E diel, 16 Qershor, 2024

Rusia vazhdon sulmin ndaj qyteteve të Ukrainës

Rusia vazhdon sulmin ndaj qyteteve të Ukrainës ndërsa agresioni i saj është në javën e katërt. OKB-ja thotë se 10 milionë njerëz janë zhvendosur deri tani brenda dhe jashtë Ukrainës. Presidenti amerikan Joe Biden udhëton në Evropë këtë javë për t’u takuar me aleatët për të diskutuar mbi krizën

Rusia vazhdon sulmin ndaj qyteteve të Ukrainës ndërsa agresioni i saj është në javën e katërt. OKB-ja thotë se 10 milionë njerëz janë zhvendosur deri tani brenda dhe jashtë Ukrainës. Presidenti amerikan Joe Biden udhëton në Evropë këtë javë për t’u takuar me aleatët për të diskutuar mbi krizën.

Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi këto imazhe të avionit të saj luftarak SU-35 në veprim, ndërsa një zëdhënës i ministrisë tha se Rusia lëshoi një tjetër raketë hipersonike me rreze të gjatë veprimi mbi atë që ai e cilësoi si një objektiv ushtarak ukrainas. Ky ishte sulmi i dytë i tillë në dy ditë.

Kjo vjen një javë pasi zyrtarët ukrainas thanë se forcat ruse shkatërruan një teatër ku ishin strehuar qindra njerëz dhe ku ishte shkruar në rusisht “fëmijë” përpara dhe mbrapa ndërtesës.

Një përfaqësues i Ministrisë së Jashtme ruse e quajti akuzën “gënjeshtër”.

Pohimi i zyrtarit rus, është në kontradiktë me atë që mjekët në Mariupol shohin përditë në përpjekjet e tyre për të shpëtuar jetë njerëzish.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, tha se bllokada ruse e Mariupolit “do të hyjë në listën e krimeve të luftës që po kryen Moska”.

“Shtetet e Bashkuara, përmes presidentit dhe aleancës së NATO-s, janë plotësisht të përkushtuara ndaj përpjekjes së ukrainës për të ndaluar Putinin. Ai po ndërmerr veprime të dëshpëruara tani, duke vrarë civilë dhe fëmijë të pafajshëm. Ai do të ketë përgjithmonë një emër të njollosur në histori për këtë”, tha senatori Dick Durbin.

Shefi i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi, postoi në Twitter këtë javë se lufta në Ukrainë deri tani ka zhvendosur rreth 10 milionë njerëz, gati një-të-katërtën e popullsisë.

Miliona të tjerë presin çdo ditë ndihmë nga Perëndimi.

“Presidenti duhej të nxitej që të vinte aty ku është sot. Ishte Kongresi ai që vendosi sanksionet, që vendosi ndalimin e naftës ruse, që furnizoi me armë dhe gjithë këtë paketë të madhe ndihme që unë votova një ose dy javë më parë. 13 miliardë dollarë. Deri më tani, administrata ka dhënë vetëm një miliard prej tyre”, thotë senatori republikan John Barrosso.

Janë zhvilluar demonstrata në mbarë botën në mbështetje të ukrainasve dhe që denoncojnë pushtimin rus, madje edhe në rrugët e Moskës, ku autoritetet i marrin protestuesit në furgona dhe i përzënë.

Ndoshta asnjë nuk është më e famshme se Marina Ovsyannikova në televizionin shtetëror të Rusisë, Channel One. Ajo hyri në një transmetim të drejtpërdrejtë me një tabelë ku shkruhej “JO LUFTË” në anglisht dhe “Mos i besoni propagandës”. Ata po ju gënjejnë” në rusisht.

“Mund t’i tregoj pjesës tjetër të botës se rusët janë kundër luftës dhe mund t’i tregoj popullit rus se kjo është thjesht propagandë. Ekspozojeni këtë propagandë për atë që është, dhe në këtë mënyrë mund të stimulohen më shumë njerëz të flasin kundër luftës. Shpresoj që veprimi im, në një farë mënyre, t’i ndihmonte njerëzit të ndryshonin mendimin e tyre”, thotë Marina Ovsyannikova përmes përkthyeses.

E ardhmja e saj mbetet e paqartë pas një ligji të miratuar më 4 mars, që e bën të paligjshme protestën në publik kundër ushtrisë dhe parashikon dënime deri në 15 vjet burg./VOA

Të fundit