E shtunë, 27 Korrik, 2024

KASAMI: SHOQËRISË SHQIPTARE I DUHET URGJENTISHT NJË FUQIZIM MË I MADH GRUAS

Gjatë muajit mars, i cilësuar ndryshe si muaji i gruas, në Institutin për Lidership dhe Politika Publike (ILPP) është mbajtur një trajnim në kuadër të projektit “Rritja e pjesëmarrjes së grave në politikë në Maqedoninë e Veriut”. Në një intervistë ekskluzive për KDP, drejtoresha ekzekutive e ILPP-së, Pranvera Kasami ka folur më gjerë rreth trajnimit në fjalë si dhe për pozitën e gruas shqiptare në shoqëri dhe përfaqësimit të saj në jetën politike. Kasami përgëzon vendosjen e kuatave të përcaktuara për pjesëmarrjen e grave në politikë, duke e cilësuar si hap i nevojshëm dhe gjithashtu pohon se gratë e përfshira në politikë përballen më një numër të madh sfidash, duke filluar nga paragjykimet dhe deri te mungesa e vetëbesimit.

 Intervistoi: Valmisa Novi

 KDP: Cili është qëllimi i këtij trajnimi?

Pranvera Kasami:Këto janë trajnime që zhvillohen në suaza të projektit “Rritja e pjesëmarrjes së gruas në politikë në Maqedoninë e Veriut”, i cili ka për qëllim të identifikojë arsyet shtytëse dhe ato penguese, si edhe mundësinë e rritjes së potencialit profesional të përfaqësimit domethënës të gruas në politikë në Maqedoninë e Veriut. Trajnimi ka dy module, ku çdonjeri nga ato zhvillohet në thellësi, edhe atë: për qeverisje të mirë dhe llogaridhënie; dhe për të folurit në publik dhe lidership. Pjesëmarrëset janë gra nga këshillat komunale dhe administrata komunale. Ideja është që çdonjëra nga gratë pjesëmarrëse të përfitojë njohuri për temat dhe veç këtyre në mënyrë të tërthortë të pajiset dhe me akoma më shumë vetëbesim edhe për të qënë hallkë e sjelljes së ndryshimeve pozitive në shoqëri, veçanërisht në aspekt të përfaqësimit dinjitoz të gruas në jetën politike dhe publike.

KDP: Cila prej tematikave të trajtuara ngjalli më tëpër interes tek të pranishmit?

Pranvera Kasami: Gjithsesi të dy modulet ndiqen me shumë interes sepse ka teknika dhe qasje që pjesëmarrëset i hasin për herë të parë. Me shumë entuziazëm e presin pjesën e lidershipit si edhe atë të folurit në publik. Shkathtësitë e nevojshme për artikulim të qartë të qendrimit përpara audiences dhe përpara mediumeve, janë një pjesë që ndiqet me interes të lartë, ku më pas pason dhe me praktikim dhe mentorim të shkathtësive të përfituara.

KDP: Çfarë mendoni për barazinë gjinore dhe si e shihni kuotën e përcaktuar për pjesëmarrjen e grave në politikë?

Pranvera Kasami: Kuotat janë detyrimisht shumë të nevojshme, që përmes tyre të arrihet deri te një përfaqësim domethënës në një të ardhme të afërt. Të njëjtat duhet të vendosen dhe në struktura politiko-institucionale ku për momentin nuk ka përcaktime kuotash. Çdolloj ndryshimi që bëhet, nuk vjen lehtë dhe duhet pranuar nëse edhe në fillim vjen me shtytje insistuese, si ato të kuotave – ku edhe këto në qoftë se nuk kërkohen, nuk vendosen vullnetarisht nga askush.

Idealizoj një kohë kur përfaqësimi do të jetë vetem mbi baza meritore dhe kjo kohë po vjen, megjithëse me hapa të ngadaltë.

KDP: Sipas mendimit tuaj, çfarë hapash konkretë duhet të ndërmerren për të fuqizuar rolin e gruas në politikë në Maqedoninë e Veriut?

Pranvera Kasami: Duhet më shumë insistim nga çdo fuqi tjetër e cila nuk quhet parti dhe politikë. Kjo kështu sepse nëse partitë politike do ta donin një gjë të këtillë, ajo do të kishte ndodhur. Por meqë ky nuk është rasti, atëhere zgjidhjen e shikoj në veçanti te roli i shoqërisë së mirëfilltë civile, kuptohet gjithmonë me mbështetje nga qeveritë e vendeve të huaja që jane prezente në vendin tonë qoftë përmes përfaqësive diplomatike, apo përmes organizatave të tyre.

KDP: Cilat janë sfidat dhe sprovat kryesore me të cilat përballen gratë e përfshira në jetën politike në Maqedoninë e Veriut?

Pranvera Kasami :Janë shumë. Një mbulesë me dhjetëra shtresa. Duke filluar nga mendësia dhe paragjykimet, që janë një pengesë shumë serioze. Më pas nga mosbesimi që burrat kanë te ato – ku logjikisht mund dhe të thoni: e çfare ju duhet kjo? – Ju duhet, për sa kohë proceset janë kryesisht në dorë të vetë popullsisë meshkuj. Dhe këtu në veçanti mbështetja nga burrat në rolet vendimarrëse brenda vetë partive. Keni dëgjuar të ketë forum burrash në struktura partiake? Ndërkohë që të gjitha kanë forum grashë. Kjo flet vetë si fakt. Aty janë dhe disbalanci i obligimeve shtëpiake me të cilat si rrjedhojë e normave tradicionale, ballafaqohen thuajse vetëm gratë. Dhe në fund edhe vetëbesimi – duke qënë në rol pasiv për një kohë të gjatë, edhe vetëbesimi te gratë në shume raste mungon, ose është i lëkundur.

KDP: Vitet e fundit kemi pare një rritje të pjesëmarrjes së grave në politike, ndonëse e ndikuar prej kuotës së përcaktuar.  Çfarë të mirash dhe dobishë mendoni se ka sjellë kjo rritje e pjesëmarrjes për shoqërinë, sidomos për shoqërinë shqiptare?

 Pranvera Kasami: Padyshim që rritja e pjesëmarrjes së gruas sjell vetëm të mira në të gjitha hallkat e shoqërisë. Jam optimiste se kur do të shënohet një rritje më signifikante e këtillë, me automatizem do të ketë ulje të korrupsionit, krimit. Do të ketë rritje të kualitetit në përfaqësim, sepse konsideroni që gjysma e popullsisë i takojnë gjinisë femërore, normalisht që kur gjysmën e popullsisë e ke të papërfaqësuar nuk mund të presësh kualitet sepse nuk ka dhe konkurrencë të mjaftueshme. Shoqërisë shqiptare i duhet urgjentisht një fuqizim më i madh i gruas, sepse kjo drejtpërdrejtë ndikon në brezin e ri i cili duhet të jetë konform trendeve globale me shanse të hapura drejt botës së zhvilluar.

KDP: Si i vlerësoni ndryshimet e ndodhura në shoqërinë shqiptare përgjatë këtyre viteve të fundit në raport me rolin e gruas në shoqëri? Nesë ka patur përmirësime, në cilat drejtime janë vërejtur ato? A janë vërejtur përkeqësime në ndonjë drejtim të caktuar?

Pranvera Kasami: Nëse merret shoqëria shqiptare në përgjithësi, ku kemi dy shtete në të cilat gruaja përfaqësohet aq mirë dhe bindshem në politike, atëhere po ka një progres të shënuar. Kjo sjell dhe në motivimin dhe të asaj pjese të shoqerisë shqiptare në Maqedoni, ku si shembuj pozitivë për referim merren ato të sipërpërmendurat. Mjafton që gruas t’i hiqet kompleksiteti se si grua nuk mund të zë X ose Y vendin e rëndësishëm në politikbërje sepse nuk është një burrë por është një grua. Kur kjo do të çrrënjoset nga mendësia jonë shoqërore dhe politike, çdo gjë do të jetë në rregull dhe gjërat do të bien në vendin e duhur.

Me përfaqësim me domethënës të gruas në politikë mund të vërehen vetëm përmirësime, përkeqësime nuk besoj se do të kishte nga ky faktor. Tjetërçka është pastaj se çdo përfaqësues , burrë apo grua, është një rast individual në vete dhe nuk mund të gjeneralizohet. Më pelqen nje citim nga Hillary Clinton “Kur grate marrin pjesë në politikë, efekti shpërndahet në gjithë shoqërinë. Gratë janë burimi më pak i përdorur në botë.”

 

Të fundit