E premte, 26 Korrik, 2024

THE NEW YORK TIMES: SERBIA ALEATE RUSE NË ZEMËR TË EVROPËS

E përditshmja e njohur amerikane The New York Times,  transmeton KDP, ka shkruar së fundmi për disponimin pro-rus në Serbi, mungesën e dhembshurisë për viktimat në Ukrainë dhe arsyet e një ndjenje të këtillë.

I vetëdijshëm për plagët e rënda të shkaktuara nga bombardimet e NATO-s në Serbi më shumë se 20 vjet më parë, ambasadori ukrainas Oleksandr Alexandroviç u shfaq në televizionin serb pasi Rusia pushtoi vendin e tij me shpresën për të provokuar keqardhje.

Megjithatë, në vend që të merrte kohë për të shpjeguar situatën në të cilën u gjend Ukraina, ambasadorit u detyrua të godiste analistët pro-rusë dhe të shikonte pamjet që tregonin presidentin rus Vladimir Putin duke e shpallur Ukrainën si djep të nazistëve.

Emisioni i cili u transmetua nga një televizion pro-qeveritar zgjati tre orë dhe më shumë se gjysma e kohës iu kushtua Putinit. I zemëruar nga prita në ajër, ambasadori iu ankua producentit për ushtrimin propagandistik të Kremlinit, por atij iu tha të mos e marrë si personale dhe se Putini ishte “i mirë për rejtingun e tyre”.

Fakti që lideri rus të cilin shumëkush në Perendim, përfshirë dhe presidentin amerikan Joe Biden e konsideron kriminel lufte, shërben  në Serbi si një ndjellës shikuesish, rikujton se Kremlini ka ende fansa në Evropë, – shkruan News York Timmes.

Ndërsa Gjermania, Polonia dhe disa vende të tjera të BE-së po tregojnë solidaritet me Ukrainën duke ngritur flamujt e këtij vendi në ambasadat e tyre në Beograd, mëhallat e afërta në kryeqytetin serb po i bëjnë homazhe Putinit.

Një mural i pikturuar në një mur në Beograd paraqet figurën e udhëheqësit rus me fjalën “vëlla”. Një pjesë e simpative ndaj Putinit mbështetet në imazhin e tij si një njeri i fuqishëm, një model ky tërheqës për presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin hungarez Viktor Orban. Përballë zgjedhjeve të së dielës, liderët serbë dhe hungarezë e shohin gjithashtu Rusinë si një burim të sigurt energjie për votuesit e tyre. Sondazhet tregojnë se edhe njëri edhe tjetri do të fitojnë.

Pastaj, këtu është historia, ose të paktën versioni i mitologjizuar i së kaluarës, që në rastin e Serbisë, përfaqëson Rusinë, popullin e krishterë sllav dhe ortodoks, si një mik dhe mbrojtës të palëkundur nëpër shekuj.

Por ndoshta roli më i rëndësishëm i Putinit është se disa kombe e shohin atë si një port të sigurt dhe politika e të cilit vërtitet rreth kultit të viktimës, ushqyer kjo nga mllefi dhe mohimi ndaj Perëndimit.

Ariana Gjan, një psikoterapiste nga Beogradi, tha se ishte e tronditur nga mungesa e dhembshurisë  mes shumë serbëve për vuajtjet e ukrainasve, por e kuptoi se shumë prej tyre kanë ende damkat dhe traumat e së kaluarës që ka fshirë çdo ndjenjë dhimbjeje për të tjerët.

“Disa që vuajnë trauma me të cilat nuk janë përballur kurrë nuk mund të ndjejnë dhembje,”-  tha ajo. Shoqëritë në të cilat individët nxjerrin trauma dhe vrragë, sipas saj, vetëm përsërisin të njëjtat rrëfime për vuajtjet e të tyre nga e para dhe nga e para. Një narativë e tillë “fshin çdo përgjegjësi” për atë që ata ua kanë bërë të tjerëve.

Ndjenja e të qenurit viktimë është e rrënjosur thellë në Serbi, duke pasur parasysh krimet e kryera nga të afërmit etnikë gjatë luftërave ballkanike të viteve nëtëdhjetë  të shekullit të kaluar. Në mënyrë të ngjashme, Putin e paraqet pushtimin e tij në Ukrainë si një përpjekje të drejtë për të mbrojtur rusët etnikë të persekutuar, të cilët i përkasin “botës ruse”.

“Bota ruse” e Putinit është një kopje e saktë e asaj që nacionalistët tanë e quajnë “Serbi e Madhe,” – tha gazetari dhe kolumnisti Bosko Jakshiq. Të dy ushqehen me histori pjesërisht të mbajtura mend të padrejtësive të kaluara dhe kujtime të fshira të mëkateve të tyre,- vlerëson gazetari.

Narrativa për viktimat është aq e fortë në Serbi sa Informer, një tabloid pro-qeveritar që shpesh pasqyron mendimet e Presidentit Vuçiq, raportoi muajin e kaluar mbi përgatitjet e Rusisë për pushtimin e Ukrainës me një titull që mbron Moskën: “Ukraina po sulmon Rusinë”.

Që atëherë, qeveria serbe i ka shtyrë mediat të mbajnë një qëndrim më neutral, tha Zoran Gavriloviq, drejtor ekzekutiv i ‘Birodija’, një grup i pavarur monitorues për mediat në Serbi. Rusia pothuajse nuk kritikohet kurrë, tha ai, por keqpërdorimi i Ukrainës është ulur.

Alexandroviç, ambasadori i Ukrainës në Serbi, tha se përshëndet ndryshimin e tonit, por se vazhdon të luftojë për t’i shtyrë serbët të shohin përtej vuajtjeve të tyre nga bombardimet e NATO-s në 1999.

“Për shkak të traumës nga ajo që ndodhi 23 vjet më parë, çfarëdo e keqe që të ndodhë në botë, faji bie mbi Amerikën,” – tha ai.

Hungaria, në aleancë me palën humbëse në dy luftërat botërore, ushqen gjithashtu një kompleks të madh të viktimës të rrënjosur në humbjen e pjesëve të territorit të saj. Orbán prej vitesh e ka shprehur me padurim këtë pakënaqësi, shpesh duke u anuar nga Rusia për shkak të Ukrainës, e cila kontrollon një pjesë të ish-vendit hungarez dhe që ka ardhur në shprehje në përpjekjet për t’u paraqitur si mbrojtëse e hungarezëve etnikë që jetojnë jashtë kufijve të vendit.

Në Serbinë fqinje, Vuçiq, duke dashur të shmangë tjetërsimin e votuesve pro-rusë përpara zgjedhjeve të tre prillit, refuzoi të vendosë sanksione kundër Rusisë dhe të pezullojë fluturimet midis Beogradit dhe Moskës. Por Serbia votoi rezolutën e OKB-së më dy mars që dënonte pushtimin rus.

Kjo mjaftoi që Vuçiq të marrë lëvdata nga Victoria Nuland, nënsekretarja amerikane, e cila falënderoi Serbinë “për mbështetjen ndaj Ukrainës”. Kjo nuk e pengoi ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov të propozonte Beogradin si vend për mbajtjen e negociatave të paqes midis Moskës dhe Kievit.

Serbët të cilët duan që shteti i tyre të hyjë në Bashkimin Evropian dhe pranojnë të vallëzojnë mes Lindjes dhe Perëndimit, e akuzojnë Vuçiqin se po luan një lojë të dyfishtë: “Po ndodhin ndryshime tektonike dhe ne po përpiqemi t’i lëmë në gjumë,” – tha Vladimir Medjak, nënkryetar i Lëvizjes Evropiane Serbia, një grup lobues që angazhohet për anëtarësim në BE.

“Serbia nuk është aq pro-ruse sa e urren NATO-n. Në vend se të shkojë drejt  Evropës, ne vazhdimisht flasim për atë që ndodhi gjatë viteve 1990,”- tha ai. Derisa një pesë e madhe e mediave botërore ishte fokusuar në rrethimin e qytetit ukrainas të Mariupolit, Serbia shënoi përvjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s. Ballinat ishin të mbushura me fotografi të ndërtesave dhe hekurrudhave të shkatërruara nga NATO. “Nuk  mund ta harrojmë. E dimë se si jetohet nën bombardime,’- është titulli i artikullit të një medie proqeveritare

Një grup i vogël demonstruzesish u mblodh para ambasadës së SHBA dhe më pas iu bashkua protestëve shumë më të mëdha proruse, me demonstrues të cilët  mbanin flamuj rusidhe transparemte të zbukuruara me shkronjën Z që ësjhtë bërë simbol i invadimit rus të Ukrainës.

Damnjan Knezheviq, udhëheqës i Patrullës Popullore, një grupim i krahut të djathtë ekstrem që organizoi tubimin, tha se ndjente solidaritet me Rusinë sepse ajo portretizohej si një agresore në Perëndim.

‘Rusia pati për detyrë të mbronte bashkëkombasit në Ukrainë, siç bëri Serbia në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë,’- tha Knezheviq.

Bosko Obradoviq, lideri i partisë “Dveri”, tha se i vinte keq për viktimat civile në Ukrainë, por këmbënguli se “NATO ka një përgjegjësi të madhe” për fatin e tyre. Obradoviq të dielën mblodhi mbështetës në një tubim parazgjedhor në Beograd. Në hyrje të sallës shiteshin bereta të parashutës serbe, kapele ushtarake dhe flamuj rusë.

Predrag Markoviq, drejtor i Institutit të Historisë Bashkëkohore në Beograd, tha se historia shërben si themeli i kombit, por se e shtrembëruar me axhendat politike “ofron përherë mësime të gabuara”. I vetmi rast që shteti në Evropë i pranoi plotësisht krimet e tij të së kaluarës, shtoi ai, ishte Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore.

“Të gjithë të tjerët kanë rrëfimin për viktimizimin,” – tha Markoviq.

 

Të fundit