E shtunë, 27 Korrik, 2024

EURODEPUTETJA: ZGJEDHJET NË SERBI NUK ISHIN AS TË LIRA AS TË NDERSHME

Deputetja e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon, ka deklaruar se zgjedhjet në Serbi, me gjithë zhvillimin pozitiv dhe pjesëmarrjen e lartë të votuesve, nuk ishin as të lira e as të ndershme. Ajo ka shkruar se është e papranueshme  fshirja e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe pamundësia e tyre për të votuar, – transmeton kdpolitik.com.

Në një reagim në Twitter, eurodeputetja Viola von Cramon, ka nënvizuar se Serbia do të ketë sërish parlament pluralist dhe të larmishëm, por krahas kësaj ka regjistruar një varg mangësish të vërejtura në zgjedhjet e së dielës ku fitoi Presidenti Aleksandar Vuçiq dhe partia e tij SNS. Ajo ka përmendur presione direkte mbi zgjedhësit e punësuar në sektorin publik, shpërdorim të medias dhe resurseve shtetërore, sulmin fizik kundër Pavle Grboviqit, një lideri opozitar serb, por edhe çështje të të drejtave themelore të riraportuara në Luginën e Preshevës. Eurodeputetja ndanë shqetësimin për ankesat e shqiptarëve etnikë të cilëve u është mohuar të votojnë për shkak të fshirjes nga regjistri civil në vendbanimet e tyre. Prandaj, thotë ajo ‘zgjedhjet në Serbi nuk ishin as të lira e as të ndershme’.

“Si një vend që synon të anëtarësohet në BE, Serbia duhet të respektojë para së gjithash të drejtat themelore. SNS në pushtet dhe presidenti Aleksandar Vuçiq fituan mandat të ri dhe vetëvetiu edhe detyrën për të rivendosur demokracinë dhe sundimin e ligjit si dhe të kuptojnë seriozisht procesin e integrimeve evropiane,’ – ka shkruar ajo. Von Cramon ka rikujtuar, po ashtu, se  Serbia duhet të harmonizohet plotësisht me sanksionet e BE-së kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, ose, siç tha ajo, do të mbajë pasoja serioze politike dhe ekonomike’ nëse dëshiron të vazhdojë rrugën e vet drejt BE-së,- njofton KDP.

Të fundit