E premte, 26 Korrik, 2024

POEZIA-ARTI I FISNIKËRIMIT TË SHPIRTIT NJERËZOR

Mes shumë vargjesh të shkruara, të paktën sot në Ditën Ndërkombëtare të Poezisë, le të guxojmë të kërkojmë pak poezi, ta lexojmë atë, ta përjetojmë atë dhe, po mundëm, t’i japim pak zë edhe poezisë që mund të flejë brenda nesh

Shkruan: Fatjona Abdullahi

“Letërsia nuk e ka pasuruar botën vetëm duke i dhënë libra, por duke zhvilluar një tip të ri të njeriut-shkrimtarin”, thoshte një ndër figurat më enorme të letërsisë botërore, Borhesi.

Por, përderisa shkrimtari, nuk është gjithmonë ai njeriu i cili hedh të zezën mbi të bardhë dhe bën bashkë dy fjali më shumë a dy fjali më pak, poeti në veçanti, nuk mund të jetë vetëm një radhitës i mirë fjalësh sipas një rregulli bukurtingëllimi i cili provon të fshihet pas rimave dhe “vargjeve foljore”.

Derisa fuqia e vargut qëndron në mendimin e subjektit lirik dhe është trajtësimi qoftë edhe i një përjetimi krejtësisht fluid, mënyra se si poezia jetohet nga lexuesi, është dimensioni i dytë që jo gjithmonë, përkon me të parin. Ai që e shkruan dhe ai që e lexon poezinë, nuk janë një dhe poezia nuk është e njëjta për të gjithë. Shumë shpesh madje, ajo ka formë të paformë…

Ashtu siç porosia na vjen nga njëri prej më të mirëve poetë që kemi pasur, Azem Shkreli: “Mos u bëj poet, nëse nuk vdes në secilin varg, në secilën fjalë” kuptojmë se vdekja metaforike, është domosdoja që e kërkon mbretëresha e arteve, është preja që i falet poezisë.  Ndërkaq, tagri që i duhet të paguajë lexuesit, nuk është aq i rëndë sa ai që paguan poeti. Lexuesi shijon madhështinë e një vargu dhe s’pyet se sa herë vdiq poeti, kërkon strehën e vet përtej shirave që ia avullojnë zemrën.

Poezia është çadra ku të gjithë herë pas here provojmë të futemi, dikush duke ikur prej trishtimi,  e dikush duke provuar të vdesë për një varg a një fjalë… Në fund, të gjithë dalim të gjallë, si personazhe periferike, vëzhgues apo “heronj” të vargut…

Sot, ndërkombëtarisht i është kushtuar një ditë e veçantë poezisë. Që nga viti 1999 UNESCO për herë të parë e shpalli 21 Marsin si Ditën Botërore të Poezisë, gjatë Konferencës së Përgjithshme të 30-të në Paris. Asokohe qëllimi i shënjimit të kësaj dite, ishte shprehja poetike në funksion të dallimeve kulturore dhe diversitetit gjuhësor, sidomos për ato gjuhë të cilat ishin më të rrezikuara dhe me më pak mundësi për t’u dëgjuar. Në kontekstin e sotëm, kjo ditë është mundësi për promovimin e poetëve, të krijimeve të tyre, të dashamirëve të leximit dhe të artdashësve që në formë nderimi ringjallin traditën e interpretimit të vargut dhe synojnë përafrimin e poezisë me artet e tjera si muzika, aktrimi, piktura etj.

Në ditët e sotme, kur trazirat janë të çfarëdoshme dhe sfidat janë të një karakteri jetik, nuk është fort e panatyrshme që herë pas here të tundohemi e të jemi të një mendimi me shkrimtaren angleze Xhorxh Eliot, kur thoshte se askush nuk mund të jetë i mençur me stomakun bosh. Por, nga ana tjetër, historikisht e dimë se arti jo vetëm që ka shërbyer si “ikje” nga realiteti, kur ky i fundit ka qenë zhgënjyes, por gjithashtu ka qenë fisnikërim i shpirtit njerëzor kur ky i fundit, ka pësuar luhatjet e veta që rrethanat ia paracaktojnë. Si rrjedhojë, kthimi kah letërsia dhe arti, në kohë krize, nuk është luksi të cilin nuk guxojmë ta kemi, por është nevojë dhe domosdoshmëri që organikisht i duhet qenies njerëzore për të ruajtur ekuilibrin shpirtëror dhe vitalitetin emocional.

Mes shumë vargjesh të shkruara, të paktën sot në Ditën Ndërkombëtare të Poezisë, le të guxojmë të kërkojmë pak poezi, ta lexojmë atë, ta përjetojmë atë dhe, po mundëm, t’i japim pak zë edhe poezisë që mund të flejë brenda nesh…

Të fundit