Shkruan: ELJESA DERVISHI
Disa nga kompanit bankare i kanë shërbimet në gjuhën shqipe, ndërsa disa të tjera jo. KDP ka dërguar pyetje në adresë të tyre se pse nuk përdorin shqipen konform ligjit, por pas disa dit pritjeje nuk kemi përgjigje nga ana e tyre.
Edhe pse kanë numër të konsiderueshëm të klientëve të tyre janë shqiptarë etnik, shumë kompani banka nuk e përdorin gati askund gjuhën shqipe. Mbishkrimet, logot por edhe emrat e punonjësve janë të shkruar vetëm në gjuhën maqedonase.
Monitorimi i KDP për shkallën e përdorimit të shqipes rezulton se këtë gjuhë nuk e respektojnë, në tërësi apo pjesërisht, këto banka: NLB Banka, Sparkasse Banka, TTK Banka dhe Stopanska Banka. Ndërkohë shqipja përdoret në tërësi apo pjesërisht në Pro Credit Bank, Komercialna Banka, Halkbanka dhe Uni Banka.
Indiferenca e tyre vazhdon për të mos u përgjigjur pyetjeve të cilat u janë drejtuar nga redaksia e KDP-së. Vetëm NLB Banka, edhe pse pa një përgjige konkrete, ka pranuar kërkesën për të dërguar përgjigje në dy pyetje që i’u kemi parashtruar:
1.Pse nuk përdorin gjuhën shqipe për të komunikuar më mire me klientët tuaj shqiptarë etnik?
2. A jeni të detyruar të zbatoni Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve?
Profesori Universitar, Sefer Tahiri, tha për KDP se mospërdorimi i gjuhës shqipe nga kompanitë që kanë klient shqiptarë tregon se disa nga këto subjekte nuk mund të shkëputen nga mentaliteti i vjetër i dominimit gjuhësor.
“Mospërdorimi i gjuhës shqipe nga kompanitë e mëdha, të cilat kanë shumë klientë shqiptarë, flet vetvetiu për qasjen retrogarde dhe anti-ekonomike të tyre, sepse nëse niseni nga parimi i ekonomisë së tregut, duhet ti ofrojnë qytetarit apo klientit shërbime dhe prodhime në gjuhën e tij amtare, me qëllimin vetëm që komunikimi në biznes të jetë efikas. Ka të ngjarë, se disa kompani nuk mund të shkëputen nga mentaliteti i vjetër politik, i cili anashkalonte gjuhën shqipe, edhe në segmente që ishin jetike për shqiptarët!” , tha Sefer Tahiri.
Ai është shprehur se kjo praktik duhet të ndryshojë, pasi e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe nuk duhet të shihet si e drejtë politike apo ligjore.
“Kjo praktikë duhet të ndryshojë, sidomos nga kompanitë dhe në veçanti nga bankat, të cilat ofrojnë shërbime të shtrejnta, pasi e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe nga këto kompani nuk duhet të shihet si e drejtë politike apo ligjore, por më shumë duhet të nisen nga pragmantizmi dhe përfitimet, që natyrshëm varen shumë midis tjerash edhe nga komunikimi fikas dhe efektiv me klientët,” u shpreh Tahiri për KDP.