E martë, 21 Maj, 2024

KRONIKA E NJË VITI TË MBRAPSHTË

Viti paraprak dhe ky që po e lëmë pas e goditën rëndë jetën njerëzore. Një goditje fatale ishte për gjithë sistemin e shëndetësisë, por edhe të ekonomisë që rëndë mëkëmbet për shkak të pandemisë. Sistemi i shëndetësisë po lëngon këtë goditje dhe me vështirësi përpiqet ta tejkalojë. Shumë më lehtë do të mund të tejkalohej sikur të kishte më tepër disiplinë

Shkruan: Enis Shaqiri

Jeta është e mbushur me mistere. Vitet me kalimin e kohës sa vijnë dhe bëhen më të shkurtër. Edhe ky vit ishte i njëjtë, a thua vallë kur nisi dhe kur mbarojë? Shumica e cilësuan si të mbrapshtë  dhe pak a shumë i tillë ishte.
Po të mbaja shënime në një letër dhe të bëja një listë për t’i vlerësuar ngjarjet me plus dhe minus, gjatë këtij viti do të dominonte minusi. Shpesh e kemi dëgjuar të thonë se jeta ka ligjet dhe rregullat e veta.
Viti paraprak dhe ky që po e lëmë pas dhanë goditje të  rënda dhe shuan tragjikisht shumë jëtë njerëzore, një goditje fatale në fushën e shëndetësisë, por edhe të ekonomisë që rëndë mëkëmbet për shkak të pandemisë.
Goditja në sistemin e shëndetësisë mbetet më e rënda, sepse pandemia në radhë të parë goditi pikërisht këtë sistem, i cili me vështirësi arriti të mbijetojë, përkundër faktit se një vend me më tepër disiplinë mund ma lehtë ta përballonte goditjen në këtë sistem. Të gjithë e dimë se një sistem i mirë ofron shërbime cilësore për të gjithë, kudo dhe kurdoherë që ka nevojë.
Premtimet elektorale për një sistem të “mirë shëndetësor” dhe “shëndetësi falas” rezultuan si një prej premtimeve jashtë realitetit. Shpeshëherë premtime të tilla dëgjojmë vetëm nëpër fushata, por që mungesa e realizimit pastaj ndjehet shumë dhimbshëm dhe shpejt nga popullata. Dhe ne njëzëri themi : Ashtu qenka shkruar!
Jam i vetëdijshëm që shpreh shqetësimin dhe brengën për vendin ku po jetoj, për vendin ku  një parti fiton, stafi ndërrohet, profesionalizmi anon, dhe në fund shuhet.
Pra në  këtë vend një akt i tillë njihet si reformë, si ndryshim, që personalisht mua më le të kuptoj, “ik tash ti, të vij pak unë”.
Për këto tema delikate është tabu të flitet, ndërsa realisht nuk përkojnë me kërkesat e qytetërimit të zhvilluara dhe modernizuar. Opinion si duket është në gjumë, ndërkohë që modernizmin e sheh si rrjet social dhe një copëz vendi të vogël, me një sfond të bukur, ku pozon për një foto, të cilën më pas e hedhë në rrjetet sociale, me një mbishkrim mbreslënës që “bota” ta komplimentoj si të qytetëruar. Duket se njerëzit i ka kapluar sindromi i Stokholmit,  përsa kohë që kemi bërë imun ndaj fenomeneve të tilla.
Pa dashur që të shtojmë më shumë mankthe dhe trishtim, në këto ditë të fundit, po e lëmë këtë vit të shkojë për të mos u kthyer më, me shpresë se atë që se bëmë këtë vit ,ta bëjmë në vitin që po vjen, përkundër faktit që mendja ma thotë se do të jetë një binjak siamez.

 

*Eseja është prodhuar në kuadër të projektit të mbështetur nga NED. Qëndrimet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit.

Të fundit