E premte, 26 Korrik, 2024

LUFTA NË UKRAINË SHTYN SHKUPIN DHE SOFJEN DREJT GJETJES SË ZGJIDHJES

Shkruan: Enis Shaqiri

 

A janë Shkupi dhe Sofja afër zgjidhjes së problemit? Intervista e kryeministrit bullgar Kirill Petkobv, dhënë gazetës greke “Katimerini”, jep shumë optimizëm se Bullgaria më në fund do të mënjanojë veton ndaj Maqedonisë së Veriut që mban vendin jashtë tavolinës së negociatave antarëusese me Bashkimin Evropian (BE). Për shkak të ecjes në bllok, bashkë me Shkupin nga viti 2020 bisedimet nuk i ka nisur as Tirana.

Problemi i historisë vlerësohet të jetë formësuar dhe të ketë marrë një konotacion pozitiv, mirëpo problemi i vetëm qëndron tek mosrespektimi i të drejtave të bullgarëve në RMV. Sipas intervistës së Petkovit, kjo do të thotë se shteti i RMV-së duhet që bullgarët t`i përfshijë në Kushtetutë para se të fillojnë bisedimet me BE-në. Kjo të ishte  garanci për respektimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore-historike dhe çrrënjosje e gjuhës së urrejtjes në RMV.

Ne jemi për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, por edhe të Shqipërisë. Por ka disa çështje që duhen trajtuar fillimisht, siç është respektimi i të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë veriore, me garanci sipas Kushtetutës. Kemi një plan dhe komunikim shumë të mirë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe shpresojmë të ecim shpejt përpara

Petkov ka potencuar se shteti i Bullgarisë është pro prespektivës për një Maqedoninë Evropiane, njëkohësisht edhe për Shqipërinë, mirëpo sipas tij problemi qëndron tek respektimi i të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Ne jemi për perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, por edhe të Shqipërisë. Por ka disa çështje që duhen trajtuar fillimisht, siç është respektimi i të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë veriore, me garanci sipas Kushtetutës. Kemi një plan dhe komunikim shumë të mirë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe shpresojmë të ecim shpejt përpara”, tha kryeministri bullgar.

Nga ana tjetër kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski, thekson se me Bullgarinë shteti ka bashkëpunim të shkëlqyer, por sipas tij gjithmonë ka individë që duan t’i përkeqësojnë marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Kemi hapur një proces të ri bisedimesh me Bullgarinë, një mënyrë të re komunikimi që duhet të rrisë besimin jo vetëm mes ministrave, por edhe ndërmjet shoqërive në tërësi. Janë formuar grupet e punës që tashmë po japin rezultate, janë mbajtur konferenca shkencore mes universiteteve, janë takuar Odat Ekonomike, janë rritur kuotat e transportit. Gjithmonë ka individë që duan t’i përkeqësojnë këto marrëdhënie, por ne dhe qeveria bullgare jemi kundër. Duhet të bashkëpunojmë në të gjitha fushat”, tha kryeministri.

Në rastin  e Ukrainës, Rusia qysh herët është kujdesur që nëpërmes njësive speciale në rast të përshkallëzimit të konfliktit, të aktivizojë aktorë jo shtetërorë në nxitjen e urrejtjes në mes grupeve etnike dhe fetare.

Nga VMRO–DPMNE thonë se Kovaçevski duhet të kërkojë garanci nga Brukseli se nuk do të ketë më frenim në rrugën drejt BE-së dhe kërkesa të reja të panumërta nga Bullgaria.

Ndërkohë Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot po qëndron në Bruksel ku ka realizuar mëngjes pune me ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, organizim ky nga ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendijas.

Temë kryesore e takimeve njoftohet të ketë qenë perspektiva evropiane të Ballkanit Perëndimor në dritën e ngjarjeve në Ukrainë.

“Unioni tregoi se di të bashkohet në kohëra historike, për t’i sjellë vendimet e duhura, të ndërtojë konsensus, ndërsa ne dëshmuam se 100% qëndrojmë pas këtyre vendimeve”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook.

Në takim të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësuesit e lartë të politikës së jashtme dhe të sigurisë së KE-së, Josep Borell dhe Komisionarit për zgjerim, Oliver Varheji.

Analistët gjeopolitik thonë se gjithnjë e më tepër ka paralajmërime se situata në Ukrainë mundë të ketë pasoja edhe në Ballkan. Eksperti i kësaj fushe, Selim Ibraimi, thotë se ka rrezik për nxitjen e përçarjeve dhe e urrejtjes mes grupeve etnike dhe fetare.

“Gjithnjë kur një luftë shpërthen afër, ekziston mundësia që shtetet fqinjë të përfshihen qoftë drejtpërsëdrejti ose tërthorazi nga efektet e propagandës dhe mjeteve tjera hibride, si ajo e luftës informative- psikologjike. Në rastin  e Ukrainës, Rusia qysh herët është kujdesur që nëpërmes njësive speciale në rast të përshkallëzimit të konfliktit, të aktivizojë aktorë jo shtetërorë në nxitjen e urrejtjes në mes grupeve etnike dhe fetare. Metoda të tilla Rusia dikur BRSS përdori në Ukrainë në vitet 1932-33 duke shkaktuar një vuajte të madhe në Evropën Lindore. E njëjta po ripërsëritet sot nga Kievi e deri në Ballakan”, thekson analisti Ibraimi.

Sipas tij, gjasat për destablizim të Ballkanit Perëndimor ngelin të ulëta apo mesatare.

“Tani për tani ekziston vetëm një rrezik i nivelit të ultë të destablizimit të Ballkanit Perëndimor nga Rusia dhe mesatar me anë të joshjes psikologjike të mjeteve propagandistike. Poqese lufta ruso-ukrainase do të vazhdojë me muaj dhe ShBA dhe NATO do të detyrohen të involvohen më shumë në Ukrainë, atëherë gjithnjë ekziston mundësia e përplasjeve ruso-amerikane dhe ndarjeve në Ballkan në  shtetet fraligje Bosnjë dhe në Kosovë.  NATO  e ka diskutuar vetëm Nenin 4 dhe këtë e kanë ngritur disa anëtare të krahut lindor. Neni 5 i Traktatit të Uashingtonit ende nuk ka ardhur në rend dite. Poqese do të diskutohet dhe do të vihet në zbatim atëherë kemi të bëjmë me gjendje luftë të përgjithshme në Evropë dhe me siguri një anëtar i NATO-s ose më shumë janë sulmuar nga Rusia”, tha Ibraimi.

Të fundit