E premte, 26 Korrik, 2024

DEKOMPOZIMI SOCIAL DHE LËVIZJET SINDIKALISTE

Pavarësisht nga deklarimet e qeverisë që duken ekuivoke dhe të ” ekuilibruara” për momentin, në fund të ditës, me gjasë, do të detyrohen të pranojnë rritje pagash. Gjatë periudhës sê tranzicionit shfytyrues pozicioni i mēsimdhënësit ka mbetur i ngujuar në paga simbolike që nuk janë në dinjitetin e këtij profesioni. Padiskutim kërkesat e tyre janë reale dhe të domosdoshme. Por, bashkë me rritjen e pagave do të duhet përfundimisht të mendohet edhe për cilësinë në sistemin arsimor, që brenda kësaj kohe për arsye që dihen ka pësuar rrënim dramatik

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Goditjet e krizës ekonomike duket se tashmë kanë krijuar edhe ” tërmet” social. Më të goditura mbeten shtresat që jetojnë në kufijtë e mbijetesës, ato që nuk futen as te paga minimale dhe as te lëvizjet sindikaliste tê këtyre ditëve që kērkojnë të drejtën e tyre legjitime për rritje pagash dhe që nënkupton buxhetin e shtetit.
Ethet e krizës po ndjehen kudo, ndërkohë që çmimet gati po dyfishohen. Kriza e pandemisë dhe kriza e fundit që vjen si pasojë e luftës në Ukrainë tashmë po ndjehet në çdo sferë dhe po shtrihet me pasoja të frikshme për qytetarët. Dhe si zakonisht gjithë pesha bie mbi shtetin, qeverinë për të menaxhuat me këtë gjendje të rënduar.
Sindikatat në princip mbrojnë statusin e anëtarëve të vetë. Dhe kjo tashmë po manifestohet me protesta dhe me grevë në sektorë të caktuar, në ato sektorë që pagat i sigurojnë nga buxheti i shtetit. Kjo duket normale për lëvizjet sindikaliste të cilat në një moment të caktuar vlerësojnë se është koha për ta rritur presionin ndaj qeverisë për të siguruar status të denjë të atyre që aderojnë.
Në këtë sens është edhe greva në shkollat e mesme dhe fillore, e cila tashmë po hynë në ditën e pestë. Nuk dihet se çfarë do sjellin ditët e ardhshme, por një mbetet e sigurt që pozicionet e sindikatës dhe qeverisë janë diametralisht të kundërta edhe pse që të dyja palët theksojnë se janë për dialog dhe zgjidhje të shpejtë.
Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës duket e vendosur që ta çojë deri në fund grevên, gjegjësisht angazhimin për paga më të larta për një përqindje që me gjasë duket e papërballueshme për qeverinë.
Qeveria ndërkohë ka theksuar argumentet e veta, që lënë të kuptohet se rritje pagash ka pasur dhe se tani në këtë kohë nuk është momenti i duhur për presione. Ndërkohë sindikata ka theksuar se rritja e pagave në lartësinë që ata kërkojnë nuk do ta rëndojë buxhetin e shtetit. Paralajmērimet janë se nuk do të tërhiqen përderisa nuk përmbushen kërkesat e tyre.

Pavarësisht nga deklarimet e qeverisë që duken ekuivoke dhe të ” ekuilibruara” për momentin, në fund të ditës, me gjasë, do të detyrohen të pranojnë rritje pagash. Gjatë periudhës sê shndërrimeve të mëdha pozicioni i mēsimdhënësit ka mbetur i ngujuar në paga simbolike që nuk janë në dinjitetin e këtij profesioni. Padiskutim kërkesat e tyre janë reale dhe të domosdoshme. Por, bashkë me rritjen e pagave do të duhet përfundimisht të mendohet edhe për cilësinë në sistemin arsimor, që brenda kësaj kohe për arsye që dihen ka pësuar rrënim galopant.

Në fund të fundit nuk janë mësimdhënësit fajtorë për tranzicionin thellësisht të korruptuar që nuk ka arritur të optimalizojë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqēror gjithnjë duke nënkuptuar cilësinë. Është politika ajo që ka promovuar improvizimin, ndërkohë që ka premtuar gjithnjë jetë më të mirë për të gjithë.

Shtresat që gjendrn në margjina fatkeqësisht nuk janë target i asnjë kalkulimi. Ata thjesht janë pa zë në mjerimin e vetê.

Të fundit