E shtunë, 27 Korrik, 2024

ETNITË MË TË VOGLA KONTESTOJNË REGJISTRIMIN

Përfaqësues të etnive më të vogla kanë reaguar për procesin e regjistrimit. Ata kanë shfaqur pakënaqësi dhe kanë theksuar se nuk i pranojnë rezultatet. Në të njëjtën kohë kanë paralajmëruar ankesa dhe rrugë ligjore për kontestimin e rezultateve të regjistrimit. Ka raguar edhe Sofja zyrtare. Eurodeputeti, Andrej Kovaçev, ka theksuar se do të zbulohen të gjithë ata që kanë shtetësi bullgare

 Shkruan: Enis Shaqiri

Pas rezultateve të publikuara nga regjistrimi i popullsisë, së fundmi reagime ka pasur edhe nga komuniteti romë, turk,  njëjtë edhe nga boshnjakët. Ata nuk janë të kënaqur me rezultatet e regjistrimit, ndërkohë që pretendojnë se janë shumë më tepër.
Numri i përgjithshëm i qytetarëve të regjistruar, pra popullsi rezidente, 58, 44% janë maqedonas, 24,3% janë shqiptarë, 3,86% janë turq, 2,53% janë romë, 1,3% janë serbë, 0,47% janë vllehë dhe 0.87% janë boshnjakë.
Këshilli Koordinues Kombëtar i Regjistrimit të Turqve të Maqedonisë së Veriut ka shprehur pakënaqësi në lidhje me procesin e regjistrimit, duke theksuar se nuk do t’i pranojnë rezultatet dhe se do t’i përdorin ankesat dhe të drejtat ligjore në këtë drejtim.
“Nga fillimi i regjistrimit deri më sot, me të gjithë mekanizmat demokratikë i kemi ndjekur prej së afërmi zhvillimet në terren. Në të gjithë platformat e theksuam qartë faktin se regjistrimi i popullsisë është çështje mbipartiake. Në çdo mundësi e ritheksuam rëndësinë, vlerën dhe pasojat e regjistrimit të popullsisë, i cili ka domethënie jetike për të ardhmen e vendit”, thuhet në reagim.
Këshilli, i përbërë nga të gjithë organizatat joqeveritare turke, partitë politike , si dhe nga intelektualë, akademikë dhe opinionbërës turq nga vendi, kanë shprehur pakënaqësitë në lidhje me të gjitha mangësitë e regjistrimit,dhe se të gjitha institucionet kompetente vendase si dhe përfaqësitë e misioneve të huaja në vend janë informuar për problemet, dhe shqetësimet e lartpërmendura.
Sipas reagimeve nga komuniteti rom të dhënat nga ky regjistrim i kryer nuk do të njihen nga popullata rome. Sipas tyre, në krahasim me komunitetet e tjera, duke përjashtuar shqiptarët etnikë, romët kanë shtimin natyror më të lartë eksponencial. Përveç të dhënave për lindjet rome, të dhënat për romët në sistemin arsimor tregojnë mesatarisht 15,000 nxënës romë gjatë një viti shkollor. Duke marrë parasysh faktin se rreth 5000 romë nuk janë pjesë e procesit arsimor për arsye të ndryshme, rezulton se në vend kemi rreth 20000 fëmijë romë të moshës shkollore.
Nga ana tjetër, edhe partia më e madhe boshnjake, Lidhja Demokratike e Boshnjakëve (LDB), ka shprehur dyshimet e saja për rezultatet e regjistrimit. LDB pohon se ka dëshmi personale të qytetarëve, të cilët janë regjistruar sipas supozimeve për përkatësinë e tyre fetare dhe etnike.
LDB shton se kanë paralajmëruar për lëshimet dhe kanë paralajmëruar gjithashtu se do të dalin nga koalicioni qeveritar, por u është premtuar se regjistrimi do të kryhet në mënyrë korrekte dhe me të gjitha rregullat.
“Lidhja Demokratike e Boshnjakëve si parti politike dhe në fillim të procesit të regjistrimit, ka shprehur dyshimet e saja në rregullsinë e vet procesit dhe disa parregullsi tjera. Për fat të keq, ankesat tona dolën të vërteta. Të dhënat nga regjistrimi për ne janë të papranueshme sepse vazhdimisht punojmë në terren dhe e dimë gjendjen faktike reale. Vërejtja jonë është në qasjen e regjistrimit. Kemi dëshmi personale të qytetarëve të cilët janë regjistruar sipas supozimeve për përkatësinë e tyre fetare dhe etnike. Më pas, qytetarët nuk kishin mundësi njëkohësisht të kryejnë kontroll mbi të dhënat e tyre që janë shënuar në kompjuter. Më pas kishte dhe probleme teknike me aplikacionin për regjistrim në diasporë. Boshnjakët që jetojnë në diasporë, numri i tyre është shumë më i madh”, pohojnë nga LDB.
Nga ana tjetër drejtori i Entit Shtetëror për Statistika, Apostol Simovski thekson se shifrat nga regjistrimi janë reale, mirëpo është normale që të ketë reagime.
“Nëse do të kishte një problem të vogël për respektimin e standardeve, unë nuk do të isha pjesë e këtij institucioni për një kohë të gjatë dhe do të kisha dhënë dorëheqjen, sepse synimi ishte kryerja e një regjistrimi cilësor. Kam qenë një statistikës për më shumë se 30 vjet. Ne kemi tregues realë. Qëllimi nuk është të tregohen gjendjet e dëshiruara, por ashtu siç janë. Nëse nuk janë të mira, duhet të bëjmë përpjekje që të ndërtojmë politika realiste dhe gjëra më të mira”, tha Simovski
Ndërsa analistët janë optimist dhe theksojnë se është jokorrekte të sfidohet procesi i Regjistrimit.
Analisti politik Ibrahim Mehmeti hodhi poshtë akuzat e partive opozita mbi regjistrimin e popullsisë. Në “Top Tema” në Telma, Mehmeti tha se kanë krijuar përshtypjen se ata vetë nuk besojnë në argumentet që paraqesin.
“Nëse duam të jemi një vend i vërtetë, duhet t’i ulim pak këto topa sepse kjo krijon dyshime dhe pastaj pyesim veten pse qytetarët kanë mosbesim, sidomos për çështje kaq të ndjeshme etnike”, tha Mehmeti.
Ndryshe reagime kemi edhe nga Sofja zyrtare, eurodeputeti Andrej Kovaçev nënvizon se do të zbulohen të gjithë ata që kanë shtetësi bullgare. Ai thekson se ka insistuar vazhdimisht për ndryshimin e Ligjit për shtetësinë bullgare, dhe se marrja e shtetësisë bullgare nga origjina nuk mund të jetë një akt sekret.
“Të gjithë e dinin se cilat ishin rezultatet “zyrtare” të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni. 3504 qytetarë kanë guxuar të regjistrohen si bullgarë.Të gjithë ata që kanë marrë nënshtetësinë bullgare nga origjina duhet të deklarohen. Kështu publikohen në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Gjermani apo Francë, pra të jesh shtetas bullgar vullnetarisht pasi të provosh origjinën tënde bullgare dhe të firmosësh një deklaratë se ndihesh bullgar nuk është sekret apo gjë e turpshme,” ka theksuar Andrej Kovaçev.

Sipas eurodeputetit bullgar, marrja e shtetësisë “kërkon një ceremoni ose të paktën një foto përpara stemës dhe flamurit”.

Të fundit