E premte, 26 Korrik, 2024

KRIZA EKONOMIKE E PAPËRBALLUESHME PËR QYTETARËT

Pasojat e shkaktuara nga pandemia si dhe lufta në Ukrainë janë faktorët kryesor në rënien e zhvillimit ekonomik, thonë ekonomistët. Sipas tyre, masat e ndërmarra nga Qeveria për zbutjen e krizës me të cilën përballen qytetarët nuk kanë ndihmuar në përmirësimin e gjendjes. Qytetarët shprehen të shqetësuar për rritjen marramendëse të çmimeve dhe pamundësisë për të përballuar harxhimet e shportës minimale konsumatorë, e cila për momentin është 36.768, dyfish më e madhe se paga minimale në vend

 Shkruan: Puhiza Osmani

Qytetarët po përballen me një krizë të vështirë ekonomike, e cila fillimisht u parapri nga pandemia. Për dy vite e gjysmë për sa kohë që luftohet me këtë sfidë, gjithnjë e më shumë është ngushtuar hapësira e të bërit biznes jo vetëm në Evropë por edhe në vende të tjera për shkak të krizës ekonomike.

Eksperti i ekonomisë, Arben Halimi thotë se ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë ka shkaktuar një riorientim apo një ribalancim, jo vetëm të forcave politike, por njëkohësisht edhe të forcave ekonomike. Sipas tij, kjo situatë e ka bërë të domosdoshme vendosjen e masave nga ana e shteteve të ndryshme, të nevojshme që të sigurojnë gjërat më elementare për qytetarët e tyre, sigurisht lëndën e parë, bukën, grurin, misrin dhe vajin.

“Orientimi i mjeteve financiare dhe për masat shtesë mbrojtëse sigurisht që ka qenë diçka e pa planifikuar, por shumë e domosdoshme në këtë fazë nga ana e shteteve, dhe s’do mend që nuk ngelet pas as Maqedonia e Veriut në këtë drejtim e cila fatkeqësisht është një vend i vogël dhe me resurse financiare dhe ekonomike të kufizuara. Përveç gjërave më elementare të themi nga sektori bujqësor, shteti jonë është i varur edhe nga importi i lëndës kryesore për bukë, respektivisht importi i grurit. Kjo ndodh sepse Maqedonia nuk prodhon mjaftueshëm lëndë të parë që të mund të plotësojë nevojat e qytetarëve të vet”, thekson Halimi.

Sa i përket rritjes së vazhdueshme të çmimeve Halimi thotë sekjo situatë është e pa përballueshme për qytetarët e vendit.

“Rritja e shportës konsumatore në 36.768 denarë, për momentin është e pa përballueshme për qytetarët, për vetë faktin që tashmë rroga minimale është 18.000 denarë dhe realisht kemi dyfishin e rrogës minimale, në koston e jetesës të një familjeje katër anëtarëshe, e që realisht shumë pak familje janë që punojnë dy persona e të cilët mund ta përballojmë të themi në mënyrë të arsyeshme këtë krizë” thotë Halimi.

Ai gjithashtu thekson se shteti ka bërë aq sa ka mundur me këtë kapacitet financiar që ka në këtë fazë, por që ka akoma edhe shumë për të bërë.

“Për rreth tre muaj shteti ndërhyri duke kufizuar çmimin e shitjes së lëndës së parë dhe sigurisht që ajo goditi drejtpërsëdrejti bizneset. Si rezultat i rritjes së çmimit furnizues shitësit ose tregtarët duhet ta shisnin të njëjtën lëndë me një çmim të cilën e vendosi Qeveria që nuk guxonte të rritej, kurse çmimi furnizues ishte më i lartë. Masa e dytë që u morr nga ana e Qeverisë është pak më e arsyeshme, sepse bënin ngrirjen e marzhës 5 dhe 10 për qind, veçanërisht për produktet e konsumit të gjerë, dhe kjo normalisht u dha pak mundësi të themi kompanive që të mbijetonin”, thotë Halimi. Kjo, thotë si, sigurisht është masë afatshkurtër dhe kompanitë nuk mund në vazhdimësi të shesin me këtë masë sepse kostot tjera të transportit, të furnizimit dhe të shpërndarjes e kështu me radhë janë rritur. Sipas tij, patjetër do të ketë nevojë për masa plotësuese nga ana e shtetit me theks të veçantë për sektorin e biznesit por pa lënë anash edhe nevojat e domosdoshme për rritjen e rrogave si në sektorin privat ashtu edhe në sektorin publik”, thotë Halimi.

Sipas tij, për tejkalimin e kësaj krize në radhë të parë shteti duhet të mbështesë fermerët që të mund të prodhojnë sasi më të mëdha të grurit ose të misrit, ose të produkteve të tjera të domosdoshme që janë luledielli e kështu me radhë për të prodhuar vaj. Njëkohësisht, vë në dukje ai, shteti duhet t’i mbështesë fermerët në nënshkrimin e kontratave me kompanitë të cilat do t’i marrin këta prodhime bujqësore për t’i përpunuar e për t’i shndërruar pastaj në bukë e në vaj, normalisht duke iu garantuar që këta kontrata do zbatohen që të mos manipulohen fermerët nga ana e afarizës.

“Në plan afatgjatë për ta mundësuar dhe për ta pasur më të lehtë shteti rritjen e rrogave në sektorin publik, detyrimisht duhet të bëjë një riformatim të tërësishëm të sektorit publik. Kjo do të thotë bazuar edhe në shifrat reale të regjistrimit të fundit, dhe konform këtyre shifrave të bëhet edhe punësimi stafit të nevojshëm në sektorin publik qoftë në nivel të shtetit apo edhe nëpër komuna dhe të mos mbingarkohet administrata. Pra propozimi është që të bëhet ulje graduale e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në administratën e shtetit nëpër komuna dhe kjo mund të bëhet, duke kaluar apo duke çuar njerëzit në pension ata të cilët i plotësojë kushtet për pension dhe duke mos pranuar staf të ri. Së dyti duke motivuar njerëzit që të shkojnë dy tre vite para kohe në pension dhe t’iu paguhet 70 apo 80 për qind e rrogës gjatë asaj periudhe” thekson Halimi.

Të fundit