e grevës dhe potencon se grevistët nëpër kopshte po kërcënohen me letra të ndryshme, e për t’iu dhënë kurajo grevistëve që të vazhdojnë më tej Nedellkov ua rikujton himnin e kësaj Sindikate.

Ndërsa Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri në konferencën e sotme për shtyp i bëri thirrje Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës që të ndërpresin grevën me qëllim që nxënësit të kthehen në shkollë. Shaqiri tha se për këtë do iu drejtohet edhe me shkresë mësimdhënësve dhe SASHK-ut.

“Prioriteti im për momentin, personalisht për mua si ministër, po besoj për shumë të tjerë, veçanërisht për familjet e nxënësve është rikthimi i tyre në shkollë. Ne nuk kemi nevojë thënë në një formë tjetër për luks të tillë, nga i cili humbës më të mëdhenj do të jenë nxënësit nga mungesa e mësimeve të tyre. Interesi i tyre më i mirë është që ata t’i kthehen mësimdhënies në shkolla”, theksoi Shaqiri.

Shaqiri tha se Qeveria është angazhuar për rritje të pagave, por që ajo mos të kushtëzohet me grevë.

“Kërkesa për rritjen e pagave të mësuesve është legjitime. Paga më të larta do të ketë. Ky është një angazhim i Qeverisë, dhe për këtë arsye në fillim të muajit të kaluar u rrit paga minimale e cila do të harmonizohet me me të gjitha pagat e tjera, duke përfshirë edhe ato në arsim, përveç kësaj do të ketë rritje edhe në një përqindje të caktuar, gje për të cilën jemi duke negociouar ashmë”, tha mes tjerash Shaqiri.

Të fundit