E enjte, 20 Qershor, 2024

Ukraina dëbon diplomatë bjellorusë

Ministria e Jashtme e Ukrainës ka kërkuar nga Bjellorusia që të shkurtojë në pesë numrin e diplomatëve në ambasadën e saj në Kiev.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Oleh Nikolenko, i tha Radios Evropa e Lirë më 24 mars, se ky vendim ishte përgjigje ndaj një vendimi të ngjashëm të ndërmarrë nga Minsku një ditë më parë.

Qeveria bjelloruse tha më 23 mars se do të mbyllë Konsullatën e Përgjithshme ukrainase që gjendet në Brest, dhe urdhëroi një numër të paspecifikuar të diplomatëve ukrainas të largohen nga ambasada në Minsk, teksa Bjellorusia vazhdon t’i ndihmojë forcat e armatosura ukrainase në sulmet e tyre kundër Ukrainës.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme bjelloruse, Anatol Hlaz, tha se ambasadori ukrainas dhe katër punëtorë të ambasadës do të lejohen të qëndrojnë në Bjellorusi, ndërsa pjesa e tjetër e stafit do të detyrohet të largohet nga vendi.

Ai tha se ky vendim është marrë për shkak të “veprimeve të shumta jomiqësore të Ukrainës” të kryera ndër vite “me qëllim që të prishen raportet ndërshtetërore” me Bjellorusinë.

Një ditë para këtij vendimi, Shërbimi i sigurisë i Bjellorusisë tha se të paktën dhjetë punëtorë të Ambasadës ukrainase – pothuajse gjysma e stafit të këtij misioni – ishin “anëtarë të drejtorisë së inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës” dhe pretendoi se ata ishin të përfshirë në “rekrutimin e agjentëve dhe mbledhjen e informacioneve të klasifikuara”.

Më 19 mars, Bjellorusia thirri që të ktheheshin të gjithë anëtarët e stafit të Ambasadës në Kiev, që nxiti spekulime se Bjellorusia po përgatitej që të dërgonte trupa në Ukrainë për të ndihmuar forcat e armatosura ruse.

Bjellorusia e ka ndihmuar pushtimin e presidentit rus, Vladimir Putin, duke lejuar që trupat ruse të shfrytëzojnë territorin bjellorus për të nisur sulme ndaj Ukrainës.

Të fundit