E enjte, 16 Maj, 2024

ISH-KRYEPARLAMENTARI VELJANOVSKI DËNOHET ME 6 VITE BURG

Ish-kryeparlamentari Trajko Veljanoski është dënuar sot nga Gjykata Themelore Penale me 6 vjet e 6 muaj burg, për Kërcënim Terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë, rreth organizimit të sulmit ndaj Parlamentit më 27 Prill 2017, njofton KDP. 

Sulmi ndodhi pas zgjedhjeve të vitit 2016, kur VMRO-DPMNE nuk arriti të krijojë shumicë parlamentare edhe pse fitoi një deputet më shumë se LSDM. Kjo e fundit arriti të bindë BDI që të braktisë ish-partnerin e koalicionit VMRO-DPMNE duke i ofruar postin e kryeparlamentarit dhe avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Në ditën kur duhej të konstituohej Parlamenti dhe të zgjidhet Talat Xhaferi i BDI për kryetar, lëvizja “Për Maqedoninë e bashkuar” me ndihmën e disa deputetëve të VMRO-DPMNE arriti të futet në Parlament, ku sulmoi disa deputetë, midis të cilëve edhe kryetarin e LSDM, Zoran Zaev, dhe atë të ASH, Ziadin Sela.

Gjykatësi Ilija Trpkov kujtoi se Veljanoski në seancën konstituive nuk e ndryshoi pikën në rendin e ditës me kërkesë të 10 deputetëve, e cila e obligon me rregullore, por e përfundoi seancën. Por para kësaj, sipas gjykatësit, Veljanoski lejoi një deputet (Zekirija Ibrahimi) të këndonte himnin shqiptar. Trokov konstatoi se Veljanoski e bëri këtë pasi e informoi Gruevskin në Vjenë se pas orës 5 pasdite, LSDM do të zgjedhë Talat Xhaferi si kryetar Parlamenti. Në atë moment, Janakieski i ka thënë të amnistuarit Krsto Mukoski që të hapte derën e Parlamentit.

Gjatë procesit gjyqësor Veljanoski ishte në liri, e jo në paraburgim, sepse Parlamenti nuk i hoqi imunitetin. Në fakt, nuk kishte asnjë votim për këtë çështje pasi kryetari i Parlamentit Xhaferi lejoji të skadojë afati i votimit në seancën për imunitetin.

Përveç Veljanoskit, edhe ish-ministrat Mile Janakieski dhe Spire Ristovski u dënuan me 6 vjet e 3 muaj burg, dhe ish-drejtori i UBK-së Vladimir Atanasovski me 6 vite burg

Për të arratisurit Nikola Gruevski në Hungari dhe Nikola Boskoski – Boksier nga UBK, i cili iku në Selanik, procedura ndërpritet deri në gjetjen dhe arrestimin e tyre.

Duke shpjeguar vendimin, gjyqtari Ilija Trpkov tha se më shumë se 100 dëshmitarë të mbrojtjes ishin thirrur në gjyq.

“Unë e lejova, kjo është e drejtë e të pandehurve. Por si mund t’i besoj deklaratat e tyre kur ata pretenduan se VMRO-DPMNE nuk kishte asnjë lidhje me organizimin e protestave të ‘Për një Maqedoni të Përbashkët’, dhe këtu u paraqitën prova nga telefonat e të pandehurve se si ata organizojnë, telefonojnë njerëzit, folës, daulle më të fortët në botë “, tha Trpkov dhe shtoi se në këtë rast VMRO-DPMNE nuk u gjykua.

Shteti mbrohet me mendje dhe zemër, jo me dhunë, tha gjykatësi Ile Trpkov, sipas të cilit, me sulmin e organizuar ndaj Parlamentit në 27 Prill 2017, u shkel baza e demokracisë.

Gjykatësi gjithashtu iu referua deklaratës së ish-kryeministrit Nikola Gruevski, i cili u bëri thirrje “njerëzve të mos ulen në shtëpi me pantofla, për të marrë fatin e tyre në duart e tyre”.

 

Të fundit