E diel, 16 Qershor, 2024

Berisha-ambasadës ruse: Provokim i stilit sovjetik, përfaqësues të diktatorit

Ish-kryeministri Sali Berisha e cilëson provokim reagimin e ambasadës ruse në Tiranë, lidhur me deklaratën e tij se i ishin propozuar oferta të mëdha nga Gazpromi për të sabotuar projektin TAP në vendin tonë.
Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Berisha shkruan se reagimi i ambasadës ruse është i stilit sovjetik, ndërsa diplomatët rus i quan përfaqësues të diktatorit Putin.

Lidhur me deklaratën time të djeshme për përpjekjet korruptive të Gazpromit pranë meje për të sabotuar TAP, ambasada ruse në Tiranë ka reaguar sot duke pyetur: Sa lekë kërkoi zoti Berisha që Gazpromi nuk i mblodhi dot“, shkruan Berisha.

Berisha thotë se Gazprom dhe qeveria ruse bënë çfarë kishin në dorë dhe përdorën të gjitha linjat korruptive të gazit të tyre për të bllokuar projektin e TAP.

 “Ne javen e pare te gushtit te vitit 2011 nje mik i imi biznesmen i njohur turk me solli nga presidenti i Gazprom mesazhin qe vijon: ne rast se une do te hiqja dore nga projekti i TAP-it dhe te mbeshtesja projektin ITGI, i cili anashkalonte Shqiperine dhe kalonte ne trajektoren Turqi- Greqi-Itali dhe qe furnizohej kryesisht me gaz rus por dhe azer pala ruse ofronte:

-ndertimin e nje gazsjellesi Igumenice-Vlore me mundesi shtrirje edhe deri ne Shkoder.

-Investimin prej 4.1 miliarde dollare ne termocentrale te medha gazi ne Seman.

-Keto do vendoseshin ne nje takim qe do zhvillohej midis meje dhe presidentit te Gazpromit.

Oferta u refuzua prereas per arsye politike nga ana ime. Nuk pranova investimet e Gasprom se besoja, dhe koha me dha te drejte, se ato nuk ishin ne interes te vendit tim.”

Ambasada ruse në Shqipëri reagoi këtë të premte në lidhje me deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha se “10 vjet më parë refuzoi ryshfetin e ofruar nga Gazprom për zhvillimin e projekteve energjetike në Shqipëri”.

“U habitëm nga fjalët e Sali Berishës se 10 vjet më parë ai refuzoi ryshfetin gjoja të propozuar nga Gazprom për zhvillimin e projekteve energjetike në Shqipëri. Na lind natyrshëm pyetja: sa kërkoi zoti Berisha që as Gazpromi nuk mundi dot t’i mbledhë ato “shuma përrallore””, shkruan ambasada ruse në Twitter.

I pyetur nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, Berisha foli për një ofertë marramendëse nga kompania ruse e gazit Gazprom në atë kohë.

Dua të them një mesazh për ata që shpallën Sali Berishën non grata. I them mafies së Goerge Soros se vetëm për TAP-in Berishës i janë ofruar shumë më përrallore, por ai qëndroi në mbrojtje të interesave të popullit të tij“, tha Berisha.

Lajmin për sasinë prej 10 miliard metër kub gaz natyror nga Azerbajxhani i cili ka hyrë në Evropë, prej të cilave afërsisht 8.5 janë dorëzuar në Itali, Sali Berisha e shfrytëzoi për të treguar rolin e tij kur ishte kryeministër.

Ky është gazsjellësi i parë në Europë pa gazin rus. Shqipëria dhe qeveria që unë kryesova luajti një rol përcaktues. Për të pasur të qartë rolin përcaktues të Shqipërisë, TAP-i mund të ishte TAP vetëm nëse kalonte në territorin e Shqipërisë, territor ku gazi rus nuk mund të kalonte“, tha ai.

Një lajm i tillë u përshëndet edhe nga presidenti Ilir Meta.

Kujtojmë se 10 miliard metër kub është një arritje simbolike për momentin, por TAP mund dyfishojë kapacitetet duke u zgjeruar në disa faza, deri në 20 miliard metër kub brenda 45-65 muajve, thuhet në njoftim. Përmes pikave të daljes në Greqi, Shqipëri dhe Itali, ofrohet mundësia për transportin e gazit nga Azerbajxhani drejt tregjeve më të mëdha evropiane.

Top Channel

Të fundit