Dorëzimi i kërkesës së presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenskiy, për anëtarësimin e vendit të tij në BE, aplikimi zyrtar i Gjeorgjisë për anëtarësim, paralajmërimet nga Kosova se do të aplikojë për anëtarësim krahas thirrjeve që këtyre vendeve t’u jepet me një procedurë të shpejtuar statusi i kandidatit, e kanë kthyer në një mënyrë të papritur në fokus përsëri procesin e zgjerimit.
Por, në selinë e BE-së duan që të ulin pak pritjet dhe deklaratat të kuptohen më shumë si “porosi politike” sesa marrje e ndonjë obligimi formal në procesin e zgjerimit.
Ky është një proces në të cilin deri më tash Bashkimi Evropian ka qenë shumë skeptik. Dhe, nuk i ka përmbushur premtimet as ndaj vendeve, të cilat para shumë vitesh kanë kërkuar anëtarësim, ndërsa ka refuzuar kategorikisht që të marrë obligime të reja.
Presidenti i Ukrainës kërkon anëtarësim në BE
Shembulli më i mirë është Maqedonia e Veriut, e cila para 18 vjetësh ka dorëzuar kërkesën formale për anëtarësim në BE, por ende nuk i ka nisur negociatat e anëtarësimit ndërkohë që disa vite me radhë Komisioni Evropian ka konfirmuar se ky shtet i ka përmbushur të gjitha kushtet dhe ka rekomanduar hapjen e negociatave. E njëjta vlen edhe për Shqipërinë.
Pavarësisht kësaj janë rritur thirrjet që tash, duke marrë parasysh ndryshimet dramatike që po ndodhin në Evropë pas agresionit rus në Ukrainë, të ndryshohet qasja dhe të përshpejtohet ky proces. Janë disa liderë të shteteve anëtare të BE-së, kryesisht nga Evropa lindore, që kanë kërkuar që Ukrainës t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE. Ka pasur edhe të tillë, si presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, që kanë kërkuar edhe hapjen urgjente të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe dhënien e statusit të kandidatit Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.
Edhe Parlamenti Evropian, me një Rezolutë të veçantë, e cila megjithatë nuk është obliguese për vendet anëtare, ka kërkuar statusin e vendit kandidat për Ukrainën.
PE i shqetësuar rreth përpjekjeve ruse për destabilizim të Ballkanit P.
Por, në BE thonë se “asgjë nuk ka ndryshuar në proces” dhe se vendimet për këtë merren në nivelin më të lartë politik, pra nga liderët e vendeve anëtare në Këshill.
Kërkesa e Ukrainës për anëtarësim ishte inkurajuar edhe nga vetë presidentja e Komisionit Evropian. Megjithatë ajo disa ditë më vonë, nëpërmjet zëdhënësit të saj, i ka ulur pritjet duke e paraqitur këtë vetëm si një “nisje të procesit”.
“Von der Leyen ka thënë se nuk ka dyshim se këta njerëz të mëdhenj në Ukrainë, që mbrojnë vlerat tona me jetën e tyre, e kanë vendin në familjen tonë. Me dërgimin e letrës nga presidenti Zelenskiy, është nisur procesi dhe ne do ta diskutojmë me shtetet anëtare. Fokusi ynë është që ta ndalim luftën”, ka thënë Eric Mamer, zëdhënës i Komisionit Evropian.
Von der Leyen: Ukraina i takon BE-së
“Mesazhi kryesor këtu është se ne e kuptojmë faktin se kërkesa e Zelenskiyt ka nisur procesin dhe faza e parë është të ketë diskutim nga liderët e vendeve të Bashkimit Evropian. Po flasim për situatën, e cila vazhdimisht ndryshohet. Kemi situatë të jashtëzakonshme, agresion të Rusisë ndaj Ukrainës. Presidentja ka thënë se hapi i parë është bërë dhe nuk mund të themi asgjë më shumë në këtë moment”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit.
Shumë zyrtarë të BE-së kanë thënë se “na vjen mirë kur shtetet aplikojnë, sepse kjo dëshmon se ne jemi një familje ku ata dëshirojnë të jenë” pra kanë hezituar të bëjnë premtime se aspiratat e tyre për anëtarësim në BE mund të realizohen edhe formalisht.
Procedurat e aplikimit
Sipas procedurave, aplikacioni i një vendi për anëtarësim në BE i dorëzohet Këshillit, konkretisht Presidencës së radhës, e pastaj ajo ia përcjell sekretariatit të Këshillit. Më vonë me unanimitet vendos këshilli, ku duhet mbështetja e të gjitha vendeve anëtare.
Zgjerimi i kushtëzuar i BE-së
KE: Ballkani Perëndimor me pak përparim në rrugën drejt BE-së
Në BE thonë se e kanë njohur gjithmonë të drejtën e secilit shtet të vendosë për fatin e vet dhe liderët evropianë i kanë njohur “aspiratat evropiane” të njerëzve në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji.
Burimet në BE deri tash kanë thënë se duhet bërë një dallim të qartë në qasje për vendet e Ballkanit Perëndimor, që janë të përfshira në procesin e zgjerimit, me vendet e “fqinjësisë lindore”, që janë të përfshira në pjesën e “politikës së fqinjësisë evropiane”.
Përderisa për vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka pasur dyshime se mund të kandidojnë dhe një ditë të bëhen anëtare të BE-së, një gjë e tillë nuk është thënë asnjëherë për tri vendet e fqinjësisë lindore; Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë. Të tria këto vende, mes tjerash, kanë pjesë të territorit të cilin nuk e kontrollojnë. Por, ekspertët përmendin se BE-ja “tashmë ka një precedent, e ai është rasti i Qipros së veriut, i kontrolluar nga turqit qipriotë, e që Qipro dhe BE-ja e konsiderojnë si territor të okupuar”.
Përderisa në rastin e vendeve të Ballkanit ajo që përmendet gjithmonë është “perspektiva evropiane”, fjalori që është përdorur për shtetet e fqinjësisë lindore ka qenë se “përshëndeten aspiratat evropiane”.
Ka pasur pyetje në selinë e BE-së dhe se a ka tash vullnet politik për të shpejtuar procesin zgjerimit, përfshirë edhe për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi me vullnet politik gjërat në BE mund të ndryshojnë, siç kanë ndryshuar kur BE për herë të parë ka pranuar që të dërgojë edhe armë si ndihmë, duke thyer një tabu.
Kosova s’ka gjasa reale për statusin e vendit kandidat
“Nuk ka ndryshuar asgjë në qasjen tonë në proces, me përjashtim që presidentja ka folur lidhur me një çështje specifike, e që është agresioni ndaj Ukrainës”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer.
Sa i përket kërkesës së mundshme të Kosovës për anëtarësim sfidat janë të një natyre krejtësisht specifike. Si pjesë e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kosova përfshihet tashmë në procesin e zgjerimit. Por, pasi nuk është njohur nga të gjitha vendet anëtare, e vendimet në proces merren në mënyrë unanime, nuk mund të parashihet se si do të ishte reagimi i BE-së, në radhë të parë i vendit që ka kryesimin e radhës, e pastaj edhe i Këshillit.
Kosova është i vetmi vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor që nuk ka bërë kërkesë formale për anëtarësim në BE. Bosnja e Hercegovina është e vetmja nga ato që e kanë dorëzuar një kërkesë të tillë, por nuk i ka përmbushur akoma kushtet për të marrë statusin e kandidatit. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e kanë statusin e vendit kandidat, por nuk i kanë nisur negociatat.
Të vetmet vende që janë duke i vazhduar negociatat e anëtarësimit janë Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa ato me Turqinë praktikisht janë suspenduar. Islanda ka qenë vend me status kandidati, i kishte nisur negociatat, por në mënyrë të njëanshme është larguar nga to dhe ia ka hequr vetes statusin e vendit kandidat duke u shprehur se nuk synon më anëtarësimin në BE.