E shtunë, 27 Korrik, 2024

NDËRKOMBËTARËT PËR REGJISTRIMIN: MIRË QË PAS 20 VITESH VENDI KA TË DHËNA PËR NDËRTIM TË POLITIKAVE ZHVILLIMORE  

Shkruan: Enis Shaqiri

 

Faktori ndërkombëtar ka pranuar rezultatet e regjistrimit duke përshëndetur mbarëvajtjen e procesit më të madh statistikor, i organizuar pas 20 vitesh pritjeje. Komisioni Evropian (KE) ka thënë se regjistrimi ishte sipas të gjitha standardeve, ku le të kuptohet se nuk i vë në pikëpyetje rezultatet dhe metodologjinë e regjistrimit në Maqedoninë e Veriut.

“Nuk i komentojmë këto pretendime. Siç është thënë në Raportin për Maqedoninë e Veriut prej vitit 2021, Ligji dhe Metodologjia, mbi të cilat janë bazuar përgatitja, organizimi dhe zbatimi i regjistrimit, janë harmonizuar me standarde relevante të definuara me legjislativën statistikore të Bashkimit Evropian”, deklaroi sot zëdhënësja Ana Pisonero.

Pisonero mes tjerash potencoi se Komisioni e përshëndeti faktin që vendi përfundimisht pas 20 vitesh e zbatoi regjistrimin, me ç’rast të dhënat e aktualizuara do të jenë kyçe për ndërtimin e politikave sociale, ekonomike dhe demografike në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Danilo Dolenc, ekspert ndërkombëtar i cili mori pjesë në të gjitha fazat e regjistrimit të vitit 2021, tha se regjistrimi në Maqedoninë e Veriut është bërë në formën më të avancuar dhe më moderne në krahasim me të gjitha vendet që kryejnë regjistrimin e popullsisë, duke mbledhur drejtpërdrejt të dhëna nga terreni.

“Kur flasim për zbatimin teknik të metodës së kombinuar, Maqedonia e Veriut është në krye të përvojës botërore për momentin”, shtoi ai.

Sipas tij, dy janë dokumentet kryesore më të rëndësishme për kryerjen e procesit të regjistrimit – i pari janë rekomandimet e UNECE-s për kryerjen e regjistrimit, dhe i dyti janë rregulloret e BE-së. “Rregulloret e BE-së nuk janë të detyrueshme për Maqedoninë e Veriut, sepse ajo ende nuk është anëtare e BE-së. Regjistrimi në Maqedoni në vitin 2021 është bërë në përputhje të plotë me këto standarde ndërkombëtare”, tha Dolenc.

Lidhur me reagimet pas publikimit të rezultateve të Regjistrimit, Dolenc në një intervistë për “Sloboden Peçat”, ka shprehur keqardhje që disa njerëz kundërshtojnë “regjistrimin plotësisht profesional, në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare, të kryer në Maqedoninë e Veriut”.

Dolenc punon me Entin Shtetëror të Statistikave që nga viti 2017, ku kanë filluar si tuining-projekt ndërmjet Sllovenisë, Italisë dhe Maqedonisë së Veriut, në të cilin kanë zhvilluar metodën e përdorur në Regjistrimin e vitit 2021.

Ndërsa profesoresha universitare, Besa Arifi, ka deklaruar se regjistrimi i fundit tregon se Maqedonia e Veriut është duke e humbur popullatën e vet

“Në bazë të të dhënave të cenzusit të fundit, rezulton që Maqedonia është duke e humbur popullatën e vet, ngadalë, por megjithatë është një trend i cili duhet analizuar, me qëllim për të bërë diçka në këtë drejtim, që vendi të bëhet më i jetueshëm për të rinjtë”, tha Arifi.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut zbatoi procesin e regjistrimit me dhjetë vite vonesë. Regjistrimi i fundit u zbatua në vitin 2002, kurse në vitin 2011 i njëjti u ndërpre shkaku i përplasjeve ndëretnike që shkaktoi. Sipas standardeve të Eurostat, çdo shtet duhet të zbatojë regjistrimin e popullsisë në vitin e parë të çdo dekade. Ndërmarrja e ardhshme statistikore e këtij lloji do të zbatohet në vitin 2031.

Sipas regjistrimit të fundit të vitit 2021, rreth 54% e popullsisë janë maqedonas etnik, 29% shqiptarë dhe 10% të etnive tjera. Afër 7% kanë refuzuar të regjistrohen dhe janë shtuar plotësisht në numrin e përgjithshëm.

Të fundit