E shtunë, 27 Korrik, 2024

MOSZGJIDHJA E KONTESTIT MUND TË SHFRYTËZOHET NGA “FOSILET” E RUSISË SË PUTINIT

Analistët politikë theksojnë se ky mund të jetë viti i zgjidhjes së kontestit me Bullgarinë. Sipas tyre, nëse do të ketë ngecje, kjo mund të shfrytëzohet nga “fosilet e Rusisë së Putinit” për ndikime tjera. Analistët vënë në dukje se procesi i anëtarësimit i nënkupton vlerat dhe standardet, por duhet të ketë parasysh edhe gjeopolitikën dhe përveç ndryshimit të metodologjisë duhet të ndryshohet edhe vendimmarrja. Pa Ballkanin Perëndimor, thonë ata, Europa do të jetë e paplotë. Protagonistë në bisedimet thonë se ka grupe në të dy vendet që punojnë kundër marrëveshjes.

Shkruan: Enis Shaqiri

Gjatë brifingut të mbajtur sot me ambasadorët e rregullt të vendeve anëtare të BE-së kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, fokusin e kaloi tek konteksti i krizës aktuale të sigurisë me luftën në Ukrainë, dhe nevoja që sa më shpejtë të zgjidhet konteksti me Bullgarin.
“Ne po kalojmë kohë dramatike për shkak të situatës tragjike në Ukrainë dhe agresionit brutal të Rusisë kundër një vendi tjetër evropian që ka shkaktuar një numër të madh vdekjesh, mjerim dhe dhimbje për qytetarët e saj. Mendimet tona sot janë me miqtë tanë ukrainas, të cilët meritojnë vëmendjen, mbështetjen dhe angazhimin tonë më të madh”, tha Kovaçevski.
Ndryshe, Kovaçevski theksoi se Maqedonia e Veriut, si një vend kandidat i besueshëm, u bashkua dhe ndau përgjegjësinë e saj 100 për qind duke u përafruar me politikat e BE-së në përgjigje të agresionit ushtarak rus.
Pra është shumë e domosdoshme për Maqedoninë e Veriut, tha ai, që të zhvillohen konferencat e para ndërqeveritare dhe të fillojnë negociatat e anëtarësimit të vendit dhe të Shqipërisë tani, gjatë presidencës franceze me BE-në.
“Pra për Maqedoninë e Veriut, një  procesi i vonuar i integrimit në BE është një burim i cenueshmërisë sistematike, efektet e të cilit përhapen në të gjithë rajonin, ndërsa aktorët keqdashës e shfrytëzojnë lehtësisht dhe me shkathtësi”, potencoi Kovaçevski.
Analisti politik, Qenan Aliu thekson se Bashkimi Evropian në 10 vjetëshin e fundit strategjinë e integrimit e debatoi me tempo të ulët dhe të ngadalësuar dhe në një fare mënyre ishte si selektues ndaj disa shteteve.
“Bashkimit Evropian dekadën e fundit, siç duket politikën dhe strategjinë e integrimit e debatoi me tempo të ngadalësuar dhe si burokratë u sollën në një farë mënyre si selektuese ndaj disa shteteve. Pra, pa Ballkanin Perëndimorë Evropa do të mbetet e paplotë në disa dimensione, andaj duhet ndryshuar jo vetëm metodologjia, por edhe procesi i vendimmarrjes të jetë më pragmatik, në të kundërtën Evropa do të duket si një oazë e bukur që synojmë të gjithë, por rrugëtimi i gjatë lëndon shpresën”, thekson Aliu.
Mes tjerash Aliu nënvizoi se, për të qenë pjesë e BE-së duhen vlera, interesa gjeopolitike dhe strategjike.
“Gjithsesi integrimi kërkon vlera dhe standardet, por interesat gjeopolitike, gjeostrategjike dhe siguria duhet të jenë mbi burokracinë dhe bërrylat e shteteve të kësaj familje të madhe që historikisht e targetojmë të gjithë”, thotë Aliu.
Në lidhje me target grupet të cilat punojnë që të mos arrihet kompromis me Bullgarin, ish-kryeministri i Maqedonisë dhe përfaqësues special në negociatat me Bullgarinë, Vllado Buçkovski, thotë se është e mundur marrëveshje midis Shkupit dhe Sofjes gjatë presidencës franceze me BE-në, por ka grupe në të dyja vendet të cilat punojnë që të mos gjendet një marrëveshje.
“Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut mund të arrijnë marrëveshje gjatë presidencës franceze me Bashkimin Evropian. Klima për negociata tani është më e mirë. Ka mundësi për marrëveshje muajin e ardhshëm. Ekzistojnë grupe në Sofje dhe Shkup të cilat punojnë kundër kompromisit dhe marrëveshjes midis dy vendeve tona”, thekson Buçkovski.
Sipas tij, pesë diplomatët rusë të dëbuar nga Shkupi janë bërë gjithnjë e më agresivë në përpjekjet e tyre për ta parandaluar marrëveshjen midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe dëshirën e Shkupit për t’i filluar negociatat për anëtarësim në BE.
Nga ana tjetër  analisti politik, Selim Ibraimi, thekson se në qoftë se brenda këtij viti nuk kemi një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate me Sofjan problemet tjera që do të ngelin  të pazgjidhura me shumë gjasë do të mund të shfrytëzohen nga fosilet e Rusisë dhe aktorë tjerë në Ballkanin Perëndimor.
“Tash e tutje rruga si në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut është më e qartë dhe besoj se një zgjidhje e qëndrueshme dhe afatgjate do të gjendet këtë vit, në qoftë se në vendet përkatëse nuk dalin prioritete tjera. Por, nuk besoj, se do të zgjatet çështja, pasi shumë probleme tjera  që do të mbesin anësh dhe të pazgjidhura do të mund të shfrytëzohen nga fosilet e Rusisë së Putinit dhe aktorë tjerë në Ballkanin Perëndimor. Në  vijim nuk mendoj që pengesa tjera do të dalin në mes dy shteteve në qoftë se po të dyja kanë një cak të përbashkët. Ndryshe, garancitë do të kërkonin  garanci ku palët do të hynin në një rreth të zgjatjes së problemit. Ndërmjetësuesit këtë gjë e kanë parasysh dhe çështja është në rrugë e sipër për t’u rrumbullakuar pa zgjatje”, ka theksuar analisti Ibraimi.

 

Të fundit