E premte, 19 Korrik, 2024

PËRHERSHMËRIA E NJË UNIVERSI LETRAR

Procedimi letrar i Kadaresë shtrihet në një diakroni marramendëse epokash, në një hapësirë mitologjike, prej nga ai  merr materialin e nevojshëm për ta transponuar mëpastaj në art universal letrar. Është prekja masterale e gjeniut krijues që këtyre eklipseve historike mëpastaj iu jep tonet e rrëfimit, të stilit të tij, që në letrat shqipe dhe më gjerë mbetet vulë e një përmase të jashtëzakonshme letrare. Kadare mbetet një univers përhershmërie letrare shqiptare dhe botërore.  Opusi i tij  shumëdimensional letrar mbetet një matricë tekstore, stilistike për t’u studiuar edhe në të ardhmen në gjithë gjerësinë e reprezentimit, në zhanrin e romanit, poezisë dhe eseistikës.

 Shkruan: Bardhyl Zaimi

Koha e shkrimit nuk është një kohë lineare, përkundrazi është një kohë ekzistenciale që përvijohet labirinteve të ekzistencës njerëzore. Koha e shkrimtarit gjithashtu nuk ngujohet në kohën kronologjike. Ajo lëviz brenda kohës ekzistenciale, brenda rrëfimit, brenda një bote të pashfaqur që prek brigjet e ontologjisë njerëzore. Shkrimtari Ismail Kadare,  me opusin e tij krijues, sidomos romanor, me kohë është zhvendosur në kohën narratologjike, e cila prek mijëvjeçarë dhe shtrihet si substancë letrare në përhershmërinë e universit Kadare, që tashmë është pjesë e letërsisë së përbotshme, pjesë e mijëra lexuesve në shumë gjuhë të botës.

Ky univers origjinal letrar tashmë ka vulën edhe të çmimeve prestigjioze ndërkombëtare, të vlerësimit letrar në nivel të letërsisë së përbotshme, nga kritikë letrarë të shumtë anembanë globit. Ngrehina letrare e Kadaresë tashmë denjësisht përfaqëson potencën e letërsisë dhe kulturës shqiptare në sheshin e madh të letërsisë botërore. Si një ndër shkrimtarët më të përkthyer shqiptar, por jo vetëm, Kadare përfaqëson gjenin krijues shqiptar, universin e padiskutueshëm kulturor të shqiptarëve me gjithë thellësinë historike, me gjithë trazimet dhe eklipset shekullore, që do të ngriten si një metaforë e madhe e ekzistencës, e mbijetesës, e përvijuar gjithnjë si një kundërvënie tekstore-letrare ndaj diktaturës më staliniste në botë, siç ishte Shqipëria në periudhën e regjimit të tmerrshëm komunist.

Procedimi letrar i Kadaresë shtrihet në një diakroni marramendëse epokash, në një hapësirë mitologjike, prej nga ai  merr materialin e nevojshëm për ta transponuar mëpastaj në art universal letrar. Është prekja masterale e gjeniut krijues që këtyre eklipseve historike mëpastaj iu jep tonet e rrëfimit, të stilit të tij, që në letrat shqipe dhe më gjerë mbetet vulë e një përmase të jashtëzakonshme letrare. Kadare mbetet një univers përhershmërie letrare shqiptare dhe botërore.  Opusi i tij i shumëdimensional letrar mbetet një matricë tekstore, stilistike për t’u studiuar edhe në të ardhmen në gjithë gjerësinë e reprezentimit, në zhanrin e romanit, poezisë dhe eseistikës.

Sigurisht, në ditën që ai sapo ka ikur nga kjo botë, mbetet e vështirë që të afishohen të gjitha dimensionet e krijimtarisë së tij, e cila qëndron madhnueshëm si një ngrehinë e papërsëritshme në substance e vetë letrare, ndërkohë që emancipoi letërsinë shqipe  në rrugëtimin për të qenë pjesë e letërsisë së përbotshme.

Të fundit