E premte, 26 Korrik, 2024

PARATË UA DUAN, POR JO EDHE GJUHËN: PSE KOMPANITË E MËDHA NUK E PËRDORIN SHQIPEN?

SHKRUAN: ELJESA DERVISHI

 

Edhe pse kanë numër të konsiderueshëm të klientëve shqiptarë, shumë kompani të mëdha nuk e përdorin gati askund gjuhën shqipe. Në faqet elektronike të pjesës më të madhe të tyre versionin në gjuhën shqipe nuk e gjen dot, ndërsa në disa faqe të tjera është e vendosur vetëm formalisht.

KDP monitoroi disa faqet në internet të kompanive të mëdha. Shumë pak prej tyre kanë version të web-faqes edhe në shqip, ndërkohë që kanë në gjuhën angleze. Mbishkrimet, logot por edhe emrat e punonjësve janë të shkruar vetëm në gjuhën maqedonase. Komunikimi i punëtorëve që nuk e njohinh gjuhën shqipe me blerësit në rajonet ku ka numër të konsiderueshëm të shqiptarëve etnik, apo ku ato janë shumicë, poashtu zhvillohet në gjuhën maqedonase. Shumë pak nga këto punonjës e njohin gjuhën shqipe, gjë që krijon probleme në komunikimin me blerësit.

KDP u drejtoi pyetje konkrete kompanive që nuk kanë një version në shqip të web—faqeve të tyre, por vetëm nga njëra prej tyre mori përgjigje. Kompanitë si LUKOIL, Makpetrol, Beko, TehnoMarket, Setec dhe NLB Banka kanë pranuar një kërkesë nga redaksia për të marrë përgjigje në këto dy pyetje:

  1. Pse nuk përdorni edhe gjuhën shqipe për të komunikuar më mirë me klientët tuaj shqiptarë etnik?
  2. A jeni të detyruar të zbatoni Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve?

E vetmja e cila ka dhënë përgjigje është Setec, ndërkohë që NLB Banka vetëm paralajmëroi se “do të kemi një përgjigje”.

Tatiana Kuzmanoska nga Setec është shprehur se si kompani private operojnë sipas të gjitha ligjeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe se nuk i ndajnë klientët sipas përkatësisë politike, etnike apo fetare.

“Ne si kompani private me përgjegjësi shoqërore operojmë sipas të gjitha ligjeve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe klientët tanë i trajtojmë në mënyrën më të përshtatshme sipas mundësive tona dhe asnjëherë nuk i ndajmë sipas përkatësisë politike, etnike dhe fetare. Natyrisht, në të ardhmen planifikojmë të zhvillohemi në atë drejtim dhe t’u mundësojmë pjesëtarëve të etnive të tjera të komunikojnë në gjuhën e tyre amtare, por siç e dini, kjo kërkon kohë dhe burime”, tha Kuzmanoska për KDP.

Nga ana tjetër, ekspertët e komunikimit thonë se kjo logjikë e funksionimit të këtyre kompanive nuk është aspak ekonomike dhe shkon në dëm edhe të tyre, edhe të blerësve shqiptarë.

Profesori Universitar, Sefer Tahiri, tha për KDP se mospërdorimi i gjuhës shqipe nga kompanitë që kanë  klient shqiptarë tregon se disa nga këto subjekte nuk mund të shkëputen nga mentaliteti i vjetër i dominimit gjuhësor.

Sefer Tahiri

“Mospërdorimi i gjuhës shqipe nga kompanitë e mëdha, të cilat kanë shumë klientë shqiptarë, flet vetvetiu për qasjen retrogarde dhe anti-ekonomike të tyre, sepse nëse nisen nga parimi i ekonomisë së tregut, duhet t’i ofrojnë qytetarit apo klientit shërbime dhe prodhime në gjuhën e tij amtare, me qëllimin e vetëm që komunikimi në biznes të jetë efikas. Ka të ngjarë, se disa kompani nuk mund të shkëputen nga mentaliteti i vjetër politik, i cili anashkalonte gjuhën shqipe, edhe në segmente që ishin jetike për shqipëtarët!”, tha Sefer Tahiri.

Ai është shprehur se kjo praktik duhet të ndryshojë, pasi e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe nuk duhet të shihet si e drejtë politike apo ligjore.

“Kjo praktikë duhet të ndryshojë, sidomos nga kompanitë dhe në veçanti nga bankat, të cilat ofrojnë shërbime të shtrenjta, pasi e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe nga këto kompani nuk duhet të shihet si e drejtë politike apo ligjore, por më shumë duhet të nisen nga pragmantizmi dhe përfitimet, që natyrshëm varen shume midis tjerash edhe nga komunikimi fikas dhe efektiv me klientët,” u shpreh Tahiri për KDP.

Profesori Universitar, Faton Murseli, tha për KDP se sa i përket kompanive private, kjo qështje u takon sektorëve të mardhënieve me publikun dhe marketingun e kompanive.

Sa i përket kompanive private përdorimi i gjuhëve u takon sektorëve të mardhënieve me publikun dhe marketingun e kompanive. Mendoj që për shkaqe të papërcaktuara mirë, shpesh herë banale, të tipit të frustracioneve vërehet shpesh mospërdorimi i gjuhës shqipe në kompanitë e mëdha private. Majde kjo vërehet edhe në pjesën perëndimore të RMV-së ku shumica e qytetarëve apo e konsumatorëve janë të etnitetit shqiptar”, tha Faton Murseli.

Faton Murseli

Ai është shprehur se edhe vetë personalisht në Tetovë ballafaqohet nga mospërdorimi I gjuhës shqipe, ku shumica e të punësuarve të kompanive janë shqiptarë. Gjithashtu, ai ka theksuar se nuk ka informata se a është kjo një arsye për t’u denoncuar në organet kompetente si në Inspektoriatin e Tregut.

“Unë personalisht në Tetovë ballafaqohem me tendencat e përdorimit të njëgjuhësisë në kompani të mëdha, tek të cilat madje shumica edhe e të punësuarve janë shqiptar. Për shembull, në dyqanet e supermarketeve Vero, përveç kësaj në një kënd janë të ekspozuara dhe libra për shitje, të gjitha me autorë dhe në gjuhën maqedonas. Nuk kam informata a është kjo një arsye për t’u denoncuar në organet kompetente si për shembull në Inspektoriatin e tregurt”, tha Murseli për KDP.

Ndryshe, me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, i sjellë në vitin 2017, vetëm institucionet shtetërore dhe publike obligohen që të përdorin edhe gjuhën shqipe në komunat ku ka së paku 20 për qind shqiptarë. Kompanitë janë lënë të rregullojnë këtë çështje vetëm në bazë të logjikës së biznesit, apo të respektimit të gjuhës së klientëve.

Të fundit