E premte, 13 Dhjetor, 2024

NDALIM PËR MEDIAT E PROPAGANDËS RUSE

Bashkimi Europian ka ndërmarr masa për ndalimin e mediave ruse, të cilat përhapin gënjeshtra për të justifikuar luftën e Putinit. Në këtë linjë edhe qeveria e Maqedonsë së Veriut ka sjellë vendim dhe iu rekomandon  operatorëve kabllor të ndalojnë transmetimet e kanaleve ruse. Ndërkohë edhe Komisioni i Pavarur i Mediave në Kosovës ka vendosur për largimin e përkohshëm nga transmetimi të të gjitha kanaleve me origjinë nga Federata Ruse, me qëllim, siç është thënë, parandalimit të propagandës dhe mbrojtjes së sigurisë publike në Kosovë dhe Ballkan

Shkruan: Enis Shaqiri

Bashkimi Evropian dita -ditës po ashpërson masat kundër agresionit rus, ndërkohë që paralelisht po e rrit mbështetjen për Ukrainën.
Si pjesë e sanksioneve të radhës është edhe ndalimi i mediave ruse në Evropë. Parlamenti Europian ka kërkuar vazhdimisht që të miratohet një strategji kundër propagandës armiqësore nga Moska.
“Kompanitë shtetërore Russia Today , Sputnik dhe filialet e tyre,nuk do të jenë më në gjendje të përhapin gënjeshtrat e tyre për ta justifikuar luftën e Putinit. Ne po zhvillojmë mjete për ta ndaluar dezinformimin e tyre toksik dhe të dëmshëm në Evropë”, ka theksuar presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen.
Ajo ka bërë të ditur se nga këto sanksione do të goditet edhe regjimi i Aleksandër Lukashenkos në Bjellorusi.
“Ne do të synojmë agresorin tjetër në këtë luftë, regjimin e Lukashenkos, me një paketë të re sanksionesh, duke goditur sektorët e tyre më të rëndësishëm. Të gjitha këto masa vijnë në krye të paketës së fortë të paraqitur dje, të rënë dakord nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka theksuar Ursula von der Leyen.
Në linjë me këto ndalime të mediave ruse, edhe  Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka sjellë vendim me çka iu rekomandohet operatorëve kabllor të ndalojnë transmetimet e kanaleve ruse në platformat e tyre kabllovike.
Poashtu është konstatuar që ky vendim për momentin të jetë veçse rekomandim, pasiqë Qeveria nuk gëzon kësi lloje dispozitash, për t’i urdhëruar operatorë kabllor, për një vendim të tillë.
Ndërkohë pritet që  Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele të dalë me një qëndrim të prerë.
Ndërsa Komisioni i Pavarur i Mediave në Kosovës ka vendosur më 26 shkurt për largimin e përkohshëm nga transmetimi të të gjitha kanaleve me origjinë nga Federata Ruse, me qëllim, siç është thënë, parandalimit të propagandës dhe mbrojtjes së sigurisë publike në Kosovë dhe Ballkan.
Së fundmi Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka njoftuar se Maqedonia e Veriut do të ndalojë aeroplanët rusë në hapësirën ajrore .
“Maqedonia e Veriut sapo ka vendosur t’u bashkohet shteteve të tjera të BE-së në ndalimin e linjave ajrore të Rusisë nga hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Osmani.
Ministria për Punë të Jashtme u bën thirrje qytetarëve të RMV-së që qëndrojnë në territorin e Federatës Ruse që të përdorin fluturimet komerciale ende të disponueshme, tokësore dhe detare, për t’u larguar nga ai vend. Ky paralajmërim vjen pas mundësisë së një ndërprerjeje të plotë të fluturimeve drejt dhe nga Rusia.
Mes Shkupit dhe Moskës fluturimet realizohen nga aviokompania ruse “Northwind”.

Të fundit