E shtunë, 27 Korrik, 2024

SHBA paralajmërojnë Kinën

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Kinën në rast të mbështetjes së Rusisë në luftën në Ukrainë. Për shkak të numrit të lartë të viktimave civile shtohen zërat për krime lufte të Moskës.

Për të penguar një shkallëzim të mëtejshëm të luftës në Ukrainë, SHBA ka përsëritur kërcënimin në drejtim të Pekinit. Kina duhet të llogarisë me pasoja, nëse do t’i japë ndihmë ushtarake Rusisë, është shprehur Jen Psaki, zëdhënësja e presidentit amerikan. SHBA është shumë e shqetësuar, se Kina do të mbështesë ushtarakisht Rusinë. Presidenti Biden do të diskutojë për këtë me presidentin kinez, Xi Jinping në një telefonatë të premten “hapur dhe drejtpërdrejt”, ka thënë Psaki. Të flet shumë fakti, që Kina nuk e dënon luftën e Rusisë në Ukrainë.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken është shprehur, se Kina ka përgjegjësi të përdorë influencën e saj tek presidenti rus, Putin dhe të kërkojë respektimin e të drejtës ndërkombëtare. Por duket se Kina, kërkon të bëjë të kundërtën. Deri tani qeveria amerikane nuk ka paraqitur provat për ndihmën e Kinës ndaj Rusisë. Të mërkurën presidenti Biden e cilësoi Vladimir Putinin si “kriminel lufte”. Të enjten ai e ashpërsoi tonin duke e quajtur atë “diktator vrasës” (..) që zhvillon një luftë të pamoralshme kundër njerëzve në Ukrainë.

Për shkak të numrit të lartë të viktimave civile shtohen zërat për krime lufte të Moskës. Bashkimi Europian dënon ashpër “krimet e luftës” të Rusisë në Ukrainë, u shpreh Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell. Sulmet e qëllimshme ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile janë “të turpshme, të dënueshme dhe tërësisht të papranueshme”, tha Borrell duke vlerësuar se ato janë shkelje të rënda të të drejtës humanitare./dW

Të fundit