E shtunë, 27 Korrik, 2024

SANKSIONET GODITJE “BRUTALE” PËR RUSINË

Në kohën që qeveritë e botës demokratike po vendosin sanksione të forta ndaj Rusisë, analistët politik e shohin këtë si një mundësi për ta parandaluar pushtimin e Ukrainës dhe për ta izoluar Putinin. Ata gjithashtu shfaqin shqetësimin për narrativat anti-perëndimore të disa subjekteve politike në Maqedoninë e Veriut, siç është rasti me liderin e së Majtës, Apasievin, i cili manifeston një “lloj ironie të mbështjellë me cinizëm”, duke krahasuar stuata të pakrahasueshme siç është rasti me agresionin ndaj Ukrainës nga Rusia dhe çlirimit të Kosovës

Shkruan: Enis Shaqiri

Teksa lufta në Ukrainë ka hyrë në javën e saj të dytë, shtetet evropiane janë duke e “bombarduar” Rusinë me sanksione ekonomike. Qeveria e Britanisë së Madhe ka njoftuar opinionin e gjerë për një raund shtesë sanksionesh kundër Rusisë .Qeveria tha se synon të izolojë më tej ekonominë e Rusisë nga sistemi financiar ndërkombëtar. Me sanksionet e reja kompanitë ruse në industrinë e aviacionit dhe hapësirës nuk do të kenë më qasje në shërbimet e sigurimit ose risigurimit me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, qoftë drejtpërdrejt apo tërthorazi.
Xhenur Iseni analist politik dhe politolog, këto sanksione të perëndimit i sheh si një goditje brutale ndaj qeverisë moskovitë. Ai thotë se çdo e drejtë është në anën e Ukrainës, vetëm forca është në anën e Rusisë. “Absolutisht se këto sanksione japin një goditje të fortë ndaj Rusisë në ekonominë e saj, gjithë ky izolim nga Perëndimi ka shkaktuar edhe nervozë te vetë Putini. Por ajo që më së shumti shqetëson se lufta çdo ditë po bëhet edhe më e ashpër saqë zgjidhja më pak e keqe për Ukrainën tash duket të kapitullojë sa më shpejtë dhe të kursehet nga gjakderdhja, sepse mund të shkojnë mijëra njerëz gjersa sanksionet bankare të Perëndimit të japin ndonjë rezultat. Sanksioni më i madh do të ishte, që ende nuk është vonë, që Ukraina të ishte anëtarësuar në NATO por dhe në BE”, thekson Iseni.

Nëse Ukraina do të ishte anëtarësuar në NATO, thotë ai,  atëherë do të ishte një histori tjetër, kjo nuk do të kishte ndodhur. “Kjo është arsyeja pse Bashkimi Evropian tani duhet të nxjerrë leksionin, të mbyllë sytë nëse është e nevojshme ndaj kritereve të Kopenhagës dhe të fillojë sa më shpejt integrimin e Ballkanit Perëndimor. NATO duhet të shqyrtojë edhe Kosovën, gabimet e vjetra nuk guxojnë të bëhen”, thekson Iseni
Analisti Iseni nuk pret ndonjë rezultat nga bisedimet mes delegacionit të Ukrainës dhe Rusisë, për faktin  se sulmet ruse nuk ndalojnë ndaj Ukrainës, kjo gjë tregon se Rusia me këto sulme dëshiron t’i bëjë me dije por dhe presion palës ukrainase se nuk heqë dorë nga ajo që ka nisur, dhe se kërkesat e saja duhet të pranohen.

“Pala ukrainase deri më tani nuk ka treguar ndonjë gatishmëri për t’i pranuar gjitha kërkesat e palës ruse. Edhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia duhet t’i ndalojë bombardimet e qyteteve ukrainase, përpara se të nisin bisedimet për armëpushim, por kjo nuk ka ndodhur, dhe nuk është e rastësishme”, thotë Iseni.  

Sipas Isenit, edhe pse Putinit nuk i kanë dalë planet e tij për një pushtim të menjëhershëm, ai tashmë është i zemëruar por edhe i frikësuar, ndërsa ky frikësim i tij mund të tremb për ndonjë hap edhe më “vdekjeprurës” në këtë konflikt. Andaj edhe nga ky takim, njëjtë sikur në takimin e parë nuk pres ndonjë rezultat pozitiv. 

Është e qartë se pala ukrainase mund të bëjë rezistencë të kufizuar dhe se ka pasur disa skenarë ku mund të përfundojë, sepse kjo do të jetë faza e parë pas së cilës do të duhet të ulet sërish. Si të gjitha konfliktet, edhe ky do të përfundojë aty, por është e rëndësishme nëse do të përfundojë nga perspektiva, nëse do të pushtojnë vetëm një pjesë të Ukrainës, apo të gjithë Ukrainën etj. Unë mendoj se ai përfundimisht do të dëshirojë të ulet në tryezë, por ai dëshiron të ulet në tryezë me karta shumë më të forta se ato që ka, në kushtet e tij, këtu flas për Putinin”, thotë Iseni
Siç mësohet tashmë bisedimet e raundit të dytë janë zhvilluar pikërisht në drejtim të këtij interpretimi dhe parashikimi të agresionit rus në Ukrainë.
Politologu Iseni së fundmi  gjithashtu komentoi situatën edhe në Maqedoninë e Veriut. Shqetësuese për të është një anketë e publikuar që rezultonte me një përqindje pak a shumë të madhe të qytetarëve që kanë mendësi ruse. Ai vë në dukje cinizmin e kryetrarit të partisë “E Majta”, Apasievit, i cili e bënë për të krijuar narrativin e një “anti-imperializmi” duke e krahasuar pushtimin e Rusisë me çlirimin e NATO-s në Kosovë.
“Është shqetësuese në një anketë të publikuar shumë qytetarë kanë mendësi ruse. Ballkani ka shumë çështje të pazgjidhura ose çështje gjysmë të hapura. Kryetari i të Majtës, Apasievi përmes një postimi në rrjetet sociale me një ironi të mbështjellë me cinizëm po krijon narrativin e një “anti-imperializmi” duke e krahasuar pushtimin e Rusisë me çlirimin e NATO-s në Kosovë. Domethënë ne nuk po flasim për çfarëdo individ, por për deputetë, partia e të cilit në zgjedhjet lokale është radhitur si e treta në Maqedoninë e Veriut” ka theksuar Iseni për KDP.

 

 

Të fundit