E diel, 19 Maj, 2024

Sa e dëmshme është një gotë verë në ditë? 

Edhe pse ne e dimë se pirja e tepërt është e dëmshme për shëndetin tonë, shkenca që mbështet pirjen e moderuar të pijeve alkoolike ende ka nevojë për fakte. Një studim i publikuar në revistën shkencore „Nature” në mars duket se ofron disa nga provat më bindëse, se edhe pirja mesatare e alkoolit mund të dëmtojë trurin, përcjell KDP.

Pas ekzaminimit të skanimeve të trurit nga më shumë se 36,000 njerëz të moshës së mesme dhe të moshuar nga Biobank në Mbretërinë e Bashkuar, studiuesit zbuluan se 50-vjeçarët që pinin mesatarisht një gotë verë 175 mililitra (6 oz) ose gjysmë litër kanoçe birre në ditë gjatë vitit të kaluar kishin tru që dukej 1.5 vjet më i vjetër se ai i personave që nuk pinin fare.

Plakja e trurit u rrit me konsumimin e alkoolit, shkruajnë studiuesit. Studimi është një nga më të mëdhenjtë që trajton ndikimin shëndetësor të pijes së moderuar në tru deri më sot. Studiuesit përkufizuan “pirjen e moderuar” si deri në 14 pije në javë dhe “të lehta” si më shumë se një pije në javë, por më pak se shtatë. Por shumë pyetje mbeten të hapura.

Megjithëse rezultatet e studimit të trurit duken të drejtpërdrejta në shikim të parë, hulumtimi pak më thellë zbulon se sa shumë ne ende nuk dimë.

Patricia Molina, e cila drejton Qendrën e Ekselencës për Abuzimin me Alkoolin dhe Drogën në Universitetin Shtetëror të Luizianës, tha se mbeti e paqartë se cilat ishin efektet e tkurrjes së trurit prej dy vitesh, që shkaktoi simptomat e plakjes në njohje dhe sjellje.

Disa prova tregojnë një lidhje midis humbjes së vëllimit të trurit dhe dëmtimit të aftësisë së njohjes, tha ajo. Por ajo gjithashtu nuk është në dijeni të ndonjë studimi që tregon përfundimisht një lidhje të drejtpërdrejtë midis përqindjeve specifike të vëllimit të zvogëluar të trurit dhe manifestimeve klinike që janë të dukshme për njerëzit ose mjekët e tyre.

Dëshmia se pirja e tepërt është e dëmshme për trupin dhe trurin është përfundimtare. Por kur bëhet fjalë për pirjen e moderuar, gjërat bëhen pak më të ndërlikuara. Një numër studimesh të publikuara gjatë dekadave të fundit, duke përfshirë një të paraqitur vetëm një ditë para studimit të trurit, duket se pretendojnë se pirja e moderuar e alkoolit mund të jetë e mirë për ju.

Duke analizuar të dhënat e marra gjithashtu përmes Biobank në Mbretërinë e Bashkuar nga rreth 312,000 konsumues aktualë, studiuesit zbuluan se konsumimi i alkoolit ekuivalent prej rreth 150ml verë me vakte në ditë për gratë dhe 300ml për burrat lidhej me një rrezik më të ulët të zhvillimit të diabetit të tipit 2.

Jeanette Tetrault, një profesoreshë e mjekësisë në Yale, e specializuar në varësinë ndaj alkoolit, tha se ishte e rëndësishme të lexohej përtej titujve.

Në fund të fundit, tha ajo, studimi thjesht ka gjetur se, nëse pini alkool me ushqim, keni më pak gjasa të zhvilloni diabetin e tipit 2 sesa nëse pini alkool pa ushqim.

Kritikët e studimeve të tilla thonë gjithashtu se ato shpesh nuk marrin parasysh faktorë të rëndësishëm socio-ekonomikë dhe se reklamimi i përfitimeve të verës së kuqe është në thelb i njëanshëm. Kjo për shkak se njerëzit me status më të lartë socio-ekonomik, të cilët shpesh janë tashmë më të shëndetshëm, në fillim, kanë më shumë gjasa të raportojnë se pinë një gotë verë të kuqe në ditë sesa ata që nuk janë.

 

Të fundit