Vendet e BE-së do t’i përkrahin me ndihma të mëdha financiare Forcat e Armatosura të Ukrainës. Në ndërkohë lufta në Ukrainë ka ngjallur kujdes edhe për sa i përket rajonit të Ballkanit. Analistët politikë kanë theksuar tendencën e mundshme për destabilizim. Ata kanë kërkuar përshpejtim të procesit të anëtarësimit në BE. Ndërkohë edhe Këshilli i Ambasadorëve në Maqedoni ka dënuar agresionin rus. Nga Antalia, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq kanë theksuar se dy vendet anëtare të NATO-s kanë orientim të qartë gjeopolitik, dhe se mbështetja për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës nga dy vendet mbështetet fuqishëm.
Shkruan: Enis Shaqiri
Së fundmi udhëheqësit e BE-së e kanë përshkruar sulmin e Moskës ndaj Ukrainës si një thirrje zgjimi për bllokun e 27-vendeve që të fokusohen më shumë në forcimin e mbrojtjes.
Liderët e Bashkimit Evropian , ndërkohë pritet që të votojnë për dyfishim të përkrahjes financiare për Forcat e Armatosura të Ukrainës.
Bashkimi Evropian propozoi dyfishimin e ndihmës financiare për ushtrinë e Ukrainës, duke shtuar 500 milionë euro në këtë fond. Pritet që nëse aprovohet nga liderët, shuma financiare e bllokut për ushtrinë e Ukrainës do të arrijë në 1 miliard dollarë.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josip Borell, tha se është i sigurt se liderët e BE-së që do të takohen në Francë do të pajtohen për zgjerimin e pakos për blerjen e armëve për Ukrainën.
Nga ana tjetër sot Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të takohet me kërkesë të Rusisë për të diskutuar pretendimet e Moskës, se në territorin e Ukrainës janë duke u zhvilluar aktivitete biologjike ushtarake të SHBA-së.
Kërkesa është shpallur në një postim në Twitter të enjten pasdite nga zëvendësambasadori i saj i parë në OKB, Dmitry Polyansky, me arsyen se Ukraina po drejton laboratorë kimikë dhe biologjikë në mbështetje të Amerikës. Që nënkupton se SHBA-të po shkelin ligjet dhe rregullat e Këshillit të Evropës. Pas kësaj Rusia nuk do të marrë më pjesë në të.
Deklarata u përsërit ditën e djeshme nga ministri i Jashtëm rus, në konferencën për mediat që zhvilloi pas takimit me ministrin e Jashtëm ukrainas në Antalia, Turqi.
Ministri gjithashtu theksoi se “Ukraina është e jona dhe do të vendosim se çfarë do të jetë. Putin e ka përshkruar qartë se përse kërkoi një operacion ushtarak. Ne duam një Ukrainë miqësore të çmilitarizuar, që nuk përmban kërcënime, që nuk është një vend nazist, kjo reflekton tek të gjitha apelet tona“.
Në Forumi Diplomatik të mbajtur në Antali të Turqisë ministri i Jashtëm, Bujar Osmani është takuar me zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq.
Osmani theksoj se dy vendet anëtare të NATO-s kanë orientim të qartë gjeopolitik, dhe se mbështetja për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës nga dy vendet mbështetet fuqishëm.
Ditë më parë analisti dhe profesori serb, Dushan Janjiq pohoi se megjithëse Mali Zi është shtet anëtare e NATO-s, përsëri nuk prish punë që Rusia të krijojë fortesë në të. “Rusia ka futur duart në çdo vend të rajonit, si në pozitë dhe opozitë. Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përkatësisht Republikat Serbe do t’i nënshtrohen demonstratave masive. Kremlini me ndihmësit lokalë mund të mbledhë shumë” ka bërë të ditur Janjiq, duke mos përjashtuar se mund të ketë konflikt në ato tubime.
Ndërsa sipas analistëve në Maqedoninë e Veriut, pika të nxehta në Ballkanin Perëndimor janë Republika Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë dhe tensionet që Serbia po ngritë herë pas here në veri të Kosovës. Sipas tyre, Bashkimi Evropian duhet të fillojë ta përshpejtojë tempon e strategjisë së integrimit ndaj popujve dhe vendeve Ballkanike, për shkak se mund të hyjnë nën ndikimin e Moskës.
Nga ana tjetër Këshilli i Ambasadorëve, plotësisht vazhdon të solidarizohet me popullin ukrainas, dhe se ashpër e dënon agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës, i cili përfaqëson kërcënim edhe për paqen dhe stabilitetin rajonal.
“Këshilli i Ambasadorëve i bën thirrje Rusisë që ta respektojë integritetin dhe sovranitetin territorial të Ukrainës si dhe të drejtën e popullit ukrainas që vetë të vendosë për të ardhmen e tij dhe për të ardhmen e vendit të tij. Këshilli i jep mbështetje të fuqishme morale popullit ukrainas në luftën e tij për liri dhe pavarësi dhe i përshëndet hapat e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për përfshirje drejtë masave për vendosje të sanksioneve drejtë Rusisë e cila po bën agresion të paparë pas Luftës së Dytë Botërore drejtë një vendi paqësor fqinj”, njoftojnë nga Këshilli i Ambasadorëve.