E shtunë, 27 Korrik, 2024

SHTRENJTIM “MARRAMENDËS” I PLEHRAVE ARTIFICIALË

Kohëve të fundit ka ngritje enorme të çmimit të plehrave artificialë. Për disa lloje kemi rritje të çmimit për 150 për qind. Ekspertët thonë se kjo vjen për shkak të burimeve energjetike, ndërkohë që parashikojnë që për shkak të luftës në Ukrainë  të ketë rritje tjera çmimesh. Sipas tyre, struktura ekonomike e Maqedonisë së Veriut ka shkallë të lartë të varësisë nga resurset që vijnë pikërisht nga ky rajon. Bujqërit, ndërkohë janë ankuar për çmimet e plehrave artificialë, por edhe për cilësinë e tyre.

Shkruan: Enis Shaqiri

Plehrat mund të ndihmojnë për të bërë ndryshime fitimprurëse në bujqësi. Mirëpo gjatë dy viteve të fundit bujqësia në rajon, vend dhe  Rajonin e Pollogut po ballafaqohet me një ngritje marramendëse të çmimeve të plehrave artificale.
Dekani i Fakultetit të Bujqësis dhe Bioteknologjis pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës,dhe njëkohësisht pronar i farmacisë bujqësore, Alirami Saliji thotë për KDP se ka ngritje të çmimeve të plehrave artificiale, posaçërisht të plehrave azotik, ku kemi një rritje prej 150 për qind, ndërsa te plehrat kompleks kemi rritje prej 100 për qind të çmimit. Sipas tij, kjo rritje e çmimit është si rezultat i burimeve energjetike në përgjithësi, por edhe i pandemisë kovid19.
“Ndërsa mbi produktet mbrojtëse të bimëve të njohura ndryshe si pesticide nuk ka ndonjë ngritje të theksuar ne krahasim me vitin e kaluar, përveç 2-3 produkteve. Ngritja e çmimeve vërehet te materiali përcjellës që përdoret në bujqësi si folia e bardhë dhe ajo e zezë, rrjetet e ndryshme dhe amballazhet (thasët), ku vërehet një rritje prej 30-40 përqind. Po ashtu rritje kemi edhe te fara për mbjellje diku 20-30 përqind. Krejt këto ndryshime do të ndikojnë në formimin e çmimit final të një prodhimi bujqësor, që si pasojë do të rrisë shportën mujore të shpenizmeve të një familje”, thotë Saliji.
Ai po ashtu thekson se fakti që Rusia është përfshirë në konflikt, do të krijojë sitauta ende të vështira dhe të palakmueshme në ngritjen e mëtutjeshme të çmimeve tek plehrat artificial. Sipas tij, kjo do të ndodh sepse Rusia është prodhues kyç i energjisë në përgjithësi, por edhe i plehrave artificial në veçanti.
Agresioni rus në Ukrainë vetëm në ditët e para ka ndryshuar në mënyrë drastike çmimin e grurit për ton nga 280 në 308 dollarë. Me luftën në Ukrainë, çmimet e të gjitha mallrave u rritën ndjeshëm në tregjet botërore, përfshirë naftën, gazin natyror dhe arin.
Nga ana tjetër eksperti i ekonomisë, Abdylmenaf Bexheti, nga aspekti ekonomik thotë se e gjithë bota është më e stërlodhur për të mos thënë e raskapitur pas pandemisë dyvjeçare të koronavirusit  dhe këtyre pesë-gjashtë muajve të krizës energjetike.

“Viti 2020 në aspekt ekonomik ishte pothuaj tragjik dhe me recesion global të lartë. Përpjekjet e rikuperimit ekonomik gjatë vitit 2021 gjeneruan norma relativisht të larta të rritjes ekonomike, por akoma jo për të mbuluar rritjen negative të vitit paraprak, pra edhe në 2022 hyjmë me rezultat ekonomik negativ në raport me fundin e vitit 2019. Përtej kësaj, si rezultat i ndërhyrjeve të larta fiskale, pothuajse në gjithë botën u rrit borxhi publik global mbi 10 për qind dhe aktualisht në BE ai shkon në mesatare mbi 100 përqind të PBB-së. Edhe ne ishim pjesë e këtyre trendeve”, thotë Bexheti.

Sipas tij, kriza ruso-ukrainase, pos aspekteve të tjera negative, e gjeti botën edhe ekonomikisht shumë më të dobët dhe bile me potencial të shpenzuar dhe me hapësirë shumë më të vogël fiskale. Tani, në rastin e Maqedonisë së Veriut, thotë Bexheti, ndikimi ekonomik do jetë i konsiderueshëm dhe krejt kjo në varësi nga përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës. “Struktura ekonomike e Maqedonisë ka shkallë të lartë të varësisë nga resurset që vijnë pikërisht nga ky rajon. Maqedonia ka bilanc energjetik dhe ushqimor , drithërat bazike që balancohen me rreth 40 përqind importe vjetore”, thotë Bexheti.
Bujqërit dhe tregtarët në Tregun e Tetovës rritjen dramatike të çmimeve e quajnë goditje të qëllimshme ndaj fermerëve.Ata poashtu ankohen edhe për cilësinë e produkteve që marrin.
“Lëre se po paguajm shtrejtë, por edhe na ofrojnë cilësin e klasit të fundit, gjë që gjatë kultivimit të mëtejshëm hasem në shumë vështirësi, deri tek prishja e produktit”, thotë një banor nga fshati  Xhepçish i Tetovës.

Të fundit