E premte, 26 Korrik, 2024

PAKOJA EKONOMIKE, NJË “MAKIJAZH” I QEVERISË

Masat e ndërmarra nga qeveria, që tashmë u miratuan në parlament, për qytetarët mbeten një “makijazh” për të “minimizuar pakënaqësinë dhe revoltën e qytetarëve”. Ata thonë se qeveria shumë pak u ka dalë në ndihmë ndërkohë që vlerësojnë si pozitive ndalimin e importit që ndikon në ruajtjen e rezervave dhe që çmimet mos rriten në të ardhmen. Sipas tyre, përkundër faktit se qeveria thotë se ka ngrirje të çmimeve, në realitet është krejt ndryshe, sepse çmimet janë rritur gjatë gjithë kohës.

Shkruan: Gentuar Ismaili

Pas rritjes enorme te çmimeve të produkteve elementare dhe rritjes së çmimeve të derivateve të naftës me pakicë, Qeveria e RMV-së,  miratoi një pako anti-krizë. Ajo përmban 26 pika, e që ka për qëllim t’i ndihmojë qytetarëve që ta tejkalojnë krizën më lehtë dhe që të ruhet likuiditeti financiar. Të premten vonë në Kuvend kaluan edhe ndryshimet ligjore për TVSH-në e produkteve ushqimore dhe akcizën e derivateve.

Abdulla Rexhepi qytetar, thotë se qeveria asnjëherë nuk ka qenë në ndihmë të qytetarëve, kurse pakoja ekonomike është sa për sy e faqe, për ta minimizuar pakënaqësinë dhe revoltën qytetare.

“Qeveria e RMV-së nuk ka qenë asnjëherë në ndihmë të qytetarit, e as që do të jetë me këtë mendësi politike. Pakoja ekonomike e Qeveris është njëlloj makijazhi për të minimizuar pakënaqësinë e revoltën qytetare”, thotë Rexhepi.

Besnik Shuki qytetar tjetër,  thotë se krahas përpjekjeve modeste të qeverisë, ajo ka dështuar  në ndihmën ndaj qytetarëve.  Kurse për masat, thotë se ato, mund të pengojnë veprimet spekulative të tregtarëve.

“Mendoj se krahas veprimeve modeste te Qeveris, ajo ka dështuar në ndihmën ndaj qytetareve. Pasi që edhe Ukraina edhe Rusia janë faktor të rëndësishëm global në aspektin e tregtisë,  shumë qartë lufta mes dy vendeve ndikon dhe do të ndikoj në të ardhmen në rritjen e çmimeve. Mendoj se masat e reja ndikojnë në aspektin pozitiv sepse ndalon importin e mallrave bazike, miellit, misrit dhe grurit, ndikon në ruajtjen e rezervave dhe do të pengojë veprimet spekulative të tregtarëve”.

Edhe Genc Ferati  qytetar, mendon  se  qeveria nuk ka qenë në ndihmë të qytetarëve, kurse lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka ndikuar negativisht tek ne sepse pagat te ne janë më të vogla se në vendet tjera.

“Mendoj se Qeveria nuk ka qenë vigjilente ndaj qytetarëve gjatë krizës ekonomike në vendin tonë. Në njërën anë autoritetet thoshin se janë ngrirë çmimet, kurse nga ana tjetër ne si qytetarë nuk e kemi ndjerë këtë pasi që ne përkundër kësaj kemi blerë me çmime më të larta. Lufta midis Ukrainës dhe Rusisë ka ndikuar negativisht tek ne pasi që ne kemi standard më të ulët ekonomik për dallim prej vendeve tjera. Kurse pakoja ekonomike është qesharake”.

Përndryshe, kjo pako Qeveris do t’i kushtoj 400 milion, kurse mjeteve janë siguruar nga buxheti shtetit.

 

Të fundit