E shtunë, 25 Maj, 2024

Analiza: Inflacioni dhe çmimet rekord në botë, ku nuk merret parasysh lufta në Ukrainë

Çmimet e prodhimit të produkteve komerciale u rritën mesatarisht me 25.9 përqind në shkurt në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Kjo ishte rritja më e lartë që nga fillimi i matjeve në vitin 1949“, kumtoi Zyra Federale e Statistikave të hënën.

Çmimet e prodhimit shihen si pararendës i zhvillimit të inflacionit. Në statistika shënohen çmimet e produkteve që nga porta e fabrikës – pra edhe para se produktet të përpunohen ose shiten më tej. Sipas statisticienëve, arsyeja kryesore e rritjes së madhe të çmimeve të prodhimit është prapë energjia. Çmimi i energjisë është rritur në shkurt me një mesatare prej 68 përqind. Gazi natyror ka kushtuar 125,4 përqind më shumë se në shkurtin e vitit 2021. Energjia elektrike dhe vaji për ngrohje janë rritur me 56,9 përqind.

Lufta në Ukrainë

Nëse nuk përfshihet në përqindje rritja e çmimit të energjisë, atëherë çmimet e prodhimit janë rritur me rreth 12.4 përqind më shumë se një vit më parë. Çmimet e gjërave ushqimore janë rritur me 9.2 përqind. Çmimet e vajrave bimore janë rritur 50,1 përqind, gjalpit me 64,4 përqind dhe kafeja 16,9 përqind. Rritje të larta ka pasur edhe për metalet, plehrat dhe ambalazhet prej druri.

“Zhvillimet aktuale të çmimeve nuk kanë përfshirë edhe pasojat e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës”, thotë autoritetet e statistikave. Llogaritjet e këtyre çmimeve janë bërë me 15 shkurt, pra para fillimit të luftës.

Që nga sulmi rus në Ukrainë më 24 shkurt 2022, çmimet e energjisë, plehrave dhe ushqimeve si gruri dhe vaji i lulediellit kanë vazhduar të rriten, me pasoja shkatërruese në veçanti për vendet në zhvillim.

Në ndërtimtari mungojnë gjërat elementare

Duke pasur parasysh luftën dhe sanksionet që kanë lidhje me luftën, industria gjermane e ndërtimit paralajmëroi madje se mund të arrihet deri tek ndërprerja e ndërtimeve në Gjermani. “Nuk mund të themi me siguri sot, nëse do të ketë material të mjaftueshëm për të gjitha kantieret e ndërtimtarisë në Gjermani”, tha të premten menaxheri i përgjithshëm i Shoqatës kryesore të Industrisë Gjermane të Ndërtimit (HDB), Tim Oliver Müller.

Ndërkohë janë ndërprerë edhe dërgesat e gjërave elementare si gozhdat apo vidat, të cilat mungojnë për shkak të sanksioneve. Si pasojë e luftës, ditët e fundit ka pasur rritje të mëdha të çmimeve edhe për çelikun, aluminin dhe lëndën e parë bitum, që kërkohet për prodhimin e asfaltit. Ndaj furnizuesit me materiale nuk bëjnë më asnjë ofertë detyruese për këto materiale. “Në disa raste, çmimet garantohen vetëm për disa orë. Prandaj është e pamundur të llogariten dhe të dorëzohen ofertat si më parë,” thotë Müller.

Të prekur gati të gjithë

Shumica e kompanive gjermane po i vërejnë tani efektet e luftës në Ukrainë, drejtpërdrejt ose tërthorazi. Në një anketë të Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë (DIHK), për të cilën javën e kaluar u anketuan 3700 kompani, 78 përqind prej tyre deklaruan se ishin të prekura nga kjo luftë. Vetëm 22 përqind nuk kanë ndjerë deri tani asnjë pasojë të luftës dhe sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë.

Rezultatet për industrinë janë veçanërisht alarmante, tha drejtori i përgjithshëm i DIHK, Martin Wansleben. Dy nga tre kompani gjermane deklarojnë se janë të detyruara që çmimet t’ua faturojnë klientëve. “Këtu ka një potencial shtesë inflacioni.” Tre të katërtat e kompanive industriale kanë probleme në logjistikë dhe në zinxhirët e furnizimit, pothuajse 90 përqind raportojnë mungesë të lëndëve të para dhe produkteve paraprake. Importet e rëndësishme nga Rusia për industrinë gjermane përfshijnë aluminin, nikelin dhe titanin. Sipas një sondazhi në industrinë metalike dhe elektrike, 69 përqind e të gjitha kompanive presin rritje të kostos dhe pothuajse gjysma prej tyre presin humbje të dukshme në shitje dhe fitime, raporton Shoqata e punëdhënësve Gesamtmetall.

Deutschland ehemaliger Bunker der Bundesbank in Cochem

Rënia më e madhe se ajo nga pandemia?

Shefi ekzekutiv i shoqatës, Oliver Zander, paralajmëroi nga ndalimi i blerjes së naftës dhe gazit rus, me qëllim që Rusia të dëmtohet dhe të tregohet solidaritet me Ukrainën. “Ndalimi i blerjes së naftës dhe gazit rus do të shoqërohej me pengesa të furnizimit të llojit më të rëndë dhe nuk do të ishte ekonomikisht i qëndrueshëm”, tha Zander. Shumë vende pune do të humbnin. “Ne ndoshta tashmë mund të supozojmë se situata aktuale dhe sanksionet aktuale do të çojnë në një rënie ekonomike që do t’i afrohet Coronës, por ndoshta edhe do ta tejkalojë atë.”

Instituti i Kielit për Ekonominë Botërore (IfW) nuk pret që çmimet të normalizohen për momentin. “Norma e inflacionit këtë vit, me rreth 5.8 përqind, mund të jetë më e lartë se kurrë më parë në Gjermaninë e ribashkuar,” thotë parashikimi aktual. Nëse çmimet e gazit rriten me 50 përqind krahasuar me një vit më parë, e mundur është edhe një normë inflacioni prej më shumë se gjashtë përqind./ DW

Të fundit