E enjte, 30 Maj, 2024

Ukraina refuzon ultimatumin rus për dorëzimin e Mariupolit

Ukraina hodhi poshtë një ultimatum rus për të dorëzuar qytetin e rrethuar të Mariupolit të hënën, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, tha se është gati për negociata paqeje me presidentin rus, Vladimir Putin

Ukraina hodhi poshtë një ultimatum rus për të dorëzuar qytetin e rrethuar të Mariupolit të hënën, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, tha se është gati për negociata paqeje me presidentin rus, Vladimir Putin.

Zëvendëskryeministrja ukrainase, Irina Vereshchuk, hodhi poshtë kërkesën ruse dhe tha se Rusia duhet të hapë korridore humanitare, që civilët të mund të largohen nga Mariupoli.

“Nuk mund të flitet për ndonjë dorëzim, apo dorëzim të armëve. Ne e kemi informuar tashmë palën ruse për këtë”, tha zonja Vereshchuk për gazetën “Ukrainian Pravda”.

Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve RIA, ministria ruse e Mbrojtjes i dha ushtrisë së Ukrainës një afat deri para agimit të së hënës dhe iu referua refuzimit për t’u dorëzuar si rreshtim me “banditët”.

Ultimatumi u bë disa orë pasi presidenti Zelenskyy i tha rrjetit CNN në një intervistë të transmetuar të dielën se dështimi për të arritur një marrëveshje të negociuar me Rusinë “do të thoshte se kjo është një Luftë e tretë Botërore”.

Presidenti Zelenskyy bëri thirrje për bisedime gjithëpërfshirëse për paqe me Moskën me të cilat do të rivendosej, siç tha ai, tërësia tokësore dhe do të sigurohej drejtësi për Ukrainën. Negociatori kryesor i Rusisë tha se palët janë më afër marrëveshjes që Ukraina të heqë dorë nga qëllimi i saj për t’u anëtarësuar në NATO.

Presidenti Zelenskyy i tha rrjetit CNN se forcat ruse hynë në Ukrainë: “për të na shfarosur, e vrarë”, por ai tha se Ukraina nuk do të hiqte dorë nga sovraniteti apo integriteti i saj.

“Rusët kanë vrarë fëmijët tanë. Nuk mund ta kthejmë pas atë që ka ndodhur. Nuk mund të kërkosh nga Ukraina të njohë disa territore si republika të pavarura. Këto kompromise janë thjesht të gabuara”, tha presidenti Zelenskyy./VOA

Të fundit