Me gjithë përpjekjet e zyrtarëve shtetërorë në Serbi për të fshehur çmimin e dronëve të blerë kinezë, ky informacion është nxjerrë në bazën e të dhënave për importet dhe eksportet, e cila çdo vit publikohet nga Byroja e Statistikave.
Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, duke inspektuar bazën e të dhënave për importet nga Kina në vitin 2020, ka arritur në informacionin se Serbia, atë vit, ka importuar dronë nga Kina në vlerë prej 19.3 milionë dollarësh.
Çmimi me të cilin Serbia i blerë dronët luftarakë-zbulues nga Kina, është mbajtur sekret që nga korriku i vitit 2020, kur dronët janë shfaqur për herë të parë në aeroportin ushtarak të Batajnicës, në Beograd.
Përgjigje në pyetjen e Radios Evropa e Lirë se sa kanë kushtuar gjashtë dronët CH-92A, nuk ka dashur të japë as presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka qenë i pranishëm në prezantimin e dronëve.
“Kur prokurojmë mallra me një vend tjetër, sa i përket ushtrisë, [çmimi] mbahet sekret. Kjo është e zakonshme dhe nuk ka asnjë lidhje me Kinën, por këta [dronët] vërtet nuk janë shtrenjtë”, ka thënë atëbotë Vuçiq.
Burimi për vlerën e dronëve të importuar nga Kina është Administrata Doganore e Serbisë, ka thënë Byroja e Statistikave e Serbisë në një përgjigje me shkrim për REL-in.
Ky institucion i paraqet të dhënat mbi tregtinë ndërkombëtare në Zyrën e Statistikave të Republikës, në baza mujore.
“Të gjitha të dhënat për prokurimet, që kanë karakter ndërkombëtar, nuk janë sekrete për shërbimet e inteligjencës, dhe kështu as për zyrtarët e vendeve të huaja”, ka thënë për REL-in Nikolla Lluniq, drejtor ekzekutiv i Këshillit joqeveritar për Politikat Strategjike.
Dronët CH-92A i prodhon Korporata Shkencore dhe Teknologjike e Aviacionit të Kinës. Ajo është një kompani shtetërore.
Siç thuhet në specifikimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë, mjeti ajror pa pilot, CH-92A, mund të godasë objektivin nga një distancë prej nëntë kilometrash, ndërsa mund të regjistrojë terrenin dhe pozicionin e njësive të armikut nga një distancë prej 250 kilometrash.
Lartësia maksimale në të cilën fluturon është 5,000 metra, ndërsa shpejtësia është pak më pak se 200 kilometra në orë.
Dronët CH-92A, mes tjerash, përdoren për studim të terrenit nga ajri dhe sulm me raketa të drejtuara me laser, në caqe në tokë.
Çdo dron është i pajisur me dy raketa, që mund të godasin një objektiv nga një distancë prej 9 kilometrash.