Ky vit ishte i trishtë në të gjitha aspektet. Një vit i tmerrshëm, sepse shumë njerëz humbën më të dashurit e tyre. Një vit që na trandi gjer në thelb të jetës. Një vit që e kufizoi qenien humane në të gjitha dimensionet e funksionimit, që riktheu te qenia njerëzore trishtimet primordiale. Një vit që edhe njëherë riktheu leksionet vetmitare të ontologjisë njerëzore, orën e llahtarshme të qenies së rrezikuar përkundër progresit marramendës teknologjik. Një leksion që shpërfaqi vogëlsinë njerëzore përpara probabiliteteve kërcënuese tê mikro-habituseve
Shkruan: Bardhyl Zaimi
Viti që po lëmë pas i shfaq me një pamje trishtë dhe po shklet drejt fundit me po këtë pamje. Edhe vitet kanë fizionominë e vetë, të cilën e marrin nga ngjarjet me të cilat ushqehen. Ky vit ishte hijerëndë me një pamje kërcënuese. Që ditën kur vendosi këmbën misterioze të ardhjes në jetët tona pema e jetës filloi të zvenitet. Ai erdhi bashkë me një gjëmë që njerëzimi gati e kishte harruar për sa kohë që jetonte në dimensionet e një rehatia moskokëçarëse. Erdhi me një armik të padukshëm përbrenda, me një armik nga mikrobota e habitusit tonë për të cilin bota nuk ishte përgatitur.
Pikërisht ky armik i vogël dhe i padukshëm që kishte qenë diku aty në magmën e jetës sonë po shndërrohej në një gjëmë të madhe me përmasa globale. Mu në fillimin e tij, ky vit na riktheu te nocioni tashmë i harruar i karantinës, te vetëveçimi që vinte si përvojë e heshtur njerëzore, si një instrument gati instiktiv për t’u mbrojtur nga një virus tashmë i pagëzuar si korona ose covid 19. Gjithë përtej koha e ardhur përmes 2020-ës tashmë ishte përqendruar si llahtari dhe vetëdije në rrezikun që po sillte ky armik i padukshëm.
Miliona njerëz ndërkohë ishin infektuar nga ky virus vdekjeprurës, ndërkohë që mijëra jetë ishin këputur përkundër përpjekjes mbinjerëzore të heronjve të padiskutueshëm të këtij viti: mantelbardhëve.
Ky vit ishte i trishtë në të gjitha aspektet. Një vit i tmerrshëm, sepse shumë njerëz humbën më të dashurit e tyre. Një vit që na trandi gjer në thelb të jetës. Një vit që e kufizoi qenien humane në të gjitha dimensionet e funksionimit, që riktheu te qenia njerëzore trishtimet primordiale. Një vit që edhe njëherë riktheu leksionet vetmitare të ontologjisë njerëzore, orën e llahtarshme të qenies së rrezikuar përkundër progresit marramendës teknologjik. Një leksion që shpërfaqi vogëlsinë njerëzore përpara probabiliteteve kërcënuese tê mikro-habituseve.
Gjithsesi ky ishte edhe një vit i shkencës, i gjithë atyre që e studiuan këtë kërcënim dhe e finalizuan me zbulimin dhe prodhimin e vaksinës. Një shpresë e madhe për njerëzimin, një dritë në fund të tunelit.
Jemi në prag fundviti dhe ka shumëçka për të thënë për aspektet tjera të jetës njerëzore që nënkuptojnë politikën, ekonominë, menaxhimin plot defekte me pandeminë. Por, të mjaftohemi kësaj radhe me shpresën se më në fund do ta përcjellim këtë vit të mbrapshtë dhe ngadalë do ta bartim veten në një vit tjetër me një diell shprese dhe besimi se gjithçka do të marr fund me pandeminë dhe në ndërkohë do t’i kthehemi jetës normale.