E diel, 26 Maj, 2024

Nuk ka kërkesë nga Serbia për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë

Serbia ende nuk i ka bërë ndonjë kërkesë të drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të saj presidenciale dhe parlamentare brenda territorit të Kosovës, tha të hënën Mimoza Kusari – Lila, shefe e Grupit Parlamentar të partisë qeverisëse në Kosovë, Lëvizjes Vetëvendosje.

Duke folur pas një mbledhjeje të Kryesisë së Kuvendit, Kusari – Lila përsëriti qëndrimin e mëhershëm të Qeverisë së Kosovës, se për mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit mund të vendoset vetëm pas një kërkese të drejtpërdrejtë nga Serbia.

“Zgjedhjet mund të organizohen në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, vetëm pas një kërkese nga shteti serb te shteti i Kosovës. Kjo kërkesë nuk ka ardhur”, tha Kusari – Lila.

Më 14 mars, Kusari – Lila ka thënë se Beogradi u është drejtuar institucioneve ndërkombëtare për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, por, siç ka thënë ajo, autoritetet sovrane në Kosovë janë Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 15 mars se është në kontakt me ambasadat e vendeve të Quint-it (SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Italisë dhe Francës) dhe Bashkimin Evropian, që të gjendet një zgjidhje për serbët e Kosovës që duan të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë.

Kurti ka thënë se Qeveria synon që të drejtat e serbëve të mos shkelen, por, në të njëjtën kohë, sipas tij, të mos cenohet as shtetësia e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur zyrtarë në Beograd nëse do të bëjnë kërkesë tek institucionet e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Pjesëtarët e opozitës në Kuvendin e Kosovës i kanë bërë thirrje Qeverisë që të ketë kujdes në ruajtjen e sovranitetit të vendit në çfarëdo vendimi që mund të marrë në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës i kërkon Qeverisë që ta mbrojë sovranitetin e vendit tonë. Çdo zgjidhje duhet të bëhet në përputhje të plotë me Kushtetutën”, ka thënë Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së.

Besnik Tahiri, nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka kërkuar nga Qeveria që të ketë komunikim me Kuvendin për çfarëdo vendimi që mund të marrë për zgjedhjet serbe.

“Qeveria duhet ta trajtojë këtë temë shumë seriozisht, mos të na sjellë panik. Duhet ta njoftojë Parlamentin që nëse vendos kundër, çka janë pasojat dhe të mirat, dhe anasjelltas”, ka thënë Tahiri.

Arbëresha Loxha, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike në Prishtinë, thotë se një kërkesë e drejtpërdrejtë e shtetit serb te Qeveria e Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve, do të duhej të pranohej.

“Këtë po e themi meqë kemi pasur presion dhe kërkesë nga vendet mike dhe konsiderojmë që Kosova nuk do të duhej të bëhej pengesë ose prishëse e planeve dhe interesave të aleatëve të Kosovës”, thotë Loxha.

Në të ardhmen, shton ajo, Kosova, bashkë me aleatët, duhet ta adresojë këtë çështje “njëherë e mirë”, në mënyrë që të mos përballet më me situata dhe presion të tillë.

Loxha nuk jep detaje se çfarë do të mund të bënin autoritetet e Kosovës në këtë rast.

Qeveria e Kosovës vazhdimisht është zotuar se do të respektojë Kushtetutën e vendit për mënyrën se si do të mund të votojnë qytetarët me shtetësi serbe në Kosovë në zgjedhjet që i organizon Serbia.

Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshimet kushtetuese.

Vendet e Quint-it dhe BE-ja e patën pritur me keqardhje vendimin e Qeverisë së Kosovës për këtë referendum.

Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

Këtë thirrje, e fundit e ka përsëritur ministrja e Jashtme gjermane, Analena Berbock, gjatë një vizite në Kosovë, javën e kaluar.

Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.

Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.

Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë.

Nga OSBE-ja kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë të gatshëm t’i grumbullojnë votat edhe për zgjedhjet e 3 prillit, por me pëlqimin e të gjitha institucioneve përkatëse.

Të fundit