E shtunë, 27 Korrik, 2024

Si e ka ndryshuar partneritetin Kinë-Rusi lufta në Ukrainë?

Që prej të shtënave të para në orët e hershme të 24 shkurtit, Kina ka mbajtur një linjë të çuditshme të mbështetjes së pushtimit të Ukrainës nga Moska, teksa ka tentuar që ta distancojë veten nga shkatërrimi që ushtria ruse ka shkaktuar.

Më 4 shkurt, presidenti kinez, Xi Jinping, u takua me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Pekin në margjinat e Olimpiadës, teksa dy liderët sinjalizuan për thellim të partneritetit të tyre, duke thënë se raportet midis dy shteteve të tyre “nuk kanë kufi” pasi nënshkruan një dokument masiv strategjik.

Por, një muaj pas nisjes së luftës në Ukrainë, partneriteti midis Rusisë dhe Ukrainës është duke u testuar.

Sanksionet e ashpra perëndimore kanë gjymtuar ekonominë e Rusisë dhe e kanë vendosur Kremlinin nën presion të paparë në aspektin ndërkombëtar. Pekini ka shmangur që t’i ofrojë Moskës shpëtim politik ose ekonomik, por Kina po ashtu ka ofruar mbulesë diplomatike për partneren e saj dhe media e saj shtetërore ka shtyrë përpara narrativin e njëjtë të Rusisë rreth pushtimit tek audienca e saj brenda dhe jashtë vendit.

Cilat janë gjasat që Kina ta ndihmojë ushtarakisht Rusinë?

Kjo e ka lënë Perëndimin që të përqendrohet gjithnjë e më shumë në rolin e paqartë të Kinës në mes të krizës, e cila pritet të rritet, ndërsa presidenti amerikan, Joe Biden, më 24 mars nisi një udhëtim katërditor në Evropë.

Në samitet dhe takimet me NATO-n, G7-n dhe Bashkimin Evropian, Biden pritet të rrisë presionin ndaj Rusisë lidhur me pushtimin dhe të krijojë një front të përbashkët me Evropën karshi Kinës, përpara një samitit të BE-së me presidentin kinez, Xi, që do të mbahet më 1 prill.

Uashingtoni e ka paralajmëruar Pekinin kundër ofrimit të ndihmës ndaj Rusisë dhe liderët evropianë shpresojnë që ta shtyjnë Kinën që të veprojë në mënyrë konstruktive dhe të ndihmojë që t’i jepet fund luftës së përgjakshme.

Por, sa thellë e ka ndryshuar lufta në Ukrainë partneritetin në rritje të Kinës dhe Rusisë?

Për të kuptuar më shumë, Radio Evropa e Lirë ka pyetur gjashtë ekspertë se çfarë na ka mësuar një muaj luftë për natyrën e raporteve Pekin-Moskë dhe në cilin drejtim po shkojnë këto raporte.

Raporti Xi-Putin vështirë se do të prishet

 

Steve Tsang
Steve Tsang

Steve Tsang, drejtor i Institutit të Kinës në Universitetin SOAS në Londër

Kina dhe Xi u befasuan nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, jo pse ndodhi, por pse u bë aq keq.

Si një besimtar i vërtetë i superioritetit të sistemeve të tyre autoritare, Xi padyshim mendoi se Rusia do të fillonte sulmet “kirurgjikale” ose do të përdorte presion shtrëngues që Putini të depërtonte në Kiev pa dëmtuar marrëdhëniet thelbësore të Kinës me Ukrainën. Dështimet ruse deri më tani i kanë dëmtuar interesat e Kinës dhe e kanë zvogëluar respektin kinez për Putinin dhe Rusinë.

Edhe kur pushtimi rus u shndërrua në një rrëmujë, Kina mund të kishte përfituar duke marrë një rol paqeruajtës.

Nëse Xi do të mund ta bindte Putinin që t’i japë fund konfliktit, ai do të fitonte famë ndërkombëtare dhe do të bënte që Kina sërish të dukej mirë. Edhe nëse ai do të dështonte, Pekini do të kishte mundur të fitonte ndonjë mirënjohje ndërkombëtare për përpjekjet e tij.

Por, Kina as që u përpoq, pavarësisht deklaratave të saj për neutralitet dhe dëshirën e shprehur që konflikti të përfundojë shpejt. Diplomatët profesionistë kinezë mund ta shohin vlerën e këtij opsioni, por ata nuk mund ta bindin presidentin Xi për këtë.

Realiteti është se politika e Kinës diktohet nga Xi dhe ai mbështet Putinin. Lejimi që një burrështetas leninist të dështojë, mund të nxisë sfida për autoritetin e tij në Kinë. Xi, po ashtu, ndan zotimin e Putinit për ta bërë botën e sigurt për autoritarizmin dhe për të sfiduar udhëheqjen globale të SHBA-së. Kjo nënkupton se ne nuk mund të presim që Kina të luajë një rol konstruktiv në Ukrainë, pasi fokusi i presidentit Xi nuk është gjëja më e mirë për botën apo Kinën, por ajo se çfarë është më e mira për të si burrështetas i Kinës.

Shikoni veprimet e Kinës, jo fjalët e saj

Ryan Hass, bashkëpunëtor në Institutin Brookings në Uashington, njëherësh ish-drejtor për Kinën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Supozimet e para të Pekinit për përfitimet e mundshme që Kina mund të nxjerrë nga pushtimi rus i Ukrainës, çdo ditë po bëhen më pak të qëndrueshme.

Në fillim, shumë strategë në Pekin thuhet se besonin se pushtimi i Rusisë do të devijonte fokusin amerikan në Evropë. Ata supozuan se pesha e luftës do të ulte fuqinë amerikane dhe do të dëmtonte unitetin transatlantik. Ata gjithashtu prisnin që Rusia do të bëhej më e izoluar dhe më e varur nga Kina, duke i dhënë Pekinit levën që të nxjerrë përfitime nga koncesionet e Moskës, ashtu siç ishte rasti pas pushtimit rus të Krimesë më 2014./ REL

Të fundit