“Veprimet e papërshtatshme me statusin diplomatik” ishte arsyeja se pse diplomati rus në Maqedoninë e Veriut u shpall person i padëshiruar (non grata), tha ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, njofton REL, përcjell KDP.
“Në këtë rast kemi të bëjmë me veprime të cilat janë të papërshtatshme me statusin diplomatik, veprime këto të cilat janë hetuar dhe janë dokumentar nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe organeve të tjera kompetente, të bazë të të cilave është sjellë vendimi dhe i është kumtuar ambasadorit rus që në javën e kaluar”, tha Osmani për televizionin Kanal 5, duke mos dhënë më shumë detaje.
Kryediplomati Osmani edhe një herë është thirrur në nenin 9 të Konventës së Vjenës , në bazë të së cilës, shteti në të cilin është akredituar një diplomat mundet – në çdo kohë dhe pa ndonjë detyrim – të shpjegojë vendimin e tij, të informojë shtetin akreditues se drejtuesi ose ndonjë anëtar i stafit diplomatik, i misionit, është person ‘non grata’ (i padëshirueshëm) ose ndonjë anëtar tjetër i stafit të misionit është i padëshirueshëm.
Maqedonia e Veriut njoftoi të martën se më 14 maj, e ka njoftuar ambasadorin Federatës Ruse se një diplomat i këtij shteti duhet të largohet nga territori i vendit brenda shtatë ditësh.
Mediat në Shkup raportuan se bëhet fjalë për diplomatin Sergej Aleksandroviç Bazdikin.
Përderisa nga partia më e madhe maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE, kanë thënë se janë të indinjuar se askush nuk i ka informuar për këtë vendim të autoriteteve.
“Informacione konkrete, për arsyet se është marrë një vendim i tillë nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk na është përcjellë deri në këtë moment as si subjekt politik, e as ne si deputetë dhe anëtarë të Komisionit për politikë të jashtme nuk kemi marrë asnjë informacion se pse është marrë një vendim i tillë. Në këtë drejtim, vlerësojmë se është jokorrekte që të japin çfarëdo lloj komenti për një vendim që nuk e dimë se pse është marrë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Timço Micunski nga VMRO-DPMNE.
Ish-ambasadori, Ognen Maevski, tha se nuk pret që të dëmtohen raportet mes Shkupit dhe Moskës, pas dëbimit të diplomatit rus.
“Mendoj se ky veprim është i imponuar pasi çdo shtet vepron në atë mënyrë. Nuk pres që të përkeqësohen raportet për ndërmarrjen e këtij veprimi nga ana e shtetit tonë, pasi ky veprim është i zakonshëm dhe përfundon me ndonjë masë reciprociteti”, tha Maevski.
Ai shtoi se shtetet, në momente të caktuara zgjedhin që të mos japin detaje për arsyet e dëbimit të ndonjë diplomati, me qëllim që të shmangin nxitjen e tensioneve.
Kjo nuk është hera e parë që Maqedonia e Veriut dëbon diplomatë nga vendi. Më 2018, Maqedonia e Veriut dëboi një diplomat të Federatës Ruse në shenjë solidarizimi me Mbretërinë e Bashkuar në lidhje me rastin Skripal, dhe autoritetet maqedonase kishin deklaruar se këtë vendim e kishin marrë në konsultim me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Atëbotë, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov kishte thënë se krahas solidarizimit me Mbretërinë e Bashkuar, diplomati rus ishte dëbuar nga Maqedonia e Veriut sepse kishte tentuar që të marrë informata të klasifikuara, të cilat do të ndikonin mbi sigurinë e Maqedonisë së Veriut.
“Bëhet fjalë për tentim të marrjes së informatave të ndjeshme dhe të klasifikuara, të cilat janë të rëndësishme për sigurinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, kishte deklaruar Dimitrov.
Më pas, Ambasada ruse kishte kërcënuar se Maqedonia e Veriut do të bartë përgjegjësi për dëbimin e diplomatit.
Gjatë takimeve të herëpashershme me ambasadorin rus në Shkup, Sergej Bazdnikin, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev kishte deklaruar se ndërtimi i raporteve të mira ekonomike me Rusinë mbetet prioritet krahas Bashkimit Evropian dhe NATO-s.