E diel, 19 Maj, 2024

DIMENSIONET INTERKULTURORE NË KRITIKËN E KUTELIT

“Tjetri” në konceptin estetik të Kutelit, gjithnjë shfaqet si vlerë, si një “unë” që pretendon të identifikohet me ato dimensione, të cilat Kuteli tashmë i ka përvetësuar dhe i ka bërë pjesë të ndjeshmërisë së tij krijuese, por edhe si objekt studimi në kritikën e tij. “Tjetri” vjen natyrshëm si shfaqje letrare, si domosdoshmëri, si prurje nga një letërsi tjetër në universin e leximeve letrare shqiptare

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Kuteli gjithsesi nuk është fenomen i izoluar, përkundrazi është fenomen i hapjes, përkimeve i interkomunikimit kulturor dhe letrar. Ai e shtrin preokupimin kritik dhe letrar te “tjetri” që përfaqëson vlerë, te kultura e “tjetrit”, te prodhimi letrar i “tjetrit”, që është i ndryshëm në identitetin e tij kulturor, por që vjen si prurje letrare në botën shqiptare. Shkrimtaria e tij kritike do të përkapë letërsinë e popujve të tjerë, së cilës ai do t’i falet dhe për të cilën do të shkruaj me aq thellësi dhe përkushtim.

Sigurisht, “tjetri” në konceptin estetik të Kutelit, gjithnjë shfaqet si vlerë, si një “unë” që pretendon të identifikohet me ato dimensione, të cilat Kuteli tashmë i ka përvetësuar dhe i ka bërë pjesë të ndjeshmërisë së tij krijuese, por edhe si objekt studimi në kritikën e tij. “Tjetri” vjen natyrshëm si shfaqje letrare, si domosdoshmëri, si prurje nga një letërsi tjetër në universin e leximeve letrare shqiptare.

I tillë vjen Eminesku, me gjithë fuqinë e tij krijuese në kritikën e Kutelit. Ai vjen si një përzgjedhje që e ka frymëzuar, si një krijimtari shumëdimensionale, por edhe për shkak të një simpatie që ka treguar ndaj kombit shqiptar:

“Shkaku i parë është bukuria e përsosur e veprës së Eminescu-t. Kjo bukuri e ka robëruar shkrimtarin e këtyre radhëve që në moshën e njomë kur pat filluar lëçitjen e Eminescu-t. Dyke e lëçitur dhe rilëçitur këtë veprë me etjen e të riut ,filloi ta dijë përmendsh, edhe, dyke e ditur përmendsh as ay vetë s’di se qysh, filloi ta shqipërojë. Andaj pjesa më e madhe e këtyre shqipërimeve nuk janë pema e një pune methodike, të organizuar, përpara tryezës, po fryti i vetmisë kur vepra e Eminescu-t mirrte, afron vetvetiu, kallëpet e shqipes, ku më mirë e ku më çale. I dyti shkak është zbulimi, në vëzhgim e sipër, i një simpathije të veçantë që ka patur poeti rumun për kombin shqiptar[1].

Pikërisht në gjithë shpjegimin në parathënien mbi Emineskun, Kuteli shfaq njëjtësimin e tij të plotë me “tjetrin” si shpirt krijues, si botëkuptim dhe frymëzim njëkohësisht. Një interkulturalitet i jashtëzakonshëm që teorikisht shpjegohet nga Micheal Hofmann, në studimin e tij “Interkulturaliteti, tjetërsia, ndryshmëria”:

“Filozofia e ‘tjetrit’ që e zhvilluan Bernhard Waldenfels dhe në veçanti Emmanuel Lévinas niset nga teza themelore se takimi me “tjetrin” paraqet përvojë origjinale pa të cilën konstituimi i shprehjes “unë” mbetet i paimagjinueshëm. Përkundër filozofisë tradicionale të vetëdijes që buron nga ekzistenca e vetëdijes dhe që më pas duhet të zgjidhë problemet me “tjetrin” (subjektin tjetër aspak nuk mund ta njoh), ky koncept filozofik përfshin synimin për ta njohur tjetrin si e dhënë themelore e ekzistencës njerëzore dhe përgjigje ndaj “tjetrit”, njëkohësisht si një konstituim i vetes. Kështu, në këtë pikëpamje, tjetërsia “unë” puqet me tjetërsinë “tjetri” dhe gjatë këtij takimi të “tjerët” që pohojnë se janë një “unë”, që në vete janë identik dhe që nuk tregojnë asnjë shenjë tjetërsie, gjithnjë puqen me tjetërsinë “unë” “[2].

Sensin e tij interkulturor, Kuteli do ta shfaqte edhe në parathëniet mbi Shevçenkon dhe Gogolin. Kuteli depërton te tjetri, bëhet pjesë e atij universi, mallëngjehet dhe e admiron për kulmet letrare. Interkulturaliteti i Kutelit shtrihet në dimensionin letrar, por në të njëjtën kohë edhe në dimensione të tjera që e kanë prodhuar atë letërsi. Në parathëniet e tij mbi letërsinë e “tjetrit” ai njëjtësohet plotësisht, duke mos njohur barrierat, por gjithnjë duke kërkuar esencat dhe ato bukuri të sipërme, të cilat më pas i përshkruan dhe i analizon nëpërmjet një ligjërimi origjinal që gërsheton stilin e tij si krijues dhe dijen e tij si kritik letrar.

Në këto koordinata, prurjet, gjegjësisht përkthimet e krijimtarisë së “tjetrit” si subjekt interkulturor, Kuteli përveç që i vlerëson si maja të letërsisë, në të njëjtën kohë i kontekstualizon, duke kërkuar që “maja” të tillë të shfaqen edhe në letërsinë shqipe. Kjo mund të shihet shumë qartë kur shkruan për “Frymët e vdekura” të Nikollaj Gogolit:

“Besoj se botimi shqip i “Frymëve të vdekura” nuk do ta arrinte qëllimin e tij në qoftë se nuk do të zgjonte hovin e shkrimtarëve tanë, për t’i hedhur një vështrim të thellë shoqërisë sonë të dikurshme, jo më pak të neveritëshme sesa ajo që përshkruan Gogoli, edhe për të nxjerrë sojesh Çiçikovët tanë. Do të kishim kështu një autopsi të shoqërisë së vjetër feudale-borgjeze me të gjitha mënxyrat e saj morale, politike dhe ekonomike”[1].

Siç mund të vërehet, Kuteli kurdoherë, vë në plan të parë përmasën letrare, duke shfaqur një vetëdije të plotë mbi vlerën e “tjetrit”, si një substancë që vjen nga një sistem tjetër kulturor dhe letrar, por që vjen me mesazhin e madh para lexuesit shqiptar, me gjithë gamën e shpjegimeve dhe analizës letrare që ai më pas e shpërfaq për lexuesin.

Gjithsesi interkulturaliteti në dijen mbi letërsinë shfaqet i ndryshëm nga interkulturaliteti në kuptimin klasik që nënkupton këmbim përvojash kulturore nga dy sisteme të ndryshme. Hofmann thekson se me dijen interkulturore mbi letërsinë zbatohet një nocion dialogues që mbështetet në mundësinë e autotematizimit të shoqërisë dhe ndërkohë hulumtohen ndryshimet kontekstuale të kuptimeve dhe njerëzve, të cilët lokalizohen si situatë dhe si shumështresim.

Pikërisht këtë dialog letrar e hap edhe Kuteli, duke përkthyer veprat e autorëve të huaj dhe njëkohësisht duke i vlerësuar ato në një kontekst të dhënë të shoqërisë shqiptare të asaj kohe. Kuteli përveç që e analizon veprën letrare të “tjetrit” si sistem autonom vlerash artistike, gjithashtu kërkon që ta tematizojë dhe ta kontekstualizojë në realitetin shqiptar.

Interkulturaliteti si dije letrare te Kuteli shfaqet në formë preferencash, identifikimesh krijuese, por në të njëjtën kohë edhe si një mundësi për të zgjeruar horizontin e pritjeve letrare dhe kulturore shqiptare. Sigurisht, siç thekson edhe Hofman, në interkulturalitetin letrar, kultura dhe letërsia kanë një raport specifik.

Në aspektin teorik, siç e thekson në një studim të saj, Sanda-Marina Badulescu, qasja interkulturore “është bërë e mundur në saje të përballjes, krahasimit me subjekte të tjera, kultura të tjera. Në këtë kontekst, “tjetri” bëhet pasqyrë për “veten”, ndërsa “vetja” një pasqyrë për “tjetrin”. Vetëm tjetri mund të na shohë në tërësinë tonë. Në mënyrë të ngjashme, ky qëndrim mund të lejojë ta shihni tjetrin në tërësinë e tij”[2].

Interkulturaliteti i Kutelit, në njëfarë mënyre mund të shihet edhe në disa momente të analizës krahasimtare që bën ai, sidomos në parathënien mbi poezinë e Nolit. Gjatë analizës së tij letrare të vjershës së Nolit “Moisiu në Mal”, Kuteli shfaq edhe një dimension tjetër në kritikën e tij, atë të analizës krahasimtare. Ai “Mosiun” e Nolit e krahason me “Moise” të Alfred de Vigny.

Nëpërmjet një analize të hollë dhe konceptuale, Kuteli paraqet dallimet mes këngëtimit poetik të dy krijuesve për të njëjtën temë biblike: “Afrohen që të dyja këto vepra-poemi i Alfred de Vigny-ut dhe vjersha e Nolit-sepse kanë si lëndë një rrëfim biblik; ngjitja e Mosiut në Mal, për të folur me Zotin. Largohen njëra nga tjatra përmjet tonit, përmjet shvillimit e përmjet përfundimit”[3]

Më pas gjatë kësaj analize krahasimtare, Kuteli ndalet në strukturën e brendshme të ndërtimit të poezisë, në pamjet që ofrojnë secila. Kuteli thekson se “ndryshimi midis tyre pra është substancial-si trajtim, si koncepcion dhe si ton”.

Po gjatë analizës së poezisë së Nolit “Moisiu në Mal”, mund të vërejmë edhe analizë krahasimtare që ndërlidhet me elemente të intertekstit: “Karakteristikë e saj, e sidomos e gjithë vjershave të Nolit, është pikërisht përsëritja e tingëjve, e fjalëve, e shprehjeve-mjet i aftë ky për të krijuar një atmosferë dhembje, torture e nervoziteti dhe të cilin e ka mësuar nga ay mjeshtri i mbaruar i dhembjes që është Edgar Allan Poe”[4].

Analizën krahasimtare, Kuteli do ta përdorë edhe gjatë analizës së dy elegjive kushtuar Bajram Currit dhe Luigj  Gurakuqit, të cilat i quan edhe si “vjersha binjake”. Pikërisht këto dy elegji do t’i krahasojë me pjesë nga vepra “Jul Qesari” e Shekspirit:

“Një ushëtimë e larguar, si intencion, mund t’i afrojë me fjalimin e Mark Antonit nga vepra Jul Qesari e Shakespeare-it. Largohen sojesh përmjet mënyrës indirekte që e përdor Shakespeare-i për lartësim gradual të fytyrës qesariane dhe mënyrës direkte, me sulm katilinar, që e përdor Noli. Stil e mjet diplomatik, përtej; sulm heroik, këndej”[5].

Në profilin e tij si kritik letrar, Kuteli shpërfaq një njohje të thellë të letërsisë së përbotshme, një njohje të thellë të veprave konkrete, duke evidentuar fragmente, detaje, koncepcione, tonalitete, të cilat më pas i përdorën në analizën e tij krahasimtare. Sigurisht, të gjitha këto nënshtresa përkimesh, por edhe këngëtimesh të ngjashme, Kuteli i kundron pikërisht në vijën e botëformimit letrar të Nolit, të përkthimeve të tij, të cilat shfaqen tashmë si frymëzime në krijimet e tij tërësisht origjinale, njashtu siç i përcakton në kritikën e tij Kuteli poezinë e Nolit dhe Lasgushit.

Kuteli me një shqisë të jashtëzakonshme kritiku letrar, por edhe me një mendje të hapur prej mendimtari dhe letrari do të analizojë gjithë ata emra nga letërsitë e huaja, që e bëjnë njërin ndër kritikët e parë që zbaton qasje interkulturore dhe krahasimtari siç definohet teorikisht si një mundësi për të qarkulluar teksti letrar dhe idetë.

“Koncepti interkulturor i studimit krahasimtar të letërsisë nxjerr në pah receptimin e hapur dhe komunikimin e papenguar të teksteve dhe ideve që qarkullojnë. Letërsia botërore kështu nuk ndryshon në një qark të mbyllur formash dhe strukturash, por më tepër ndryshon në një rrjet interliterariteti vlerash të barabarta që është një instrument në dialogun jo të dhunshëm të botëve dhe kulturave”[6].

Kështu e përkufizon qasjen interkulturore në studimet krahasimtare të letërsisë në studimin e tij Millosh Zelenka që mban titullin “Një perspektivë krahasuese në hulumtimin interkulturor dhe imazhologji”. Ky definim duket se i shkon kaq shumë Kutelit, kritikut që solli në gjuhën shqipe kaq përkthime, të cilat nëpërmjet parathënieve i vendosi në një dialog të përhershëm me lexuesin shqiptar.

Një vetëdije e lartë kritike, që ka kuptimin e letërsisë së përbotshme, e specifikave dhe përngjasimeve kontekstuale, e vlerave që përkufizohen si “maja” dhe që vijnë për të përmbushur në ambientin letrar shqiptar një boshllëk leximesh dhe interpretimesh.

 

Referencat:

1.Mitrush Kuteli, “Shënime letrare”, Tiranë, 2007, f.133

2.f ile:///C:/Users/user/Downloads/jat_prijelom_10_7_2013_10_34%20(1).pdf f.12

3.Mitrush Kuteli, “Shënime letrare”, Tiranë, 2007, f.174

4. http://conf.uni-ruse.bg/bg/docs/cp15/6.3/6.3-1.pdf

5. Mitrush Kuteli, “Shënime letrare”, Tiranë, 2007, f.55

6. Ibid, f.51

7. Ibid, f.47

8. https://pressto.amu.edu.pl/index.php/p/article/vieëFile/10263/9832

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Të fundit