E martë, 7 Maj, 2024

REMZI MEHMEDI PËR KDP: NUK KA PËRÇARJE NË ASH, KONGRESI DO TË GJENEROJË IDE TË REJA

Remzi Mehmedi, nënkryetar i partisë Aleanca për Shqiptarët, tha se Kongresi i 27 marsit është i dyti i kësaj partie. Në një intervistë ekskluzive për KDP Mehmedi flet për kandidimin e Selës për kryetar, rivalitetin Sela-Taravari dhe ndryshimet që do të bëhen në domenin organizativ apo ideor.

 

Intervistoi: Puhiza Osmani

 

Nënkryetari i Aleancës për Shqiptarët, Remzi Mehmedi mohon zërat se ka përçarje në ASH, ndërkohë që thekson se nuk ka rivaliteti mes Ziadin Selës dhe Arben Taravarit. Përkundrazi thotë, ai, Taravari e ka përkrahur fuqishëm kandidaturën e Selës edhe për një mandat. Sipas tij, ka një keqinterpretim të statutit për rikandidimin e Selës për kryetar, sepse ky është kongresi i dytë i partisë dhe jo i treti. Memedi thekson se Maqedonia e Veriut është në krizë të thellë dhe të vazhdueshme që vjen nga keqmenaxhim.

 

KDP: Keni paralajmëruar mbajtjen e kongresit partiak. Si pritet të duket ASH-ja në vitet e ardhshme?

Remzi Mehmedi: Kongresi do të mbahet në 27 mars. Sigurisht që ne do të kemi edhe ndryshime statutare në kongres. Në kuptimin e përcaktimeve programore do të vazhdojmë të ngelemi parti e qendrës së djathtë ashtu siç kemi qenë që nga themelimi. Aktivitetet do të jenë gjithmonë e më të shtuara në kuptimin konkret deri në sjelljen e ndryshimit gjë për të cilën angazhohemi në vazhdimësi. Gjithashtu do të gjenerojmë edhe ide të reja, të cilat në fillim do të vlerësohen, zhvillohen dhe zbatohen.

 

KDP: Ne bazë të statutit të partisë lideri i partisë mund ta mbajë këtë pozitë vetëm dy mandate. Lideri aktual Sela po garon për mandatin e tretë, apo?

Remzi Mehmedi: Ky është keqinterpretim i statutit, sepse Aleanca për Shqiptarët në 27 mars e ka kongresin e dytë dhe jo të tretin. Do të thotë, Ziadin Sela është në krye të Aleancës për Shqiptarët sipas Kongresit të parë të Aleancës për Shqiptarët i mbajtur po në mars të vitit 2018. Tani jemi në kongresin e dytë dhe këtu nuk ka asnjë shkelje statutare.  E njëjta dilemë do të mund të paraqitej nëse eventualisht në kongresin e tretë që do të ishte në vitin 2026, do të pretendonte përsëri zoti Sela të ishte në krye të subjektit Aleanca për Shqiptarët.

 

KDP: Ne opinion ka pasur reagime që kanë treguar për përçarje brenda ASH-së. A ka në fakt rivalitet Sela-Taravari kur bëhet fjalë për atë se kush do ta udhëheqë partinë?

Remzi Mehmedi: Të gjitha ata përplasje që përmenden në opinion janë në suaza të perceptimeve nëpër rrjete sociale. Deri te organet e Aleancës për Shqiptarët nuk ka arritur asnjë kërkesë përpos nënshkrimeve që janë mbledhur për kandidaturën e Ziadin Selës. Për më tepër edhe vetë zoti Taravari në dy tre paraqitjet e tij të fundit që ka pasur, ka deklaruar që nëse kandidon zoti Sela unë jo që nuk do të dal kundërkandidat por edhe do të mbështes fuqishëm kandidaturën e zotit Sela. Kështu që brenda organeve partiake nuk ka asnjë përplasje. Ndërsa sa i përket perceptimit të opinionit, sigurisht që secili ka të drejtë të shprehi mendimin e vet.

 

KDP: Pas krizës nga pandemia Covid19 vendi po futet në një krizë tjetër, të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Si i vlerësoni masat dhe menaxhimin e krizës nga ana e Qeverisë?

Remzi Mehmedi: Kriza në Maqedoninë e Veriut është gjithmonë e më e thellë dhe gjithmonë e më tepër merr kahe shumëdimensionale dhe nuk është e një domeni. Mendoj që, cilat do qofshin ato masa apo ligje që merren ad hoc, që merren në një moment të caktuar, nuk mund të jenë ndihmesë e mjaftueshme për qytetarët e vendit tonë, sepse keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi i institucioneve ndër dekada nuk mund të japë hapësirë që me masa ad hoc, në një moment të caktuar të zbutet cila do qoftë ajo krizë, ekonomike, politike apo e ndonjë dimensioni tjetër. Me sa duket masat e marra kundër krizës janë të pamjaftueshme në kuadër të krizës së përgjithshme që ekziston dhe që është sistematike çdo vit dhe çdo dekadë nga qeveritë e njëpasnjëshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

 

KDP: Po ju si parti çfarë masash keni sugjeruar në lidhje me krizën momentale?

Remzi Mehmedi: Aleanca për Shqiptarët përmes deputetëve që e përfaqësojnë në shtëpinë ligjvënëse ka propozuar amendamente që ndihmojnë në zbutjen e kësaj krize. Ato kanë qenë ekskluzivisht për akcizat dhe tatimet apo taksat e derivateve, mirëpo të njëjtat siç e keni parë edhe në opinion, janë refuzuara nga qeveria. Sigurisht në qoftë se do të ishin akceptuar ato amendamente do të ishin vendosur çmime pak sa më të përshtatshme për qytetarët .

 

 

Të fundit