Dhe, tash kemi një situatë absurde mospjesëmarrjeje politike dhe shoqërore, e cila dergjet në margjinat e dëshpërimit të vetë. Duke ngritur kultin e “partiashit” aktivistë, në fakt elitat politike e zhbënë mundësinë e pjesëmarrjes në jetën politike dhe publike të njerëzve që duan të jenë zëri i së vërtetës së dhimbshme të dekompozimit të pafundëm. E krijuan kështu ustallarët e ketmanit politik demokracinë klienteliste dhe të dëgjueshmërisë partiake, duke përjashtuar nga hapësira publike çdo pjesëmarrje tjetër e cila vinte nga vërtetësia e plagëve shoqërore, nga realitet e dhimbshme ku i kishte degdisur cinizmi politik i elitave.
Shkruan: Bardhyl Zaimi
Kur Kavafisi në poezinë e tij monumentale “Muret” shtronte pyetjen thellësisht njerëzore “ kush i ngriti këto mure”, me gjasë kishte klithur edhe për shumë situata që do të pasonin, jo vetëm si gjendje poetike, por edhe si gjendje që vijnë nga realitet politike dhe shoqërore. Tash pas tridhjetë vitesh pluralizëm dhe tranzicion dhimbjesh të pafundme dhe vullnetesh për t’i ndryshuar gjërat gjithçka duket se mbetet e deformuar dhe e keqpërdorur nga elitat politike.
Brenda këtyre tridhjetë vitesh nuk është bërë asgjë tjetër, përveç se janë ngritur mure dëshpërimi, mure izolimi të gjallnisë nga ustallarët e manipulimeve dhe ripërsëritjeve. Që nga momenti kur ata i ngritën këto mure gjunjëzimi dhe zbuan nga skena publike mendimin e lirë dhe produktiv, në fakt u sigurua hapësira e nevojshme e lojërave oborrtare, e meskiniteteve politike, të cilat shiten herë si patriotizëm dhe herë si politikë e moderuar.
Me tulla dëshpërimesh të padiktueshme ustallarët e hierarkive të pushtetit ngritën muret e monologut, muret e dëgjueshmërisë për të mbajtur një popull të tërë në tymnajën e gjoja politikës. Improvizuan demokracinë, pjesëmarrjen politike, stigmatizuan si arkaik çdo mendim që mund të dilte nga kthetrat e lubisë politike që po ngritej mjeshtërisht nga intrigat mediokre të aparatçikave partiak.
Partia mori primatin e jetës shoqërore, duke përjashtuar çdo sferë tjetër, çdo aktorë tjetër të jetës politike dhe shoqërore. E krijuan ndërkohë kultin e politikanit, kultin e “nënës” parti me një hierarki rreptësishtë të kontrolluar ketmani që përjashtonte mendimin ndryshe, që përjashtonte çdo mendim që mund të prishte mesataren partizane të dëgjueshmërisë partiake. E stërkeqën hapësirën publike me debate agresive boshe, me retorika linçuese dhe krijuan kështu një kënetë publike që përjashtonte mendimin e lirë, mendimin argumentues që është në gjendje të hap horizonte të reja mbrothësie.
Dhe, tash kemi një situatë absurde mospjesëmarrjeje politike dhe shoqërore, e cila dergjet në margjinat e dëshpërimit të vetë. Duke ngritur kultin e “partiashit” aktivistë, në fakt elitat politike e zhbënë mundësinë e pjesëmarrjes në jetën politike dhe publike të njerëzve që duan të jenë zëri i së vërtetës së dhimbshme të dekompozimit të pafundëm. E krijuan kështu ustallarët e ketmanit politik demokracinë klienteliste dhe të dëgjueshmërisë partiake, duke përjashtuar nga hapësira publike çdo pjesëmarrje tjetër e cila vinte nga vërtetësia e plagëve shoqërore, nga realitet e dhimbshme ku i kishte degdisur cinizmi politik i elitave.
Koha për ndryshim të tërësishëm të kësaj mendësie përjashtuese që ngre mure izolimi të gjallnisë shqiptare dhe që prodhon dëshpërim dhe arrati fatale të një brezi të tërë të rinjsh. Politika dhe demokracia nuk është ketman mediokrish partiak, përkundrazi është hapësirë lirie, pjesëmarrjeje vullnetesh dhe kauzash konkrete, është kultivim i pandërprerë i sensit qytetar për jetë të përbashkët dhe progresit.
Ne “nuk i dëgjuam se si u ngritën këto mure” përjashtimi, izolimi, ndërkohë që re të zeza dëshpërimesh të pafundme sillen mbi një gjeneratë të tërë!