E premte, 26 Korrik, 2024

EKSKLUZIVISHT PËR KDP, OLENA MASHINTSOVA: JAM E FRIKËSUAR PËR VDEKJE NËN BOMBARDIMET, DUKE U LUTUR PËR JETËN

Po lexojmë rreth luftës nëpër rrjetet sociale, i shohim bombardimet në lajme prej shtëpisë tonë, por nuk mund ta paramendojmë se çfarë do të thotë të bashkëjetosh me vdekjen. “Jam e frikësuar për vdekje, nën bombardime, duke u lutur për jetën”- këto janë fjalët e ukrainases Olena Mashintsova, profesoreshë dhe zëvendës drejtuese e zyrës për marrëdhënie ndërkombëtare në universitetin shtetëror të Kharkivit, V.N.Karazin, të shqiptuara dhimbshëm në një intervistë ekskluzive për KDP.  Ajo aktualisht jeton në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë, i cili gjendet në rajonin verilindor të Ukrainës, aty ku bombardimet janë mjaft të rënda. Ajo është një rusishtfolëse dhe në intervistën për KDP thotë se “askush nuk mund t’i mbulojë vrasjet me fjalë të bukura”. “Ne do ta fitojmë këtë luftë pavarësisht gjithçkaje”, thotë ajo

 Intervistoi: Valmisa Novi

KDP: Si është situata në Ukrainë dhe veçanërisht në Kharkiv?

Olena Mashintsova: Po jap pikëpamjen time rreth luftës ruse.
Nuk është “aksion ushtarak” dhe nuk është “kriza ukrainase”. Është gjaku dhe vdekja e njerëzve të mi, janë lotët dhe jetët e thyera të mijërave personave, është terror, duar dhe zemra që dridhen prej çdo zhurme, është frika e thellë për mirëqenien tende kur pret në radhë për ushqim, janë mendimet konstante nëse predha e radhës është drejtuar për ty. Janë qytetet e shkatërruara dhe të fshira nga faqja e dheut, qytete si Izum, ku kanë jetuar prindërit e mi. Për mua është një pushtim brutal i një shteti sovran, lufta që nisi herët në mëngjesin e 24 shkurtit. Mund të prezantohet dhe kamuflohet me fjalë më të përshtatshme, por është një masakër ndaj civileve ukrainas. Prej 23 ditësh qëndroj e ulur në bodrumin e ndërtesës së apartamentit tim. Dita fillon herët sepse dua ta shfrytëzoj sa më shumë dritën e diellit. Me shenjat e para të muzgut, energjia elektrike fiket; perdet e dritareve mbyllen, sikurse tani që jam duke shkruar. Pjesa më e vështirë për mua ishte të shikoja njerëzit që largoheshin me nxitim nga Kharkiv, duke vrapuar përpara dhe mbrapa drejt makinës së tyre, duke marrë vetëm gjërat e nevojshme. Humbisja pjesë nga shpirti im duke parë njerëzit që largoheshin në grupe nga 4-5 makina. I pashë kur largoheshin dhe më mbështolli paniku, frika po më mbyste. Pothuajse gjithë njerëzit në ndërtesën time u larguan, njëri pas tjetrit. Fëmijët dhe nipërit e mi (9 dhe 2) u larguan nga qyteti në javën e parë të luftës. Bashkëshorti im dhe unë qëndruam për shkak të nënës time. Ajo mezi ecën, nuk mund ta përballojë udhëtimin.
Brenda një dite nuk kishte as ushqim, as ilaçe, as punë e as të ardhme. Vetëm bombardime. Dikush nga Rusia më thotë prej televizionit se ata janë duke luftuar kundër gjenocidit që ukrainasit po ushtrojnë ndaj rusishtfolësve. Unë jam një person rusishtfolës, dhe jam e frikësuar për vdekje, nën bombardime, duke u lutur për jetën, dhe jo ata.
Kharkivi im i dashur shtrihet nën rrënoja. E shikoj prej mediave sociale. Kam shumë frikë të dal përjashta. Ka vetëm sirena, zjarre, tym dhe mbeturina. Jam ende në shok. Pikërisht tani ka bombardime, shpërthimet janë aq të forta saqë xhamat e dritareve po dridhen. Ndihem kaq e pambrojtur, e pashpresë, e vogël. Por kur dëgjoj se e gjitha kjo është “për të sjellë lirinë në Ukrainë”, “për të rivendosur drejtësinë”, më mbërthen një valë e madhe zemërimi. Dëshiroj që të më dëgjojnë të gjithë: askush nuk mund t’i mbulojë vrasjet me fjalë të bukura!!

KDP: Si ka ndryshuar jeta jote që prej 24 shkurtit?

Olena Mashintsova: Sinqerisht ndihem sikur nuk po jetoj më. Është mbijetesë…
Mëngjesi fillon duke ju shkruar mesazhe miqve të mi, për të kontrolluar nëse janë gjallë. Halla ime ka tre ditë që nuk më përgjigjet. Ajo jeton në zonën ku ka predha të shumta.
Më pas përgatis mëngjesin, duke marrë parasysh të gjitha ushqimet që ndodhen në frigorifer. Deri tani kemi rezerva ushqimore dhe para të kursyera por nuk i dihet çfarë na pret më pas. Për të blerë ilaçe ose ushqime duhet të presësh 2-3 orë në radhë për të hyrë në dyqan. Jam duke u kujdesur për nënën time: për ta ushqyer, për t’u përkujdesur, për t’i dhënë ilaçet. Jam e lidhur pas telefonit tim. Lexoj lajmet në çdo faqe të mundshme dhe veçanërisht faqet lokale për të mësuar se çfarë ndodh në Kharkiv. Ndonjëherë ndihem keq, sikur po helmohem. Kohët e fundit po lexoj shumë dokumente analitike, po ligjërata, dua të kuptoj PSE? Dhe më pas vjen nata. Nuk mund ta shpreh mjaftueshëm sesa e frikësuar jam prej netëve. Është një frikë e thellë dhe pothuajse shtazore kundrejt natës. Për të ndaluar dridhjet e duarve dhe shtrëngimet e dhëmbëve të shkaktuara nga frika duhet të pi ilaçe qetësuese. Ndihmon për ta kaluar natën.

KDP: Si po e përjetoni ju personalisht këtë luftë, a është familja juaj e sigurt?

Olena Mashintsova: Si mund ta përjetojë luftën një njeri i zakonshëm, me një karrierë të suksesshme, një punë interesante, me plane për pushimet verore, që ka për zakon mbledhjet familjare gjatë ditëve të diela… Për sigurinë, tani për tani mund të them se jam e sigurt, por për një minutë bomba ruse që supozohet “të shkatërrojë objektiva ushtarakë” mund të godasë ndërtesën time dhe do ngelem nën gërmadhë. Në Kharkiv ka 600 ndërtesa banimi të shkatërruara. Për momentin nuk ka vend të sigurt në Ukrainë. Pashë kërpudhat e bombave vakum, kur po qëndroja në radhë për në farmaci, u ndodha nën një avion ushtarak ndërsa ishte duke shtënë, pashë ndërtesat e universitetit pas sulmeve të natës.

KDP:A është e mundur për njerëzit të largohen nga vendi? A mundet ju të largoheni nga vendi?

Olena Mashintsova: Ishte e mundur të largohesh nga Kharkiv, është akoma e mundur të largohesh por me rrezikun tënd. Nuk ka garanci se mund t’ia dalësh.

KDP:A ka rezerva ushqimore të mjaftueshme për ta përballuar këtë situatë të vështirë? A ka furnizim të rregullt me ushqim?

Olena Mashintsova: Nëna ime e ka përjetuar urinë dy herë gjatë jetës së saj. Me aq sa mbaj mend, gjithmonë kemi mbajtur rezerva ushqimore në shtëpi: sheqer, kripë, drithëra, miell, konserva mishi dhe perime turshi. Më përpara bëja shaka me nënën time, por tani jo më. Rezervat e ushqimeve na ndihmuan të jetonim gjatë javëve të para, kur predhat hidheshin pa pushim. Tani është rivendosur logjistika e furnizimit me ushqim. Dyqanet punojnë me orar të shkurtuar, disa orë në ditë.

KDP: Cili është këndvështrimi juaj personal rreth luftës?

Olena Mashintsova: Unë kam një besim të fortë se ka mjaftueshëm metoda diplomatike për të trajtuar konfliktet. Lufta nuk është zgjidhja për një konflikt. Lufta sjell më tepër probleme, më shumë konflikte të pazgjidhura dhe urrejtje. Historia e njerëzimit është shembull i gjallë i saj.

KDP: Cili është këndvështrimi juaj personal rreth politikës ruse?

Olena Mashintsova: Kjo është një pyetje shumë emocionuese për mua tani. Dua të bërtas me të madhe nga dhimbja ime, dhimbja e mijërave grave ukrainase, dua që gjithë pikëllimi të bjerë mbi kokat….e KUJT?
Dje, në Moskë kishte një festë të madhe për luftën ruse në një stadium, para disa ditësh pashë grupime që shprehnin mbështetje ndaj Rusisë nga serbët në Beograd. A i uroj të keqen këtyre njerëzve? Sigurisht që jo. Të gjithë kanë arsyet e tyre për të bërë atë që duan, të mbështesin këdo që duan të mbështesin. Ajo mbetet në ndërgjegjen e tyre. Nuk ka rëndësi se çfarë lloj arsyesh të mira mund të japë dikush për të mbuluar veprimet e djallit, ato gjithmonë do të mbeten veprime djallëzore.

KDP: Si është fryma/morali i përgjithshëm i ukrainasve?

Olena Mashintsova: Morali tani është shumë i lartë dhe i konsoliduar. Edhe njerëzit që kanë qenë në opozitë, ose që kanë pasur dyshimet e tyre rreth qeverisë ukrainase dhe rrugës së zhvillimit në të cilën ishte e drejtuar Ukraina, tani jemi të gjithë të bashkuar. Ne do ta fitojmë këtë luftë pavarësisht gjithçkaje. Të vazhdosh të luftosh për 27 ditë ushtrinë e cilësuar si më e madhja në botë – është një fitore.

KDP:Sipas perspektivës tuaj, sa do të vazhdojë kjo luftë?

Olena Mashintsova: Mendoj se do të varet nga veprimet e BE-së dhe të lojtarëve të tjerë të mëdhenj politik në botë. Ukraina është vend me interes jetik për Rusinë, jo për BE-në, jo për SHBA-në. Dhe, kam frikë se Rusia e Putinit po planifikon ta shkatërrojë Ukrainën vetëm për të treguar dhe frikësuar botën. Është një politikë e madhe imperialiste.

Duke e falënderuar Olenën për intervistën e dhënë, vetëm dy fjalë më vijnë në mendje “Slava Ukraini!”

 

Të fundit