E shtunë, 27 Korrik, 2024

PARTITË OPOZITARE: DEKRETI I VONUAR, E PROLONGON ZBATIMIN E SHQIPES

Tre vite pas hyrjes në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, qeveria ka sjell dekret për përdorimin e gjuhës shqipe në uniformat e policisë dhe emblemat e uniformave.. Ndërkohë, partitë opozitare e kanë vlerësuar dekretin si të vonuar.  “Uroj që ky dekret të mos e ketë fatin e ligjit”, ka theksuar lideri i ASH-së, Ziadin Sela, duke nënvizuar vonesën e zbatimit të ligjit për përdorimin e shqipes. Nga Lëvizja BESA  kanë theksuar se ky dekret aspak s’ka vlerë juridike për momentin, sepse parasheh implementim të prolonguar të ligjit të gjuhës shqipe në uniformat e policisë. Mos u lavdëroni, por punoni që ky ligj mos të ngelë vetëm “letër e vdekur”, kjo ka qenë porosia e Lëvizjes  Besa për partinë në pushtet.

Shkruan: Eljesa Dervishi

Zëvendëskryeministri, Artan Grubi në një postim në rrjetet sociale shkruan se në seancën e Qeverisë, e cila është mbajtur dje, është miratuar ndryshimi i Dekretit për uniformat dhe simbolet e tyre, i cili parasheh përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare edhe në uniformat e shërbimeve policore në përputhje me ligjin.

Kreu i ASH-së, Ziadin Sela derisa komentoi përdorimin e shqipes në uniformat e policisë, uroi që ky dekret të mos e ketë fatin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.

“Uroj që ky dekret të mos e ketë fatin e ligjit, sepse në qoftë se keni parasysh ligjin, afati maksimal i implementimit të tij është viti 2019, ligji është sjellë në 2018 në mars. Ka dy afate, 6 mujorshi i parë që nënkupton ndërrimin e të gjitha tabelave të cilat parashihen me ligjin e dygjuhësisë, dhe afati i dytë një vjeçar ishte implementimi i tërësishëm i ligjit, edhe në uniformat e policisë, po edhe në çdo institucion, dokumente etj. Kjo nuk është zbatuar, realisht dikush duhet të mbaj përgjegjësi për vonesën tre vjeçare. Kuptohet që gishti çdo herë drejtohet te ato të cilët i sollën vonesën 15 vjeçare sjelljes së ligjit, të cilët janë 20 vite në pushtet. Prandaj unë them se ky pushtet të mos ketë fatin e ligjit”, deklaroi kryetari i ASH-së, Ziadin Sela.

Zëvendëskryeministri Artan Grubi thotë se për fat të keq për rrethana të ndryshme u vonua edhe ndryshimi i dekretit për uniformat e policisë. Ai shprehet i bindur se vetë zbatimi nuk do ta ketë fatin e dekretit.

“Për fat të keq për rrethana të ndryshme u vonua edhe ndryshimi i dekretit për uniformat e policisë, por dje u miratua. Jam i bindur se nuk do të ketë fatin e njëjtë të dekretit vet zbatimi i tij tashmë. Në disa njësi si “Tigri” apo njësitë tjera që kanë kompetenca mbi gjithë shtetin, siç është Armata apo bankënotat. Banka Popullore është në Shkup, por bankënotat përdoren në çdo qytet dhe ligji nuk mund të vlen në komunat ku shqiptarët nuk janë prezent. Rrjedhimisht edhe këto njësi të cilat veprojnë si Armata në të gjithë territorin, nuk mund të gjen zbatim”, ka theksuar Grubi.

Ka reaguar ndërkohë edhe Lëvizja BESA, e cila e ka vlerësuar se ky dekret aspak s’ka vlerë juridike për momentin, sepse parasheh implementim të prolonguar të ligjit të gjuhës shqipe në uniformat e policisë. Ata porosisin pushtetin “Mos u lavdëroni, por punoni që ky ligj mos të ngelë vetëm “letër e vdekur”.

“Pashë shumë eksponentë të partisë në pushtet që u lavdëruan për sjelljen e një dekreti i cili në këto momente aspak s’ka vlerë juridike dhe që parasheh implementim të prolonguar të gjuhës shqipe në uniformat e policisë, kur kemi ligjin në fuqi i cili duhet të implementimet dhe i cili shumë qartë parasheh që uniformat e policisë duhet të jenë edhe në gjuhën shqipe. Mos u lavdëroni, por punoni që ky ligj mos të ngelë vetëm “letër e vdekur”, nën udhëheqësinë tuaj është edhe Drejtoria për zbatimin e gjuhëve edhe Inspektorati i Gjuhëve. Nuk duhet të bëni asgjë të veçantë vetëm të respektoni ligjin dhe detyroni institucionet shtetërore të zbatojnë atë, sepse fundi i fundit atë punë e keni”, theksojnë nga Lëvizja BESA.

Zbatimi i dygjuhësisë në uniforma dhe emblema të policisë do të nisë të zbatohet pas një viti. Deri atëherë duhet proceduar mbi porosinë e uniformave të reja, përcaktimin e numrit të policëve që do ta mbajnë dhe procedurat tjera administrative.

Të fundit