E premte, 26 Korrik, 2024

PËRPLASJE “STANDARDE” POLITIKE PËR MASAT ANTI-KRIZË

Mes përplasjesh politike në parlament janë miratuar masat anti-krizë. Opozita ka akuzuar se pushteti ka humbur kohë 12 ditë për ndryshimet e propozuara, ndërkohë që përfaqësues të pushtetit kanë thënë se miratimi i ligjeve të reja do të ndihmojë qytetarët që ta përmirësojnë fuqinë blerëse. Analistët politik i vlerësojnë këto përplasje si  konvencionale. Ata thonë se si zakonisht partitë në pushtet duan të përfitojnë kapital politik me masat anti-krizë.

 Shkruan: Puhiza Osmani

Debatet e ashpra mes pozitës dhe opozitës janë zhvilluar për miratimin e propozim-ndryshimeve të ligjeve për masat ekonomike. Opozita ka qenë e revoltuar  me faktin që propozimet e tyre me ndryshime të ngjashme të ligjeve për masat kanë ngecur në procedurë parlamentare për 12 ditë.

Nikolla Micevski u shpreh i pakënaqur me qëndrimin e Xhaferit, duke thënë se nëse Qeveria do të donte realisht të përmirësonte ligjet për masat nuk do të kishte humbur kohë 12 ditë pa nevojë.

LSDM-ja theksoi se miratimi i ligjeve të reja do t’i ndihmojë qytetarët që ta përmirësojnë fuqinë blerëse. Gjithashtu Xhaferi shtoi se propozimi i VMRO-DPMNE-së është vendosur në rend dite dhe do të shqyrtohet në ditët në vijim.

“Sigurisht, ne zgjidhjet mund t’i shikojmë ndryshe. Por në fund duhet të marrim vendime që do të ndihmojnë qytetarët, të gjithë ata që na kanë zgjedhur, sepse në fund të fundi ne jemi zgjedhur prej tyre për të zgjidhur problemet”, tha Jovan Mitrevski.

Në përfundim të seancës me 95 vota, Kuvendi miratoi masat për uljen e TVSH-së nga 18 në 10 përqind dhe uljen e akcizës për karburantet që shteti i merr nga shitja në pompat e benzinës nga 1,2 denarë në 4,7 denarë, si dhe me  propozim-ndryshimet u vendos që TVSH-ja për ushqimet të ulet në 0 përqind.

Analisti politik, Sefer Tahiri thotë se debati politik lidhur me masat për ballafaqim me krizën ekonomike zhvillohet me tone tanimë standarde dhe konvencionale, siç ndodh shpesh edhe për çështje të tjera politike dhe jopolitike. Sipas tij, gjithmonë partitë në pushtet tentojnë që nga masat anti-krizë të krijojnë kapital politik, veprim ky që kundërshtohet fuqishëm nga opozita. Partitë opozitare, thotë ai, duke mos dashur që pushtetit t’i mbeten meritat për masat e reja për zbutjen e krizës ekonomike, i konteston ato, duke ofruar modelin e saj pragmatik dhe duke kërkuar nga qeveria që të bëjë më shumë në drejtim të përmbushjes së qytetarëve.

“Opozita maqedonase, me të drejtë ankohet se ka propozuar masat e saj para 12 ditëve dhe të njëjtat nuk janë marrë parasysh. Vendimi i Qeverisë është në kuadër të pritjeve normale nga një pushtet i një shteti me një ekonomi të brishtë, me sistem të pazhvilluar menaxhues me krizat”, thotë Tahiri.

Ai gjithashtu thekson se duke pasur parasysh këto rrethana, ligjet e miratuara për masat meritojnë të mbështeten nga subjektet ekonomike në vend, të cilat duhet të kuptojnë se jetojmë në kohë krize dhe mbijetesa e qytetarëve duhet të ketë prioritet, e jo fitimet e tyre të majme, siç ka ndodhur në 30 vitet e fundit.

Pas ligjeve kundër krizës të miratuara nga Qeveria, sot Komisioni Rregullator i Energjisë pritet të prezantojë çmimet e reja të derivateve të naftës.

 

Të fundit