E shtunë, 27 Korrik, 2024

SERBI: SHAIP KAMBERI KËRKON PËRSËRTJEN E ZGJEDHJEVE NË LUGINËN E PRESHEVËS

Shaip Kamberi që ka gjasë të jetë deputeti i vetëm shqiptar në legjislaturën e re të parlamentit të Serbisë, nga ‘Koalicioni i Shqiptarëve’, ka kërkuar të marten që, për shkak të shlyerjes së më shumë shqiptarëve nga listat zgjedhore, të përsëriten zgjedhjet në Luginën e Preshevës. Fjala është për ‘deligjitimim të procesit zgjedhor,’- transmeton KDP reagimin e Kamberit në rrjetet sociale.

Ja postimi i plotë i deputetit Shaip Kamberi në Facebook:
‘“Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës”  i përbërë nga Partia për Veprim Demokratik bashkë me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen e Progresit Demokratik mori 9.644 përkundër vështirësive të shumta me të cilat u përballë në këtë proces zgjedhor.

Zgjedhjet e fundit në Serbi të datës 3 prill u karakterizuan me pjesëmarrje të ulët të votuesve shqiptarë.

Pasivizimi i vendbanimeve të shqiptarëve që rezultoi me shlyerjen e tyre nga listat zgjedhore deligjitimoi procesin zgjedhor, sidomos në Luginën e Preshevës.

Shumë shqiptarëve i është pamundësuar e drejta elementare. E drejta për të votuar.  Kjo e bënë procesin zgjedhor jodemokratik. Zgjedhjet jo të lira. Prandaj zgjedhjet duhen të përsëriten në Luginën e Preshevës, duke zgjidhur paraprakisht çështjen e mohimit të së drejtës për të votuar për çdo qytetar të Luginës së Preshevës.

Me këtë rast, dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë qytetarët për kulturën e lartë politike që kanë shpërfaqur gjatë këtyre zgjedhjeve.

Përulje për të gjithë aktivistët në radhë të parë të Partisë për Veprim Demokratik dhe të partnerëve tanë politik – Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, që nuk kursyen asgjë prej tyre, gjatë kësaj fushate që më mbështeten pa rezervë. Me gjithë votat e marra ato akoma nuk janë garanci për të fituar një mandate,’ – transmeton KDP reagimin e liderit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Partitë shqiptare në Serbi në këto zgjedhje garuan me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare – me gjithsej 20 kandidatë.

Në zgjedhjet presidenciale të së dielës, sipas rezultateve paraprake, ka fituar presidenti aktual, Aleksandar Vuçiq, ndërkaq në ato parlamentare partia e tij, Partia Përparimtare Serbe.

Të fundit