E premte, 26 Korrik, 2024

ESHS: REGJISTRIMI KA REZULTUAR I SUKSESSHËM

Maqedonas 54.21%, shqiptarë  29,5%, turq 3.98 %, romë 2,36%, serbë 1,18%, boshnjakë 0,87%  dhe vlleh 0,44%. Popullsia e përgjithshme është 2 097 319 persona. Popullsi rezidente janë 1.836.713 qytetarë. Popullsi jorezidente janë 260.606. Kështu thonë të dhënat e regjistrimit të popullsisë, që u publikuan sot, në një eveniment solemn, të organizuar nga Enti Shtetëror i Statistikave, në objektin e Filarmonisë në Shkup.

Shkruan: Gentuar Ismaili

Nga Enti Shtetëror i Statistikave thanë se regjistrimi ka rezultuar i suksesshëm edhe pse në të nuk janë regjistruar 132 260 persona. Ndërsa tregojnë vështirësitë të cilat i kanë pasur gjatë realizimit të këtij procesi statistikor.

“Ne kemi realizuar regjistrim në rrethana shumë të rënda. E para, ishte muaji shtator, vera e zgjatur, qytetarët i shfrytëzonin ditët e nxehta që të kalojnë pushime.  Nëpër shtëpitë që nuk kemi gjetur askënd kemi lënë porosi se kanë qenë regjistruesit, numrin e telefonit që të ju paraqiten. Një pjesë e madhe e qytetarëve këtë e kanë shfrytëzuar, e disa jo. Pastaj, ka pasur punë intensive në arë, bujqit kanë punuar deri në orët e vona të mbrëmjes. Ka pasur Covid, shumë persona ishin të frikësuar, refuzonin të hapnin derën si dhe shumë rrethana të tjera, deklaroi drejtori i ESHS-së Apostoll Simovski.

Kreu shtetëror në pritje të rezultateve

“Shtyrja e regjistrimit në muajin prill na ka kushtuar 500 000 euro për shkak se e gjithë makineria e regjistrimit ishte vënë në punë, ndërsa shtyrja e regjistrimit ka ndodh në fund muajit mars, një ditë para fillimit të regjistrimit në terren. Në fund, të gjitha aktivitetet e regjistrimit i kemi kryer në buxhetin e planifikuar dhe madje kemi kthyer 900 000 euro në buxhet. I gjithë procesi i regjistrimit çdo qytetari të vendit i ka kushtuar nga 4 euro”, deklaroi zëvendës drejtori i ESHS-së Elmi Selami.

Sa i përket përkatësisë fetare,  46,14% janë deklaruar si ortodoksë,  32,17% si myslimanë dhe 0,37 si katolikë. Numri i ekonomive familjare është 598 632, ndërsa numri i banesave është 839 174. Sipas numrit të banorëve, komuna më e vogël është e Zernovcit me 2 086 banorë, ndërsa komuna më e madhe është ajo e Kumanovës me 98 104 banorë.

Nga popullsia e përgjithshme, del që  50.4% janë femra dhe 49.6% janë meshkuj. Mosha mesatare e popullisë është 40 vjeç.

Në muajt në vazhdim do të publikohen edhe fazat e tjera të regjistrimit, për karakteristikat arsimore dhe ekonomike të popullsisë, strehimin, familjet, aftësinë e kufizuar.

Të fundit