E enjte, 30 Maj, 2024

Çfarë janë armët kimike dhe a janë të paligjshme?

Reuters

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shprehur shqetësimin se Rusia mund të përdorë armë kimike në luftë. Tashmë ka pasur raporte për përdorimin e tyre në qytetin e rrethuar të Mariupolit, në jug të Ukrainës.

Prodhimi, përdorimi dhe grumbullimi i armëve kimike ndalohen me Konventën e Armëve Kimike të vitit 1997.

Vetëm Egjipti, Koreja e Veriut dhe Sudani i Jugut nuk e kanë nënshkruar apo ratifikuar traktatin ndërkombëtar për kontrollin e armëve. Izraeli e ka nënshkruar, por nuk e ka ratifikuar.

Konventa mbikëqyret nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike në Hagë, e cila mund të përcaktojë nëse kimikatet toksike janë përdorur si armë.

Në bazë të traktatit, përdorimi i toksinave më të rrezikshme është i ndaluar. Ato përfshijnë: agjentin nervor sarin, VX dhe noviçok, si dhe helmin ricin dhe mustardë.

Një armë kimike është “çdo lëndë kimike që, përmes veprimit të saj kimik, mund të shkaktojë vdekje, paaftësi të përkohshme ose dëmtim të përhershëm”, thotë Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike.

Një kimikat i pakontrolluar, siç është klori, mund të bëhet gjithashtu armë kimike nëse përdoret në konflikt.

Edhe pse dënohet nga grupet e të drejtave të njeriut, fosfori i bardhë nuk është i ndaluar me Konventën e Armëve Kimike.

Përdorimi në të kaluarën

Mustarda e squfurit është përdorur për herë të parë në shkallë të gjerë në Ypres të Belgjikës, gjatë Luftës së Parë Botërore, kur rreth 90,000 njerëz kanë vdekur për shkak të ekspozimit ndaj armëve kimike.

Mijëra kurdë janë vrarë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, në një sulm kimik në Halabja, në mars të vitit 1988, gjatë luftës Iran-Irak.

Në vitin 1995, një kult në Japoni ka lëshuar sarin në metronë e Tokios, duke vrarë 13 njerëz dhe duke shkaktuar sëmurjen e mijëra të tjerëve.

Pas disa dekadash të përdorimit të paktë, bombat me sarin dhe klor janë hedhur në mënyrë të vazhdueshme gjatë luftës civile në Siri, duke vrarë ose plagosur mijëra njerëz. Rreth 150 raste janë nën hetime nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike dhe 20 përdorime janë konfirmuar.

Forcat siriane, të mbështetura nga Rusia, dhe në një masë më të vogël luftëtarët e grupit militant, Shtetit Islamik, është zbuluar se kanë përdorur armë kimike gjatë luftës dhjetëvjeçare.

Rusia dhe Siria mohojnë përdorimin e armëve kimike dhe fajësojnë grupet rebele dhe kundërshtarët politikë, ose thonë se sulmet janë organizuar për t’i implikuar ato në mënyrë të rreme.

Sulmi më i madh në Siri ka ndodhur në gusht të vitit 2013 në qytetin Guta pranë Damaskut, kur qindra njerëz janë vrarë nga gazi sarin. Qeveritë perëndimore kanë fajësuar forcat qeveritare siriane për këtë sulm.

Rusia është fajësuar nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike për dy sulme me agjentin nervor, noviçok – njërin kundër ish-oficerit të inteligjencës ushtarake ruse, Sergei Skripal, dhe vajzës së tij, Yulia, në mars të vitit 2018 në Britani, si dhe tjetrin ndaj Alexei Navalnyt, kritikut të presidentit rus, Vladimir Putin. Sulmi i dytë ka ndodhur në Siberi, në gusht të vitit 2020.

Ukraina

Kievi tha të martën se po verifikon raportet se forcat ruse kanë përdorur armë kimike në qytetin e rrethuar të Mariupolit.

Ukraina, më herët, ka shprehur frikën se forcat ruse mund të përdorin kimikate të ndaluara. Shqetësim të ngjashëm ka shprehur edhe SHBA-ja. Por, asnjëri prej vendeve nuk ka ofruar prova për t’i vërtetuar këto shqetësime.

Rusia ka shkatërruar formalisht tonelata të armëve kimike, të deklaruara në Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike. Por, Moska është përplasur vazhdimisht me qeveritë perëndimore, të cilat e fajësojnë atë për incidentet me armë kimike në rastin e Skripalit dhe Navalnyt.

Në tetor, 45 anëtarë të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike i kanë bërë thirrje Rusisë që të sqarojë përfshirjen e saj të supozuar në helmimin e Navalnyt, por Moska mohon se ka pasur ndonjë rol.

Noviçok, i zhvilluar në vitet 1970 në Bashkimin Sovjetik, është shtuar në listën e kimikateve të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike dhe është ndaluar që nga korriku i vitit 2020.

Si Rusia, ashtu edhe Ukraina janë anëtare të kësaj organizate.

Shtetet e Bashkuara i kanë dhuruar 250,000 dollarë Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, në kuadër të përpjekjeve për t’i siguruar Ukrainës furnizime dhe pajisje, në rast se Rusia përdor armë kimike./REL

Të fundit