E diel, 19 Maj, 2024

Dorëheqja e Zoran Zaev: A po krijohet hapësirë për ndikimet malinje?

I zhgënjyer me rezultatin e zgjedhjeve lokale të tetorit në Maqedoninë e Veriut, politikani reformator dhe pro-perëndimor Zoran Zaev ka dhënë dorëheqjen e tij nga pozita e kryeministrit dhe e liderit të partisë Lidhja Social-demokrate e Maqedonisë (LSDM). Edhe pse nuk ishin zgjedhje nacionale, rezultati që mori Zaev ishte dëshpërues: afër 210 mijë vota më pak në krahasim me zgjedhjet paraprake të 2017-ës bëri që kjo parti të humbasë 41 komuna, midis të cilave edhe Qytetin e Shkupit. Debakli zgjedhor u paralajmërua që në raundin e parë, pas së cilit Zaev publikisht tha se në raundin e dytë shkon “all in”. “Raundi i dytë është referendum edhe për legjitimitetin e kësaj qeverie”, tha ai.

Me dorëheqjen e tij bie e tërë qeveria, ndërkohë që opozitarja VMRO-DPMNE menjëherë ka filluar krijimin e një shumice të re parlamentare.

Ikja e Zaevit nga skena politike, midis tjerash, hap edhe dilemën e pozicionimit të Maqedonisë së Veriut në rrafshin gjeopolitik. A mund të jetë pensionimi politik i Zaevit një lajm i mirë për Rusinë dhe Kinën, ndikimi i të cilëve u tkurr që nga ardhja e tij në pushtet në vitin 2017?

 

KALORËSI I PERËNDIMIT

 

Zaev mori të drejtojë LSDM-në në vitin 2013, në momentin kur partia ballafaqohej me një krizë të thellë pasi për më shumë se dhjetë vite kishte pësuar disfata të njëpasnjëshme nga rivalja e spektrit të djathtë VMRO-DPMNE. Gjatë kësaj periudhe qeveria ishte drejtuar nga dora e fortë e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Ai kishte sjellë VMRO-DPMNE-në në pushtet në vitin 2006 me një plan ambicioz reformash dhe me një vullnet të madh integrimi në strukturat euro-atlantike. Vetoja e Greqisë në Samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008 bëri që Gruevski të heqë dorë nga ato plane. Maqedonia e Veriut u pamundësua të bëhet anëtare e NATO-s bashkë me Shqipërinë, kurse kjo veto i bllokoi vendit edhe nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE). Së këndejmi, Gruevski vendosi të kërkojë alternativa të integrimit euroatlantik, duke kërkuar partnerë në Lindje – kryesisht në Rusi dhe Kinë. Nga viti 2008 Maqedonia e Veriut filloi të shndërrohet në një shtet atraktiv për oligarkët e shteteve të Lindjes. Me këtë gradualisht rritej edhe ndikimi nga ato shtete.

Zaev me LSDM-në erdhi në pushtet nëpërmjet një operacioni të rrezikshëm për sigurinë – publikimit të përgjimeve që shfaqnin korrupsionin e nivelit të lartë. Ai kishte për detyrë të kthejë vendin në binarë të integrimit në BE dhe NATO, nga të cilat kishte devijuar pararendësi i tij. Por, ky tentim bëri që roli i Rusisë në zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut të rritet dukshëm, duke nxitur përkeqësimin e krizës politike në vend. Publikimet e përgjimeve nga ana e Zaevit shkaktuan protesta qytetare kundër pushtetit të korruptuar. Ishte koha kur vendi sapo kishte hyrë në hartën e projektit të gazsjellësit rus “Rrjedha e Jugut” me atë që në vitin 2013 qeveria e Gruevskit kishte nënshkruar një marrëveshje me gazsjellësin Gazprom. Kjo marrëveshje i siguronte kësaj kompanie shtetërore ruse monopol në furnizimin me gaz, gjë që e bënte Maqedoninë e Veriut të varur nga Kremlini. Andaj, për të finalizuar këtë projekt, Moska ishte shumë i interesuar që të mbante në pushtet VMRO-DPMNE-në e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Maqedonia e Veriut ishte vetëm një nga disa shtete të përfshira në projektin “Rrjedha jugore”. Nga Rusia gypat e gazit ishin paraparë të kalonin nëpër Turqi, Greqi, Bullgari, Maqedoni të Veriut dhe Serbi, prej ku do të depërtonin në BE. Qëllimi i Moskës ishte të bajpasojë Ukrainën në furnizimin me gaz të Evropës në mënyrë që të bëjë kontinentin drejtpërdrejt të varur nga energjia e saj. Për këtë qëllim, që nga viti 2008, kur Shkupi u ballafaqua me veton greke për në NATO, ishte vërejtur një shtim i kapaciteteve njerëzore në ambasadën ruse në Maqedoninë e Veriut.

Zaev erdhi në pushtet me mbështetjen e theksuar të Perëndimit. Ai kishte pranuar që t’i qaset seriozisht problemit të emrit me Greqinë, i cili kishte qenë shkak për veton që kishte përdorur qeveria në Athinë ndaj integrimit të Maqedonisë së Veriut në strukturat euroatlantike. Kjo do të thoshte edhe anëtarësim i shpejtë i vendit në NATO, një alarm ky për Rusinë. Në qershor të 2018-ës, Zaev dhe ish-kryeministri grek Alexis Tsipras në Prespë e nënshkruajnë Marrëveshjen që zgjodhi problemin tridekadësh të emrit. Dy vite më vonë flamuri i Maqedonisë së Veriut u ngrit në selinë e NATO-s në Bruskel si anëtar i 30-të i Aleancës.

 

RIKTHIMI I MUNDËSHËM I NDIKIMIT RUS

 

Nga momenti i anëtarësimit në NATO ndikimi rus shënoi një rënie të dukshme. Stafi në ambasadën në Shkup u reduktua, kurse institucionet e vendit dëbuan disa diplomatë rusë për shkak të thyerjes së Konventës së Vjenës me lëvizjet e tyre të spiunazhit.

Interesi i Moskës tani është të godasë NATO-n aty ku është më e thyeshme – te anëtaret e reja. Kështu, Maqedonia e Veriut por edhe Mali i Zi vazhdojnë të ngelin në sferën e interesit të ndikimit të Rusisë, si pjesë më e dobët e Aleancës. Kjo prani tregon se Ballkani vazhdon të jetë tërheqës për Rusinë për shkak të pozicionit strategjik – daljes në ujërat e ngrohtë në Detin Mesdhe dhe për ndërtimin e “Rrjedhës jugore” të gazit.

Suksesi me NATO-n nuk ndodhi edhe me BE-në. Në vend të hapjes së negociatave, ashtu siç ishte premtuar, Shkupi mori edhe dy veto radhazi: në 2019 nga Greqia shkaku i metodologjisë së zhvillimit të negociatave anëtarësuese, dhe e fundit nga Bullgaria – shkaku i mosmarrëveshjeve për historinë dhe gjuhën maqedonase.

Kjo veto bullgare mban më shumë se një vit të bllokuar Shkupin në nisjen e negociatave të premtuara nga BE. Ndërkohë kjo bllokadë ka rrënuar pozicionet e Zaevit në rrafshin e brendshëm, pasi gjithnjë e më shumë akuzohet se i bëri kompromiset për asgjë. Kjo, midis tjerash, ishte edhe arsyeja e humbjes së zgjedhjeve lokale të mbajtura në tetor të këtij viti.

A do të jetë dorëheqja e Zaevit fillimi i zbehjes së ndikimit të Perëndimi dhe i rikthimit të Rusisë? Është rëndë të thuhet tani. VMRO-DPMNE, si parti që pretendon se ka siguruar shumicën e re parlamentare, është reformuar ndërkohë, duke zgjedhur një lider të ri pro-evropian. Bëhet fjalë për elektroinxhinerin 44-vjeçar, Hristijan Mickovski. Gjatë periudhës së Gruevskit ai ishte sekretar gjeneral i partisë. Pas zgjedhjes tha se rrymat pro-ruse nuk do të kenë vend në VMRO-DPMNE, e cila që nga themelimi i saj është profiluar si pro-perëndimore. “Nuk mund të lejoj që një pikë fekalesh të ndotë një fuçi me ujë të pastër”, tha ai duke aluduar te një grup i vogël brenda VMRO-DPMNE-së që kanë sentimente pro-ruse.

Mickovski në zgjedhjet e fundit lokale lidhi një koalicion parazgjedhor me Aleancën për Shqiptarët (ASH) të Ziadin Selës dhe Alternativën e Afrim Gashit. Hapja e tij ndaj shqiptarëve dhe ndryshimi i kursit ndaj ndërkombëtarëve ka rritur kapacitetet koalicionuese me partitë shqiptare. BDI e Ali Ahmetit, ASH, BESA e Bilall Kasamit, Alternativa dhe PDSH e Menduh Thaçit bashkë numërojnë 36 deputetë dhe janë vendimtarë kur vjen deri te formimi i qeverisë. Të gjitha partitë shqiptare kanë një kusht për bashkëpunim – integrimet euroatlantike. Duket se Mickovski nuk ka pasur problem ta pranojë këtë.

Sidoqoftë, profili i Zaevit është rëndë të përsëritet. Guximi politik që tregoi me marrëveshjet dypalëshe të nënshkruara me Athinën dhe Sofjen, por edhe me partitë shqiptare për gjuhën shqipe, e bën atë unik. Kjo do t’i shkaktojë telashe Perëndimit kur në rend dite do të vijë arritja e marrëveshjes finale me Bullgarinë. Kjo marrëveshje do t’i hapte rrugë vendit drejt integrimit në BE, ndërkohë që vonesa e integrimit krijon vakum të rrezikshëm gjeopolitik. Mickovski, megjithatë, duket se nuk e ka atë guxim.

 

Xhelal NEZIRI,

bashkëpunëtor i The Geopost nga Maqedonia e Veriut

Të fundit