E premte, 26 Korrik, 2024

BAMIRËSI E PËRKUSHTUAR PËR FAMILJET NË NEVOJË

Kriza ekonomike tashmë ka goditur shumë familje në nevojë.  Një numër i madh i këtyre familjeve kanë gjetur përkujdesjen dhjetëra shoqatave humanitare, të cilat po përpiqen që të zbusin goditjet e kësaj krize. Përfaqësues të organizatave të bamirësisë theksojnë se si në çdo sferë dhe në çështjet sociale, kriza ekonomike ka ndikimin e vetë. Në rrethana të tilla, thonë ata, kur rritet numri i nevojtarëve dhe zvogëlohet numri i donatorëve, është jashtëzakonisht e nevojshme që kauzat që këto shoqata përfaqësojnë të aktualizohen nëpër mediume dhe të vijë në shprehje roli fondamental që këto organizata kanë, sidomos gjatë muajit që pason

Shkruan: Fatjona Abdullahi

Pas një periudhe thuajse 3-vjeçare të sfidës globale me COVID-19, goditja e radhës që po i bëhet njerëzimit, është kriza ekonomike si pasojë e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.

Gjendja e rënduar në ekonominë botërore nuk e lë të paprekur as Ballkanin dhe vendet me ekonomi më pak të zhvilluar, pjesë e të cilave është Maqedonia e Veriut. Standardi jetësor i qytetarëve është prekur dukshëm nga kjo krizë ekonomike, e cila në rast se nuk do të menaxhohet me funksionalitet nga kapacitetet ekonomike të vendit, nuk do të mund të amortizojë pasojat akute dhe sidomos ato afatgjata, në ekonominë e vendit.

Rritja e çmimeve të karburantit dhe energjisë elektrike si dhe zvogëlimi i rendimentit ushqimor, janë kërcënim për jetën e qytetarëve sidomos pas një kohe tranzicioni nga atmosfera e pandemisë e cila nuk kaloi pa i lënë gjurmët e veta në xhepin e qytetarit. Por, derisa çmimet rriten, papunësia është “në lulëzimin e saj” dhe disproporcioni mes të hyrave dhe shpenzimeve është dukshëm i madh, çfarë ndodh me familjet nevojtare, të cilat pa dyshim se “nuk janë të diskriminuara” nga kriza ekonomike në vend?

Me nocionin familje në nevojë, popullata këtu nuk është e pamësuar as në gjendje normale dhe të zakonshme, sepse dallimet ekonomike janë të thelluara në shoqërinë tonë edhe kur vendi nuk është në krizë. Andaj, si nevojë e dalë nga atmosfera e përgjithshme, janë themeluar dhjetëra shoqata humanitare në rajon, të cilat operojnë në funksion të grupeve të prekura nga inflacioni, nga varfëria, papunësia dhe nga pamundësia për t’u integruar në shoqëri si pjesë e barabartë e saj.

Vetëm në Tetovë dhe rrethinë, janë aktive dhjetëra organizata bamirësie të cilat, resurset njerëzore i kanë të vetmin sistem funksional në aktivitetet që zhvillojnë përgjatë gjithë vitit, ndërsa në periudha të caktuara me intensitet edhe më të madh. Kemi kontaktuar disa nga këto organizata për të diskutuar rreth gjendjes nga e cila kushtëzohet veprimtaria e tyre me karakter humanitar.

Nga shoqata humanitare “Agimi i bamirësisë” në Tetovë, pohojnë se si në çdo sferë, edhe në çështjet sociale, kriza ka ndikimin e saj.

Përgjegjësi i shoqatës, Visar Xhaferi shprehet se “Fillimisht është rritur numri i atyre të cilët kërkojnë ndihma kurse nga ana tjetër kutitë ushqimore nga 30 euro që janë përgatitur më parë tani kushtojnë 35 ose 40 euro për nevojtarët, varësisht se çfarë artikujsh ushqimorë vendosen nëpër kutitë ushqimore nga ushqimet bazë. Më parë ka qenë më lehtë si në numër sa kanë kërkuar ndihma si në aspektin financiar të mbulimit të ndihmave si për iftaret gjatë sofrës së Ramazanit ashtu edhe për kutitë ushqimore…”

Ai konsideron se në rrethana të tilla, kur rritet numri i nevojtarëve dhe zvogëlohet numri i donatorëve, është jashtëzakonisht e nevojshme që kauzat që këto shoqata përfaqësojnë të aktualizohen nëpër mediume dhe të vijë në shprehje roli fondamental që këto organizata kanë, sidomos gjatë muajit që pason: “Tani në këtë Ramazan ose në këtë periudhë kohore kur çmimet kanë dallim të madh për ta përballuar numrin e kërkesave duhet sforcim më i madh në prezantimin e projekteve në rrjetet sociale, nëpër portale në media, ose në komunikim me donatorët në mënyrë më masive për të na ndihmuar që të mos lëmë dikë pa ndihmuar apo duke i ndarë nevojtarët jo nga niveli i varfërisë por nga pamundësia për t’u ndihmuar”, thotë Visar Xhaferi.

Parë nga një këndvështrim pak më optimist, aktivisti i shoqatës humanitare “Foleja e jetimit” Shkumbin Arifi, shprehet se “‘Foleja e jetimit’ është shoqatë humanitare që e orienton aktivitetin e saj në mbështetjen materiale të jetimëve dhe familjeve të tyre, por edhe të individëve të tjerë nevojtarë që kanë vështirësi ekonomike në sigurimin e materialeve ushqimore dhe joushqimore. Kriza financiare nuk ka pasur ndikim direkt në burimet njerëzore, ekonomike dhe në funksionalitetin e shoqatës sonë. Kjo për shkak të angazhimit vullnetar më dinamik të strukturave udhëheqëse dhe aktivistëve, të cilët në mënyrë të vazhdueshme punojnë në sensibilizimin e të tjerëve për rëndësinë e donacioneve. Me thellimin e krizës ekonomike, në mënyrë proporcionale është rritur edhe aktiviteti vullnetar në kuadër të shoqatës ,e cila ka rezultuar që funksionalizimi të jetë i njëjtë. Madje nga dita në ditë shënohet ngritje e produktivitetit të shoqatës ,ngritje e cila nuk zhvillohet konform pritshmërive. Është ngritje e vazhdueshme, mirëpo e ngadaltë”  

Ndryshimet që vijnë me trazirat e ekonomisë botërore, mund të jenë në njëfarë forme një thirrje për unifikim kundrejt një problemi që nuk është i lokalizuar dhe i orientuar vetëm në shoqërinë tonë, por që ne si popull e kemi të mirënjohur edhe për faktin se grupet e  familjeve në nevojë gjithmonë i kemi pasur në numër të konsiderueshëm. Megjithatë, kur çdo familje rrezikon statusin e vet social dhe ekonomik, ndjeshmëria bëhet më e madhe dhe si rrjedhojë edhe solidarizimi është më evident.

“Krizat ekonomike mund edhe të kenë ndikim pozitiv në ngjalljen e empatisë dhe solidaritetit mes njerëzve sepse e kuptojmë më mirë njëri-tjetrin përderisa kalojmë përvojat e njëjta të vështira. Kjo rezulton me gatishmëri më të lartë që të mirat materiale te shkëmbehen dhe të ndahen me njëri-tjetrin”, thotë Shkumbin Arifi, aktivist i shoqatës “Foleja e jetimit” në Tetovë.

Situata nuk është shumë shpresëdhënëse, në organizatën që aktivitetet e saj i ka të shtrira në qytetin e Kumanovës dhe në Veles. Koordinatori i degës së Velesit, Tefik Durmishi jep detaje për vështirësitë me të cilat janë përballur si shoqatë, në kohën e pandemisë dhe më vonë.

“Shoqata jonë “Busulla e bamirësve” është themeluar në vitin 2018, me qendër në Kumanovë, e më pas edhe si degë e saj u përhap edhe në qytetin e Velesit, nën kujdesin e kryetarit të kësaj shoqate, Egzon Iljazi, nga Kumanova dhe me koordinator për  Veles, nga vetë unë. Kjo shoqatë lindi nga nevojat e tepërta të njerëzve, veçanërisht gjatë këtyre dy vjetëve të pandemisë, ku kërkesat janë rritur dukshëm, sa që ka ardhur edhe deri te mospasja e mjeteve materiale e financiare për t’u dalë në ndihmë nevojtarëve. Aktivitetet e kësaj shoqate janë reduktuar, ngase nuk përputhen kërkesat me mundësitë tona financiare. Kjo shoqatë kujdesej me produkte ushqimore, mjete higjienike e veshmbathje për familjet në nevojë.”

Jo rastësisht, përshkrimi i aktiviteteve të shoqatës jepet në kohën e shkuar. Gjendja e përgjithshme ekonomike dhe sidomos rëndimi i saj nga dy goditjet e fundit që njihen tashmë, siç duket e ka pamundësuar funksionalitetin e kësaj shoqate e me këtë edhe kontributin që donatorët mund të jepnin përmes saj, në rast se kushtet ekonomike do të ishin më të favorshme. “Së fundmi aktivitetet e shoqatës në rrethinën e Velesit, janë zvogëluar dukshëm, sepse rritja e çmimeve ka rritur dhe kërkesat e shumta që i adresohen shoqatës, deklaron Tefik Durmishi, koordinator për degën e Velesit.

Në rrethana të tilla kur relievi ekonomik-social pëson transformimet më drastike të viteve të fundit, mbetet e nevojshme që përpos mirëmenaxhimit dhe vënies në funksion të kapaciteteve kompetente për rikuperim nga gjendja e krizës, hapi i dytë më i rëndësishëm është ndërgjegjësimi për situatën dhe problematikat me të cilat, individë, familje apo grupe të caktuara ballafaqohen në përditshmërinë e tyre. Thënë më mirë, në kohë krize, duhet kthyer pak vëmendja drejt atyre që nuk kanë një periudhë kohore kritike, por kanë një të ardhme të tërë në krizë… Kështu që, kontributi i gjithsecilit si pjesëtar i shoqërisë duhet të orientohet në aktualizimin dhe theksimin e problemeve me të cilat ndeshen qytetarët dhe përqendrimi duhet të jetë në rrafshimin e dallimeve të stërmëdha ekonomike dhe në vënien e ekulibrave që i nevojiten një shoqërie për të funksionuar normalisht.

 

Të fundit