E shtunë, 27 Korrik, 2024

ABAZOVIQ PROPOZOHET ZËVENDËSKRYEMINISTËR

Në Mal të Zi, i mandatuari për formimin e Qeverisë, Zdravko Krivokapiq, ka bërë të ditur emrat e kabinetit të tij. Bie në sy se kryeministri është përcaktuar që të ketë vetëm një zëvendës dhe ai do të jetë kreu I lëvizjes qytetare ‘URA’, shqiptari nga Ulqini, Dritan Abazoviq.

Kryeministri i ri malalez Zdravko Krivokapiq ka bërë të ditur përbërjen e kabinetit të tij në të cilin, sikurse tha, vetëm postin e zëvendëskryeministrit ia beson një politikani, Dritan Abazoviqit, ndërsa të tjerët do të jenë ekspertë. Kështu, Ministria e Mbrojtjes do të dfrejtohet nga pedagogia universitare  Olivera Injac, ajo e Punëve të Brendshme nga avokati Sergej Sekuloviq. Më herët Krivokapiq  kishte sqaruar se roli i kreut të partisë URA, do të jetë mbikëqyrja e punës së  dikastereve të sigurisë, pikërisht për shkak të rezervave nga vendet perendimore ndaj kandidaturave eventuale të forcave të tjera që krijuan koalicionin fitues në zgjedhjet parlamentare të cilat edhe ishin arsye e stërzgjatjes së krijimit të qeverisë, pikërisht për shkak të pretendimeve për të drejtuar këto dikastere tepër të ndjeshme për realitetin politik malazez, një vend ky anëtar i NATO-s dhe kandidat për në Bashkimin Evropian. Media në Podgoricë bën të ditur se shumica e 13 ministrave të propozuar është ideologjikisht ose familjarisht e afërt me Kishën Ortodokse Serbe, një e dhënë kjo që pritet që qysh në start të prodhojë tensione në skenën edhe ashtu të ndarë politikisht, fetarisht e etnikisht të Malit të Zi, kësaj republike ish-jugosllave me diçka më shumë se 620 mijë banorë.

Pritet që qeveria e re malazeze të zgjidhet  në fillim të javës së ardhshme, më dy dhjetor.

Të fundit