E shtunë, 18 Maj, 2024

VALË E RE E KORONAVIRUSIT, DISA SHTETE NË BE RIKTHEJNË MASAT

Evropa është sërish epiqendra e pandemisë së koronavirusit, ku disa shtete po rivendosin masa kufizuese me qëllim që të frenojnë rritjen e re të rasteve me COVID-19, raporton Rel, përcjell KDP.

Pavarësisht niveleve të larta të vaksinimit dhe sistemeve të mira të kujdesit shëndetësor, rastet me koronavirus në Evropë janë rritur që prej fillimit të tetorit dhe tani niveli i rasteve është më i lartë se që prej fillimit të pandemisë.

Në shtatë ditët e fundit, mbi 2.1 milionë raste janë regjistruar në Evropë, duke e thyer rekordin me më së shumti raste, që ishte shënuar në javën e parë të nëntorit të vitit 2020.

Pesë shtete – Britania, Gjermania, Rusia, Turqia dhe Ukraina – së fundmi kanë shënuar rritje të rasteve me COVID-19 për më shumë se 50 për qind.

Numri i vdekjeve po ashtu është rritur. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se numri i viktimave javën e kaluar është rritur për 10 për qind dhe vdekjet në baza ditore janë mbi 4,000.

Nivelet e vaksinimit në Evropë kanë rënë muajve të fundit, por ato dallojnë nga shteti në shtet. Për shembull, në Spanjë pothuajse 80 për qind e popullatës është vaksinuar plotësisht, ndërkaq në Rusi, deri në tetor janë vaksinuar vetëm 32 për qind e popullatës.

Mesatarisht, vetëm 47 për qind e popullsisë së Evropës janë vaksinuar plotësisht. Tetë shtete kanë tejkaluar shifrën prej 70 për qind të të vaksinuarve, ndërkaq dy shtete kanë vaksinuar nën 10 për qind të popullatës.

Të fundit