E premte, 26 Korrik, 2024

SINDIKATA PARALAJMËRON GREVË, TË RRITEN PAGAT NË ARSIM

Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të organizohet ndoshta një protestë masive në Shkup ose do të fillohet me grevë të drejtpërdrejtë gjenerale në arsim, nëse qeveria nuk respekton marrëveshjen kolektive për rritjen e pagave të punonjësve në arsimin fillor dhe të mesëm. Përfaqësues të sindikatës në nivel shkollash thonë se janë pro grevës. Ata theksojnë se rrogat në arsim duhet të rriten, sepse janë më të ulëta në krahasim me fushat tjera. Qeveria ka shfaqur gatishmëri për të gjetur një zgjidhje

 Shkruan: Puhiza Osmani

Kryetari i sindikatës në gjimnazin “Drita”, profesor Arsllan Kadriu, thotë se janë pro grevës për rritjen e pagave, dhe se brenda javës do të organizohet grevë nga ana e punonjësve të arsimit nëse nuk shihet ndonjë lëvizje nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

“Ne si organizatë sindikale në shkollën tonë jemi pro grevës, jemi pro rritjes së pagave sepse me të vërtetë i kemi pagat më të ulëta nga të gjitha fushat e tjera, megjithatë zhvillimi i kësaj ngjarjeje tani për tani varet nga ajo se çfarë qëndrimi do të mbajë kryesia qendrore e Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Shkup. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës janë në bisedime e sipër por akoma nuk dihet vendimi që do të marrin, dhe brenda kësaj kohe d.m.th deri nesër, nëse nuk ka një lëvizje përpara nga ana e ministrisë, atëherë nga dita e hënë do të organizohet grevë nga ana e arsimtarëve”, thotë Kadriu.

Profesor Ramiz Ballazhi anëtar i Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, thotë se ditëve në vijim kryesia qendrore e sindikatës do të sjelli një vendim përfundimtar për të arritur një harmonizim në bazë të marrëveshjes kolektive që ekziston, për rritjen e pagave, dhe nëse kjo marrëveshje nuk do të respektohet atëherë do të organizohet një protestë masive në Shkup ose do të fillohet me grevë të drejtpërdrejtë gjenerale në arsim.

“Kryesia e Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, në mbledhjen që do të mbahet nga kryesia qendrore ditët në vijim do të sjellin vendim, dhe ne si organizata themelore që jemi duhet ta respektojmë vendimin që do të merret.

Rroga minimale në arsimin fillor është 350 euro, e cila nuk dallon shumë nga rroga e arsimit të mesëm që është 365 euro. Prandaj ne shpresojmë të arrihet një harmonizim, që rroga minimale që është në Maqedoninë e Veriut në bazë të Marrëveshjes Kolektive dhe koeficientit që është për shkolla fillore dhe të mesme të rritet sadopak. Në qoftë se do të zbatohej kjo marrëveshje ashtu siç është nënshkruar atëherë rrogat tona do të ishin rreth 500 euro. Megjithatë edhe nëse kjo shifër është e parealizueshme shpresojmë që të arrijmë një farë lëvizje”, thekson Ballazhi.

Qeveria ka shfaqur gatishmëri për vazhdimin e bisedimeve për gjetjen e një zgjidhjeje, dhe po shqyrton vazhdimisht mundësi të tjera për rritjen e pagave, edhe pse sindikata si zgjidhje kishte ofruar zbatimin e marrëveshjes kolektive.

Të fundit