E hënë, 20 Maj, 2024

SELADIN XHEZAIRI: PARTITË POLITIKE – DALËZOTËSE TË NDËRRIMIT TË POZITËS SË SHQIPTARËVE

Pas publikimit të rezultateve të regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, analistët dhe njohësit e proceseve në atje, kanë dyshime se numrat e publikuar nga Enti Shtetëror i Statistikave (EShS), mund të jenë manipuluar si një lloj kompromisi mes faktorëve politikë në vend, përcjell KDP.

Shqiptarët edhe pse kishte pritje se do të jenë më shumë në përqindje në vend, doli se janë vetëm 29.52 për qind e popullsisë së Maqedonisë së Veriut. Nga ana tjetër edhe pretendimet e maqedonasve se ata përbëjnë 60 për qind të popullsisë, doli të mos jenë të tilla. Ata sipas publikimit të EShS-së përbëjnë 54.21 për qind të popullsisë.

Opozita e konteston edhe këtë regjistrim ka thënë Ratkoceri, duke shtuar se rezultati i EShS-së është në bazë të pritjeve tek shqiptarët, kurse ajo që për maqedonasit bie në sy është “numri ndër 60 për qind”.

Kryeredaktori i Klubit të Debatit Politik (kdpolitik.com), Seladin Xhezairi, ka thënë se rezultatet e regjistrimit të popullsisë “deri-diku” ofrojnë një pasqyrë reale për numrin e banorëve, po të krahasohen me ato të censusit të para 20 vjetëve, apo edhe të atij të fillim-viteve nëntëdhjetë (1994) kur raporti ishte 66.5 për qind maqedonas kundrejt 22.9 për qind shqiptarë.

“Natyrisht se do të mbeten dilemat për përqindjen e shqiptarëve që doli nga ky operacion i politiziuar dhe jo vetëm statistikor: u regjistruan të gjithë apo jo, pati ndonjë pazar nën rrogoz apo regjistrimi reflekton braktisjen e vendlindjes”, ka shtruar ai disa dilema.

Përtej kësaj, Xhezairi është i bindur se me këtë përqindje të shqiptarëve është për t’u pritur që realiteti ndëretnik në Maqedoninë e Veriut të dinamizohet në sensin e përshkallëzimit të kërkesës për ndryshimin e Kushtetutës dhe heqjen e atij ‘pragut të 20 përqindëshit’ që për palën maqedonase është përcaktues dhe kufizues për më shumë të drejta.

Ai ka shtuar se “shqiptarët, ‘për nga përqindja’ dolën pa shqetësime në kryeqytetin e vendit, në Shkup, por edhe në Krushevë e Veles që, pavarësisht kritikave e vërejtjeve që mund të dëgjohen e do të dëgjohen, provojnë se shqiptarët në këtë vend mbeten hisedarë”.

“Natyrisht u mbetet partive politike të jenë dalëzotësit e kësaj hiseje që nuk është se nuk mohohet nga qarqe e institucione të ndryshme maqedonase”, ka thënë Xhezairi për Albanian Post.

Një burim i Albanian Post brenda qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ka thënë se për numrat e pasqyruar nga Enti i Shtetëror i Statistikave, ka pasur një lloj “dakordance” mes faktorëve politik maqedonas dhe atyre shqiptarë që janë në pushtet, për të mbajtur gjendjen aktuale (ndarjen e pushteteve sipas kuotave etnike) të qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore.

Sepse, sipas këtij burimi, ndryshimi i numrave të popullsisë mbi baza etnike, determinon, përkatësisht thellon, në favor të shqiptarëve pushtetin, e kjo pa një dakordancë me faktorin maqedonas mund të sillte ndryshime të shpejta të pushtetit.

Të mërkurën e 30 marsit, Drejtori i EShS-së, Apostoll Simonovski, ka thënë se “Popullsia e regjistruar është 2 milion e 97 mijë e 319 qytetarë”.

“Popullsi rezidente janë 1 milion e 836 mijë e 713 qytetarë, ndërsa 206 mijë e 606 janë jorezidentë”.

Nga 2 milion e 97 mijë e 319 qytetarë të regjistruar, 54.21 për qind ose 1 milion e 137 mijë e 30 janë deklaruar maqedonas, 619 mijë e 187 ose 29.52 për qind shqiptarë, 3.98 për qind turq, 2.36 romë, 1.18 serbë, 0.87 boshnjakë dhe 0.44 vllehë, thuhet ndër të tjera në paraqitjen e raportit të EShS-së mbi regjistrimin e popullsisë.

Sa i përket popullsisë jorezidente, shqiptarët përbëjnë komunitetin më të madh me 66.36 për qind ose 172 mijë e 942 pasuar nga maqedonasit me 63 mijë e731 qytetarë ose 24.45 për qind.

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, maqedonasit janë komuniteti më i madh sipas raportit të EShS-së me 58.71 për qind, pasuar nga shqiptarët me 22.85 për qind, ndërsa komuniteti i tretë më i madh në kryeqytet janë romët me 3.51 për qind.

Nëse krahasohet regjistrimi i popullsisë i vitit 2002 me regjistrimin e fundit, del se në 2002-shin kanë qenë 1 milion e 297 mijë e 981 maqedonas, ndërsa në numrin e përgjithshëm për vitin 2021 rezulton se janë 1 milion e 137 mijë e 30, përkatësisht 160 mijë e 951 qytetarë maqedonas më pak.

Kurse shqiptarët, sipas numrit të përgjithshëm të popullsisë të vitit 2002, rezulton të kenë qenë 509 mijë e 83, ndërsa në regjistrimi e fundit janë gjithsej 619 mijë e 187, që i bie 110 mijë e 104 shqiptarë më shumë.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka thënë se regjistrimi popullsisë është i pakompletuar dhe se sa po të ndryshon pushteti, do të bëhet statistikë e re dhe operacion real.

Opinionistë të ndryshëm shqiptarë, kanë thënë se numri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është shumë më i lartë, krahasuar me rezultatet e EShS-së.

Gjithashtu, reagime ka pasur edhe nga komunitetet tjera.

Këshilli koordinues kombëtar i regjistrimit të turqve të Maqedonisë së Veriut ka shprehur pakënaqësi në lidhje me procesin e regjistrimit të popullsisë në vend, duke theksuar se nuk do t’i pranojnë rezultatet e tij dhe se do t’i përdorin të drejtat ligjore përfshi edhe ankesat në këtë drejtim. Ky këshillë ka thënë se edhe gjatë procesit të regjistrimit kishin dhënë vërejtjet e tyre lidhur me mangësitë e procesit, por edhe për metodologjinë e regjistrimit.

Reagime ka pasur edhe nga komuniteti bullgar, ku kanë thënë se përqindja e prezantuar e këtij komuniteti është në shpërputhje të thellë me realitetin, duke iu referuar dhënies së pasaportave bullgare.

 

Të fundit